
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, tha sot në Bruksel se vendi i saj nuk sheh tërheqje reale nga kufiri me Ukraninën.
“Deklaratat politike janë vetëm një hap nga ai de-përshkallëzim. Por e dini si, që të jemi të bindur në de-përshkallëzimin e deklaruar duhet të shohim lëvizje edhe në terren. Kjo është ajo që e presim dhe shpresojmë se në periudhën në vijim do ta shohim”, deklaroi ministrja për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA, përcjell The Geopost.
Petrovska mori pjesë në mbledhjen e sotme të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel për të rikonfirmuar vendosmërinë për mbrojtje të vendeve anëtare dhe mbrojtjes kolektive si dhe nevojën për dialog për zgjidhjen e krizës në dhe rreth Ukrainës,
“Japim shansin e fundit të dialogut, zgjidhjes diplomatike. Si Aleancë dhe si ministra kemi për obligim ta mbrojmë integritetin territorial dhe sigurinë e të gjitha vendeve anëtare të Aleancës”, tha ministrja Petrovska.
Sa i përket sigurisë në Maqedoninë e Veriut, sipas saj, situata është nën kontroll dhe stabile.
“Në këtë moment nuk ekzistojnë kërcënime reale për sigurinë e shtetit tonë. Ajo është stabile, institucionet kuptohet secila në kompetencë të saj janë të gatshme dhe punojnë në atë”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes.
Petrovska ka takuar sot në Bruksel kolegun e saj slloven ministrin Matej Tonin, ministrin e Mbrojtjes të Greqisë Nikollaos Panagiotopulos, ministrin e Mbrojtjes të Bullgarisë Stefan Janev dhe ministrin e Mbrojtjes të Turqisë Hulusi Akar.
Ndryshe, Rusia dje paralajmëroi tërheqjen e një pjese të trupave të saj rreth Ukrainës, por për vendet anëtare të NATO-s këto paralajmërime nuk janë të mjaftueshme.
Javë më parë Petrovska shkaktoi reagimin e Ambasadës Ruse në Shkup me deklaratën e saj se Maqedonia e Veriut do të dërgojë ushtarë në Ukrainë nëse NATO e kërkon një gjë të tillë.