
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka konfirmuar se Serbia po e shqyrton mundësinë e ndërtimit të një centrali bërthamor për energji. Lideri serb deklaroi se për këtë qëllim ai ka biseduar me kompaninë shtetërore ruse të energjisë atomike Rosatom. The Geopost raportoi ditë më parë se gjatë javës së kaluar Vuçiqi e ka pritur në takim në Beograd drejtorin e Rosatomit, Aleksej Likaqev (Alexey Likhachev). Në këtë takim është biseduar opcioni i ndërtimit të një centrali bërthamor në Serbi me mbështetje nga Rosatomi, përkatësisht Rusia.
Në një intervistë me kanalin rus Solovjev Live në Youtube, Vuçiqi tha se kjo është diçka për të cilën Serbia nuk ka menduar më parë, por që tani po e shqyrton me shumë seriozitet. Ai theksoi se investimi i nevojshëm për një central bërthamor kërkon mbështetje të madhe financiare, që mund të jetë qështje problematike për Serbinë. Sipas tij ndërtimi i këtij centrali mund të kushtojë deri në 10 miliard euro, ndërkohë që Serbia ka vendosur ta mbajë borxhin e saj publik nën 60 përqind.
“Nuk guxojmë ta rrezikojmë të ardhmen e fëmijëve tanë për shkak të borxhit të madh të shtetit”, tha Vuçiqi. Ai e bëri të qartë se në shqyrtim e sipër të këtij projekti janë duke biseduar me Rosatomin edhe për shumë qështje që ndërlidhen me këtë nismë.
“Të shohim se si do të rrjeshin gjërat, por na duhet kohë shtesë për konsultime me partnerët tanë rus, për hapat e mëtejmë që pasojnë në të ardhmen,” tha Vuciqi.
Më herët, autoritetet serbe patën deklaruar se me partnerët rus po diskutonin ndërtimin e një qendreje hulumtuese e cila në fillim gjoja se do të merrej me zhvillimin e teknologjive, me hulumtime mjekësore, onkologjike, në industri dhe zhvillim shoqëror.