NATO është në kontakt me Kosovën dhe Serbinë që të sigurohet që të mos ketë destabilizim në Kosovë gjatë zgjedhjeve parlamentare, ka thënë të hënën sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte. Situata në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, janë çështje kyçe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë një debati që u zhvillua në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Mbrojtjes në Parlamentin Evropian në Bruksel, Rutte tha se aleanca nuk do të lejojë të ketë ndonjë vakum të sigurisë, as në Bosnje e Hercegovinë, e as diku tjetër në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Natyrisht, i kemi disa shqetësime atje, sidomos për situatën në Bosnje e Hercegovinë, por edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës”, tha shefi i NATO-s. “Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi.
Kjo është kyçe. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, tha Rutte. Kosova do të mbajë zgjedhje të rregullta parlamentare më 9 shkurt. Në dy vitet e fundit tensionet në veri të vendit kanë qenë të larta, duke kulmuar me agresionin serb në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. Ndërkaq, në nëntor të vitit të kaluar ndodhi një sulm terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, duke rrezikuar një pjesë të madhe të Kosovës të lërë pa rrymë e pa ujë. Gjatë debatit në PE, shefi i aleancës tha se në këto kohëra të rrezikshme është e domosdoshme që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja të forcojnë bashkëpunimin. Sipas tij, Rusia po bën përpjekje që të destabilizojë vendet anëtare të aleancës dhe të bllokut evropian.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë në Evropë. Nuk jemi në luftë, por nuk jemi as në paqe”, tha ai duke kërkuar që të rriten investimet në siguri dhe mbrojtje nga vendet anëtare./TheGeopost

Zyrtarë të Listës Serbe dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe vepra të tjera penale
Dodiku sërish në Moskë: vazhdon forcimi i lidhjeve të Banjallukës me Kremlinin
Nga Millosheviqi te Vuçiqi – Stradner: E njëjta strategji, propagandë për ta paraqitur veten si viktimë
Partia e Vuçiqit, SNS, bashkohet me radikalët e Sheshelit – në listën zgjedhore edhe emra të kërkuar nga Haga
“Kamionët e viktimizimit” në Nju Jork, Fetoshi: Strategji serbo-ruse për ta dëmtuar imazhin e Kosovës
Pas deklaratës për “spastrimin etnik”, Paunoviq dhe Daçiq këndojnë së bashku këngë nacionaliste për Kosovën