SHBA-të besojnë se agjencitë ruse të inteligjencës kanë punuar ngushtë me stafin editorial të pesë mediave në gjuhën ruse për të rritur mbështetjen e publikut për një pushtim rus të Ukrainës, thanë zyrtarët amerikanë të inteligjencës, raporton CNN.
Oficerët e agjencive të brendshme dhe të jashtme të inteligjencës ruse, FSB dhe SVR, kanë sponsoriozuar në mënyrë të fshehtë artikuj që fajësojnë Perëndimin për tensionet rreth Ukrainës, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë ukrainase dhe duke sfiduar angazhimin e SHBA-ve ndaj aleatëve të saj evropianë.
Një shtyllë e skemës së supozuar të propagandës është Fondacioni Strategjik i Kulturës, një revistë ruse që Departamenti i Thesarit i SHBA-së e sanksionoi në muajin prill të vitit të kaluar për përhapjen e dezinformatave në zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA, thanë zyrtarët.
As Fondacioni i Kulturës Strategjike dhe as Ambasada Ruse në Uashington nuk iu përgjigjën një kërkese për të komentuar këto njoftime.
Vlerësimi i deklasifikuar i SHBA-së pasqyron pikëpamjet e agjencive në të gjithë qeverinë dhe të aleatëve të SHBA-së, thanë zyrtarët, dhe ai ndriçon mënyrën se si agjencitë e spiunazhit amerikan e shohin përzierjen e botuesve rusë dhe operativëve të inteligjencës.
Zyrtarët amerikanë pretendojnë se Vladimir Maximenko, kreu i Fondacionit të Kulturës Strategjike, është takuar personalisht me drejtuesit e SVR dhe se botimet e kontrolluara nga ai – të njohura si Fondsk dhe Odna Rodyna — kanë përhapur dezinformata për Ukrainën. As Fondsk dhe as Odna Rodyna nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Agjencia ruse e inteligjencës FSB, ndërkohë, bashkëpunojnë me media të njohura si News Front, Antifaschst dhe Politnavigator, njoftojnë shërbimet e inteligjencës amerikane. Sipas zyrtarëve amerikanë, koordinimi është aq i ngushtë sa që oficerët e njohur të FSB-së u thonë revistave se kur duhet të publikojnë artikuj dhe kur të fshijnë përmbajtje të caktuara.
Thesari i SHBA-së sanksionoi News Front me bazë në Krime vitin e kaluar për përhapjen e dezinformatave. Përveç rusishtes, gazeta boton në anglisht, polonisht dhe gjuhë të tjera në një përpjekje për të arritur një audiencë të gjerë.
News Front drejtohet nga Konstantin Knyrik, i cili ka qenë aktiv prej vitesh në Krime, të cilën Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014. Zyrtarët amerikanë pretendojnë se oficerët e lartë të FSB-së e kanë lavdëruar Knyrikun për përhapjen e dezinformatave në Ukrainë.
News Front nuk iu përgjigj një kërkese për koment në lidhje me akuzat e SHBA-ve ndaj Knyrikut.
Zyrtarët e administratës Biden kanë kërkuar me ngulm të zbulojnë makinacionet e supozuara ruse në Ukrainë në javët e fundit, madje edhe duke folur publikisht për planet e supozuara ruse për të bërë një video, të mbushur me aktorë dhe kufoma, ku dotë paraqisnin një sulm të rremë ndaj Rusisë si një pretekst për pushtimin e Ukrainës.