“Milan Radoiçiq vazhdon të ushtrojë presion dhe agresion ndaj serbëve në Kosovë”.
Kështu ka deklaruar deputetja serbe, Rada Trajkoviq, e cila e ka konsideruar Radoiçiqin një kërcënim për çdo qytetar të përgjegjshëm.
“Fatkeqësisht, Radoiçiq duket të jetë një figurë e mbrojtur, i dyshuar për organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Ai pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë dhe jeton e bën biznes lirshëm në Serbi. Madje, ai vazhdon agresionin ndaj serbëve që mendojnë ndryshe, përfshirë Nenad Rashiqin, i cili ka të drejtë të promovojë programin e tij pa kërcënuar askënd. Radoiçiq është një rrezik për të gjithë qytetarët e përgjegjshëm”, ka deklaruar Trajkoviq për Tëvë1.
Deputeti serb Nenad Rashiq ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës përmes Listës Serbe.
Megjithatë, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka bërë të ditur se është përballur me kërcënime nga ish-nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq.
Për këto kërcënime, Rashiqi i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti. Ky i fundit ka deklaruar se Rashiq është kërcënuar nga “kryeterroristi” Radoiçiq dhe persona të afërt me të, me qëllimin e vetëm për t’ia dëmtuar reputacionin tek votuesit serbë.
Ndërkohë, Rashiq ka drejtuar akuza të forta ndaj qeverisë së Aleksandar Vuçiqit, duke e akuzuar atë për shfrytëzimin e serbëve të Kosovës për interesa personale.
Nga ana tjetër, politologu Ognjen Gogiq ka theksuar se Rashiqi nuk ka ofruar prova konkrete për kërcënimet e supozuara nga Radoiçiq, megjithëse ai ka qenë shpesh cak i sulmeve nga kundërshtarët politikë dhe mediat serbe.
“Deri më tani, Rashiq nuk ka paraqitur prova që vërtetojnë se është kërcënuar nga Milan Radoiçiq. Megjithatë, ai prej kohësh është sulmuar nga mediat dhe zyrtarët shtetërorë serbë, të cilët e kanë quajtur edhe ‘tradhtar’. Ai është shënjestruar për shkak të potencialit të tij si kundërshtar i Listës Serbe, dhe kjo u reflektua në faktin që ai siguroi një mandat në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Gogiq./Telegrafi/

Hulumtimi i IRI: Serbët favorizojnë marrëdhënie më të ngushta me Rusinë, pasuar nga Kina
Raporti britanik: AI tentoi të mashtronte njerëz dhe të fshihte gjurmët e saj
Roboti për çaktivizimin e bombave u dërgua pas zbulimit të dronit me eksploziv në aeroportin gjerman
Avionët polakë interceptojnë avionin rus të zbulimit mbi Baltik, Varshava: Rusia po teston gatishmërinë e NATO-s
Pa koordinim me autoritet lokale, grup i armatosur nga Republika Srpska hyri në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës gjatë vizitës së Vuçiqit
Vrajolli: Deklaratat nacionaliste serbe nuk janë rastësi, “bota serbe” synon ndikim në rajon – nevojitet strategji e fuqishme përballë luftës hibride