“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi janë të shkëlqyera dhe shembullore, marrëdhëniet e hapjes dhe miqësisë, bashkëpunimi konfidencial ndërshtetëror. Unë e kuptoj këtë vizitë si një mundësi për të forcuar besimin tonë dhe për të dërguar një mesazh se marrëdhënie të tilla janë të mundshme në Ballkanin Perëndimor dhe se ne duhet t’i pranojmë ato si një trashëgimi të përbashkët”, tha presidenti malazez Milo Gjukanoviq, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Kosovë, me ftesë të presidentes Vjosa Osmani Sadriu. Ai tha gjithashtu se Mali i Zi mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE). Presidentja Osmani theksoi se populli i Kosovës e vlerëson kontributin e Malit të Zi në njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se dy vendet kanë, siç tha ajo, një rol kyç në ndalimin e synimeve të liga të Rusisë.
“Presidenti Gjukanoviq, përveç që e dëshmoi veten si aleat i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, është edhe mik i përkushtuar i popullit tonë, për çka dua ta falënderoj sërish sot. Populli i Kosovës vlerëson shumë kontributin tuaj të rëndësishëm në njohjen e pavarësisë sonë dhe përkushtimin për të punuar së bashku për të luftuar ndikimet dashakeqe dhe të dëmshme në rajonin tonë nga faktorë të tjerë”, tha Osmani në një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Kjo vizitë e presidentit Gjukanoviq, përveçse historike për sa i përket marrëdhënieve tona dypalëshe, po ndodh edhe në një moment të rëndësishëm për kontinentin tonë dhe rrjedhimisht edhe për Ballkanin Perëndimor. Si dy shtete demokratike dhe liridashëse, është e rëndësishme që të qëndrojmë krah për krah përballë agresionit rus dhe tendencave destabilizuese të satelitëve rusë këtu në rajonin tonë”, theksoi Osmani.
Ajo gjithashtu theksoi se Mali i Zi është shembull i qartë sesi anëtarësimi në NATO ka shërbyer vetëm për forcimin e sigurisë së rajonit dhe se anëtarësimi i Kosovës duhet parë si një kontribut për stabilitet dhe siguri më të madhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Jam i bindur se kjo vizitë do të rezonojë me forcimin e bashkëpunimit tonë dypalësh drejt përmbushjes së qëllimeve tona të përbashkëta. Uroj që kjo vizitë të shërbejë si dëshmi e përkushtimit tonë të palëkundur për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor. Dy vendet tona kanë një rol kyç dhe janë në thelb të ndalimit të synimeve të liga të Rusisë, të cilat synojnë të shkatërrojnë arritjet tona të përbashkëta në rrugën tonë euroatlantike”, tha Vjosa Osmani.
Presidenti i Malit të Zi tha se Mali i Zi mirëpret faktin që Kosova është e fokusuar në të njëjtat synime strategjike si Mali i Zi, për të monitoruar zhvillimet në zgjidhjen e çështjeve kyçe me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë periudhë dhe për të mbështetur normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.
“Ne mbështesim dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Është e rëndësishme të jemi këmbëngulës në atë proces politik, sepse kjo çështje ka të bëjë me stabilitetin e rajonit”, tha Gjukanoviq.
Ai theksoi se Mali i Zi është stabil në rrugën euroatlantike dhe evropiane dhe se zgjidhja më e mirë e mundshme për vendet e këtij rajoni është sistemi evropian i vlerave, që i përket BE-së dhe NATO-s.
“Ne besojmë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të ishte një investim i shkëlqyer gjeopolitik i BE-së në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e saj. Ne besojmë se, për fat të keq, një tragjedi e rëndë që po vazhdon ende në Ukrainë ishte arsyeja që të gjithë ne në Evropë të kuptojmë se në Ukrainë nuk sulmohen vetëm pavarësia dhe liria në zgjedhjen e së ardhmes së Ukrainës, por edhe siguria evropiane dhe evropiane. Ne do të duhet të mësojmë nga ajo përvojë kur bëhet fjalë për Evropën në tërësi, por mbi të gjitha kur bëhet fjalë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”, tha Gjukanoviq.
Ai përkujtoi se Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008. Dhe se pas kësaj është i qartë qëndrimi i Malit të Zi për nevojën dhe synimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave evropiane dhe integrimeve.
Duke komentuar interesimin e Kosovës për anëtarësim në disa organizata ndërkombëtare, siç është Këshilli i Evropës, Gjukanoviq tha se e kupton se çdo anëtarësim i ri në Këshillin e Evropës është një ndihmë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe Evropën.
Gjukanoviq: Demarkacioni është problematik vetëm për ata që duan probleme
Në një konferencë për media në Prishtinë, presidenti malazez Milo Gjukukanoviq ka folur edhe për demarkacionin mes Malit të Zi dhe Kosovës.
“Ne kemi diskutuar edhe për çështjen e kufirit, kemi një marrëveshje të nënshkruar në 2015 në Vjenë, kemi edhe një deklaratë të përbashkët të dy presidentëve të nënshkruar në Podgoricë në vitin 2018, ku specifikohet mundësia e një komisioni të përbashkët për të shënuar kufirin, pasi që marrëveshja për kufirin është verifikuar në të dy parlamentet. Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për ata që duan probleme. Megjithatë, si dy vende mike, jam plotësisht i sigurt se do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacionin do të krijojmë kushte për ato korrigjime të nevojshme për të cilat jemi dakord, të cilat do të kontribuojnë në kufijtë logjik, ashtu siç duhet të jenë dhe në asnjë mënyrë të mos jetë burim për keqkuptime dhe prishje të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve”, theksoi Gjukanoviq./The Geopost