Udhëheqësit e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan thanë të dielën se janë në prag të miratimit të “nënës së të gjitha sanksioneve” kundër Vlladimir Putinit, duke paralajmëruar se nuk do të ketë qetësi përderisa presidenti rus mendon për një pushtim të Ukrainës.
“Ne nuk mund të pranojmë një Mynih përsëri,” tha kryetari demokrat i panelit, Bob Menendez, për CNN, duke iu referuar marrëveshjes së vitit 1938 me të cilën aleatët i dhanë Hitlerit pjesë të Çekosllovakisë, duke besuar se kjo do të shmangte luftën.
“Putini nuk do të ndalet nëse beson se perëndimi nuk do të përgjigjet”, tha Menendez. “Ne pamë atë që ai bëri më 2008 në Gjeorgji, pamë edhe se çfarë bëri më 2014 me Krimenë. Ai nuk do të ndalet,” the senatori amerikan.
Menendez beson se negociatat dypartiake për sanksione të rënda janë në “binarë”, pavarësisht mosmarrëveshjeve me republikanët nëse masat duhet të vendosen para ose pas pushtimit rus. Edhe Qeveria brianike premtoi të rrisë sanksionet kundër Putinit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Të dielën, Kievi i kërkoi Moskës të tërhiqte trupat e saj nga kufiri i Ukrainës dhe të vazhdojë dialogun me perëndimin nëse “seriozisht” e mendon uljen e tensioneve që janë rritur mes frikës së një pushtimi rus.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Evropa duhet të diversifikojë furnizimet e saj me energji, duke thënë se situata “dëshmon cenueshmërinë e të qenit shumë të varur nga një furnizues i gazit natyror”.
Tensionet në kufirin me Ukrainën kanë vazhduar të përshkallëzohen. Reuters raporton se ngritja ushtarake ruse përfshin furnizime me rezerva gjaku për shkak të pasojave në njerëz që priten.
Menendez tha se ekziston një vendosmëri e jashtëzakonshme dypartiake për mbështetjen e Ukrainës dhe një vendosmëri tepër e fortë dypartiake për sanksione të rënda për Rusinë nëse e pushton Ukrainën.
‘Nëna e të gjitha sanksioneve’ përfshin një sërë elementesh, sanksione masive kundër bankave më të rëndësishme ruse që dëmtojnë ekonominë e tyre, borxhin sovran të Rusisë. “Këto janë sanksione përtej atyre që kemi vendosur ndonjëherë më parë,” tha Menendez.
Ai beson se aleatët perëndimorë nuk duhet të presin në domosdoshmërinë e penalizimit të Putinit.
“Ka disa sanksione që mund të ndodhin në fillim për shkak të asaj që Rusia ka bërë tashmë, sulmet kibernetike në Ukrainë, operacionet e flamurit të rremë, përpjekjet për të minuar qeverinë ukrainase brenda”, tha ai.
Dick Durbin, bashkëkryetar i grupit parlamentar të Senatit për Ukrainë, në një deklaratë për NBC adresoi shqetësimet e transmetuara nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy të premten se retorika në rritje mbi krizën po shkaktonte panik dhe destabilizonte ekonominë e vendit të tij.
Republikani Rob Portman nga Ohajo, i cili është gjithashtu në komitetin e marrëdhënieve me jashtë, i tha NBC-së se Putini e kishte nënvlerësuar unitetin e NATO-s dhe të tjerëve.
“Një gjë që Vlladimir Putin ka bërë me sukses është se ai ka forcuar aleancën transatlantike dhe vendet në mbarë botën që po e shohin këtë që po ndodhë dhe po thonë, “Nuk mund ta lejojmë këtë të ndodhë, nuk mundemi”, tha Portman.