
Ndërsa nga të gjitha anët Kosovës dhe Serbisë iu bëhet thirrje që të gjejnë një zgjidhje kompromisi, për hir të paqes dhe stabilitetit të mëtejshëm mes dy vendeve, në Serbi janë realizuar dokumentarë, filma dhe seriale televizive me temë idealizimin e betejës së dytë të Kosovës.
Bëhet fjalë për një nga tragjeditë e luftës për të cilën në Serbi vitet e fundit është folur si për epopenë heroike të ushtarëve të rinj që mbronin kufirin dhe pengonin të hynin anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nga Shqipëria në Kosovë gjatë bombardimeve të NATO-s.
Në librin “Košare: Novi kosovsi boj” (Košarja: Beteja e re e Kosovës) i cili është i dedikuar për fëmijë, beteja në Koshare cilësohet si një betejë e shenjtë dhe përmes 12 tregimeve aksioni, fëmijëve iu është ilustruar se si u parandalua sulmi tokësor në Kosovë, siç thuhet në përshkrimi i librit, gjatë sulmit të NATO-s ndaj Serbisë.
Libri i kushtohet të gjithë “heronjve serbë” që luftuan në Kosharë. Por, në libër nuk ceket se çfarë ka ndodhur para një beteje të tillë dhe pse serbët luftuan kundër pothuajse gjithë botës. As miqtë e tyre rusë nuk ishin kundër ndërhyrjes së NATO-s.
Luftën me Slloveninë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën Serbia e filloi në vitet 1990.
Në mediat serbe, shkrimet për luftën në Kosharë deri në vitin 2011 pothuajse nuk ekzistonin. Që nga viti 2011, kur u shfaqën për herë të parë artikujt për Kosharen, deri në vitin 2015 u botuan 17 tekste. Megjithatë, në vitin 2016, numri i teksteve për Kosharen u rrit me shpejtësi, kështu që atë vit u botuan 75 artikuj. Që atëherë numri është vazhdimisht në rritje.
Mediat që kanë publikuar numrin më të madh të artikujve për Kosharen nga viti 2011 deri në mars 2020 janë: Kurir – 44, Vesti onlajn – 41, Vecernje novosti – 38, Pravda – 37, Informer – 34, Telegraf – 30, RTS – 29, Blic – 26 dhe Alo – 25.
Ndër portalet proqeveritare serbe, është një portal i financuar nga Rusia, Sptunjik, i cili në atë periudhë botoi të paktën 33 artikuj mbi Betejën e Koshares.
Që nga viti 2016, diskursi mediatik në Serbi është formuar kryesisht në një dikotomi e përbërë nga përfaqësues të strukturave të shtetit si dhe partive politike e po ashtu edhe e përfaqësuesve të mediave, me hapësirë që herë pas here u jepet shoqatave të veteranëve, pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë dhe familjeve të ushtarëve të rënë.
Përshtypja është se mediat e vëzhguara në një masë të konsiderueshme funksionojnë si transmetues mesazhesh nga përfaqësues të qeverisë dhe partive politike dhe grupeve.

Siç raportuan më parë mediat serbe, ata përhapën propagandë dhe në këtë mënyrë inkurajuan konfliktin ndëretnik, ata krahasonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me Al Kaiden dhe sulmet terroriste, duke i quajtur ata “xhihadistë” dhe “muxhahedinë”.
