Forcat ruse tani rrethojnë Ukrainën nga tre anët dhe zyrtarët perëndimorë kanë frikë se një operacion ushtarak mund të fillojë që në këtë muaj.
Një grumbullim i forcave ruse pranë kufirit me Ukrainën ka ngritur shqetësimin midis zyrtarëve perëndimorë dhe ukrainas se Kremlini mund të përgatitet për një veprim të rëndësishëm ushtarak, ndoshta një pushtim. Kjo hartë, e përpiluar nga The New York Times, tregon trupat, tanket dhe artilerinë e rëndë që lëvizin në pozicione që kërcënojnë të zgjerojnë konfliktin në lindje të Ukrainës, si dhe të hapin potencialisht një front të ri në kufirin verior të Ukrainës, më afër kryeqytetit, Kiev.
Rusia aktualisht ka rreth 100,000 trupa në kufirin me Ukrainën, sipas zyrtarëve ukrainas dhe perëndimorë. Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë vlerësuar se Kremlini ka hartuar plane për një operacion ushtarak që përfshin deri në 175,000 trupa që mund të fillojë në javët e ardhshme. Ndërsa nuk është e qartë nëse Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vendosur të nisë një sulm, analistët thonë se vendi është në rrugën e duhur drejt ndërtimit të arkitekturës së nevojshme për një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë.
Të hënën, përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të takohen në Gjenevë për bisedime që synojnë de-eskalimin e krizës. Zoti Putin ka thënë se Rusia dëshiron ato që ai i quan garancitë e sigurisë, të cilat, ndër të tjera, do të ndalonin Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n të zgjerohen drejt lindjes në rajone që Kremlini i konsideron brenda sferës së tij të influencës.
Kjo hartë paraqet një pamje të pozicioneve aktuale ruse, si dhe vlerësime të gjera të numrit të trupave dhe llojeve të pajisjeve të vendosura në distancën goditëse të Ukrainës. Wshtw e bazuar në informacionin e marrë nga zyrtarë ukrainas dhe perëndimorë, si dhe nga analistë të pavarur ushtarakë dhe imazhe satelitore.
Pjesa më e madhe e ngritjes deri më tani, sipas zyrtarëve dhe analistëve ushtarakë, ka përfshirë trupa dhe pajisje që kërkojnë kohë për t’u vendosur, duke përfshirë tanke dhe forca të blinduara të rënda, disa prej të cilave kanë udhëtuar me tren nga bazat e largwta si Siberia.
Megjithatë, përpara se të nisë një operacion ushtarak, Rusia ka të ngjarë të ketë nevojë të vendosë ushtarë rezervë dhe infrastrukturë logjistike, si spitalet në terren, që aktualisht duket se mungojnë në pozicionet afër Ukrainës, thonë analistët. Këta elementë së bashku me trupat shtesë mund të dislokohen me shpejtësi nëse merret një vendim për të sulmuar.
Pjesa më e madhe e vëmendjes deri më tani është drejtuar në ngritjen e forcave pranë dy provincave të shkëputura në Ukrainën lindore, Donetsk dhe Luhansk, ku që nga viti 2014 ushtria ukrainase ka qenë në luftë me separatistët e mbështetur nga Rusia. Forcat separatiste, të cilat përfshijnë trupa ruse dhe luftëtarë ukrainas që kundërshtojnë sundimin e Kievit, arrijnë në rreth 30,000, sipas një vlerësimi nga ushtria ukrainase.
Që nga fillimi i vitit 2021, Rusia ka zhvendosur pesë grupe të tjera taktike batalionesh në zonën kufitare pranë Luhansk dhe Donetsk, duke përfshirë rreth 5,000 ushtarë të dërguar për të përforcuar rreth 12,000 trupa tw pwrhershme atje, sipas autoriteteve ukrainase. Po aq domethënëse, sipas zyrtarëve dhe analistëve ushtarakë, janë forcat që po grumbullohen në veri të Ukrainës në zona të tilla si Klintsy, në pikën ku takohen kufijtë e Ukrainës, Rusisë dhe Bjellorusisë. Këto pozicione janë brenda distancës goditëse tw kryeqyteti ukrainas, Kiev.