
Me rastin e 26-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në Jugosllavi, zëvendëskryeministri serb në detyrë, Aleksandar Vulin dhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova përsëritën narrativat e zakonshme propagandistike për mosndëshkimin e pretenduar të Aleancës dhe përgjegjësinë e saj për, siç thanë ata, konfliktet e shekullit të 21-të.
Çfarë thanë Zakharova dhe Vulin:
“NATO nuk do të jetë kurrë në gjendje të ‘lajë turpin’ e krimeve të saj të luftës në Jugosllavi në vitin 1999. Duke sulmuar një vend sovran, SHBA dhe satelitët e saj shkelën ligjin ndërkombëtar, minuan themelet e sigurisë në Evropë dhe shkaktuan një krizë në marrëdhëniet ndërshtetërore që nuk është kapërcyer deri më sot”, tha Zakharova.
“Shekulli i njëzetë përfundoi me krimin e fundit të rëndë dhe të pandëshkuar – agresionin e NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë. Të gjitha luftërat që nga viti 1999 ishin pasojë e drejtpërdrejtë e vrasjes së fëmijëve serbë nga NATO dhe shkeljeve të ligjit ndërkombëtar,” tha Vulin.
Analiza:
Bombardimi i ish-Jugosllavisë pasoi vite të tëra shkeljesh masive të të drejtave të njeriut në Kosovë nga forcat serbe.
Raportet ndërkombëtare, përfshirë ato të OKB-së dhe organizatave të të drejtave të njeriut, kanë dokumentuar vrasje, dëbime dhe dhunë sistematike kundër popullsisë shqiptare. Sipas Tribunalit të Hagës dhe organeve të tjera ndërkombëtare, forcat jugosllave dhe serbe ishin përgjegjëse për krimet masive në Kosovë, duke përfshirë operacionet e zhvendosjes së detyruar dhe spastrimin etnik.
NATO e justifikoi ndërhyrjen ushtarake me nevojën për të parandaluar një katastrofë humanitare, pasi të gjitha përpjekjet diplomatike, përfshirë negociatat në Rambuje, dështuan. Edhe pse bombardimi nuk ishte i mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, komuniteti ndërkombëtar kryesisht e shihte atë si një ndërhyrje që synonte mbrojtjen e civilëve./The Geopost/