Forcat ruse po përqendrohen në disa qytete të vogla në afrimin e tyre ndaj qyteteve më të mëdha të Slovyansk dhe Kramatorsk në provincën e Donetskut, ndërsa vazhdojnë përpjekjet e tyre për të kapur të gjithë zonën e Donbasit të Ukrainës në lindje të vendit, thuhet në një raport të inteligjencës britanike.
Vërejtjet vijnë mes raporteve të pakonfirmuara të 13 korrikut se forcat ukrainase kanë marrë përsëri provincën fqinje Luhansk – e cila më parë ishte kapur nga trupat ruse – ndoshta duke përdorur sisteme raketash të ofruara rishtazi nga Shtetet e Bashkuara.
Forcat ruse e kanë kthyer fokusin e tyre në kapjen e të gjithë rajonit të Donbasit, i përbërë nga provincat Donetsk dhe Luhansk, pasi nuk arritën të merrnin kryeqytetin, Kievin, në ditët e para të luftës. Zyrtarët ukrainas raportojnë bombardime masive ruse mbi qytete dhe qyteza në të gjithë rajonin.
Në qytetin lindor të Chasiv Yar, kreu i administratës ushtarake rajonale të Donetsk tha se numri i njerëzve të vrarë në një sulm ajror gjatë fundjavës, në një bllok apartamentesh, ishte rritur në 45.
Zyrtarët ukrainas i quajtën bombardimet “një krim lufte” dhe pjesë e sulmit të pamëshirshëm të forcave ruse në zonat civile. Moska mohon se ka vënë në shënjestër civilët, pavarësisht provave me video dhe shkatërrimit të gjerë të qyteteve të Ukrainës që nga pushtimi i vendit më 24 shkurt.
Ukraina ka thënë se forcat ruse po përdorin granatimet si një përgatitje për një ofensivë të re tokësore në provincën Donetsk, veçanërisht në zonat Bakhmut dhe Siversky dhe rreth Slovyansk dhe Kramatorsk.
Ministria britanike e Mbrojtjes në konferencën e saj të përditshme të inteligjencës tha se trupat e Kremlinit po i afroheshin qyteteve Siversky dhe Dolyna, me zonat urbane të Slovyansk dhe Kramatorsk, që janë “objektivat kryesore për këtë fazë të operacionit”.
Inteligjenca britanike tha gjithashtu se ndjenjat anti-ruse në pjesët e pushtuara të Ukrainës kanë bërë që zyrtarët rusë dhe pro-rusë të jenë në shënjestër, duke vënë në dukje se administrata e emëruar nga Rusia në Velykiy Burluk pranoi se një nga kryetarët e saj u vra më 11 korrik nga një bombë e vënë në makinë.