Autoritetet ruse kanë nisur një çështje penale kundër politikanit të opozitës ruse Ilya Yashin për gjoja përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse, tha avokati i tij më 12 korrik.
Vadim Prokhorov tha në Facebook se kishte marrë një telefonatë nga një hetues dhe tha se shtëpia e Yashin ishte duke u kontrolluar.
Rasti është iniciuar nga Komiteti Hetimor Rus, sipas Prokhorov.
Yashin u akuzua sipas një ligji të ri që e bën krim përhapjen e informacionit të rremë rreth ushtrisë, tha Prokhorov. Ai përballet me një dënim deri në 10 vjet burg.
Një avokat tjetër, Mikhail Biryukov, citohet nga organizata mbikqyrëse OVD-Info të ketë thënë se çështja u nis gjatë transmetimit të Yashin në YouTube më 7 prill, në të cilin ai foli për vrasjen e civilëve në Bucha afër Kievit. Yashin fajësoi ushtarët rusë për kryerjen e vrasjeve dhe citoi nga një video e BBC-së e filmuar në Bucha.
Yashin aktualisht po vuan një dënim me 15 ditë burg që mori në qershor për mosbindje ndaj policisë, një akuzë që ai dhe mbështetësit e tij e mohuan. Ai do të lirohej më 13 korrik.
Yashin, 39 vjeç, është një kritik i hapur i Kremlinit dhe një nga të paktët politikanë të shquar të opozitës ende në Rusi pas një vale represioni kundër mbështetësve të liderit të burgosur të opozitës, Aleksei Navalny, dhe njerëzve që kanë folur kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Ai është gjobitur katër herë në javët e fundit me akuzën e diskreditimit të ushtrisë ruse për kundërshtimin e tij të hapur ndaj luftës në Ukrainë.
Ai tha muajin e kaluar pas arrestimit të tij për akuzën e mosbindjes se nuk përjashtoi që ndaj tij të mund të ngrihej një çështje penale pasi të vuante dënimin e tij me burg.
Yashin tha gjithashtu se autoritetet po përpiqen ta detyrojnë atë të largohet nga Rusia, gjë që ai refuzon ta bëjë.
Navalny, i cili është i burgosur që nga janari i vitit të kaluar, shkroi javën e kaluar në Telegram se kishte frikë për fatin e Yashin.
“Tani ai është në qeli i arrestuar për 15 ditë. Por ky arrestim duket si një situatë klasike kur burgosin për një kohë të shkurtër, në mënyrë që gjatë kësaj kohe të bëjnë dokumente dhe të burgosin për një kohë të gjatë”, tha Navalny. /RFE

Kongresisti Wilson: Serbia të ndalë kërcënimet ndaj Kosovës dhe të shkëputet nga Moska
Nga nëntori, rusët, kinezët dhe turqit do të kenë nevojë për viza për të hyrë në Mal të Zi
FAZ rikthen të kaluarën e Vuçiqit: Nga Varrezat Hebraike të Sarajevës te retorika e “Serbisë së Madhe”
Nëna e njërit prej të rinjve të vrarë në “Panda” paralajmëron padi: Vuçiq e di të vërtetën, shteti serb i vrau fëmijët tanë
Si i rekruton Rusia të huajt për luftën në Ukrainë: Nga ofertat joshëse deri te mashtrimi
Lufta paralizon jugun e Iranit: Errësirë, mungesë karburantesh dhe varka të shkatërruara