Shtetet e Bashkuara të martën e vendosën Rusinë në listat e vendeve të përfshira në një “politikë ose model” të trafikimit të qenieve njerëzore, punës së detyruar, dhe atë të përdorimit ose rekrutimit të fëmijëve nga forcat ushtarake me mbështetjen e qeverisë.
Departamenti i Shtetit përfshiu listat në raportin e tij vjetor mbi trafikimin e qenieve njerëzore, i cili për herë të parë, bazuar në një mandat të Kongresit të vitit 2019, përfshinte edhe seksionin “Trafikimi i Personave i mbështetur nga shteti”.
Rusia shfaqet shpesh gjatë gjithë raportit për shkak të sulmit ndaj Ukrainës që filloi më 24 shkurt dhe asaj që dokumenti e quajti mungesë të mbrojtjes ndaj fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore të miliona refugjatëve ukrainas që u larguan nga vendi i tyre.
Ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi pretendimet në raport.
Përveç Rusisë, seksioni i ri përfshinte edhe Afganistanin, Birmaninë, Kubën, Iranin, Korenë e Veriut dhe pesë vende të tjera me një “politikë apo model” të dokumentuar të trafikimit të qenieve njerëzore, punë të detyruar në sektorë të lidhur me qeverinë, skllavërinë seksuale në kampet e qeverisë, dhe punësimin ose rekrutimin e fëmijëve në radhët e forcave ushtarake.
Raporti përmbante gjithashtu një listë të veçantë të 12 vendeve që punësojnë ose rekrutojnë fëmijë në radhët e ushtrisë. Në këtë listë është vendosur edhe Rusia si një mbështetëse shtetërore e rekrutimit të fëmijëve në ushtri.