Një gjykatë në Moskë ka nisur procedurat e falimentimit kundër entitetit rus të Radios Evropa e Lirë – RFE/RL LLC.
Autoritetet lokale në Rusi kanë nisur këtë proces një vit më parë, dhe për pasojë kompania ka pezulluar operacionet në këtë shtet.
Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë është regjistruar në Rusi si RFE/RL LLC më 2020, pas vendimit të autoriteteve ruse për të miratuar ligjin kontrovers për “agjentët e huaj”.
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një ligj që lejon autoritetet ruse të etiketojnë subjektet dhe individët me përkufizimin e “agjentit të huaj”.
Putin nënshkruan një ligj më të ashpër për ‘agjentët e huaj’
Sipas Gjykatës ruse, RFE/RL LLC ka një borxh në taksa prej 112.000 dollarëve amerikanë për vitin 2021.
Rregullatorët e mediave në Rusi i kanë kërkuar Radios Evropa e Lirë dhe disa mediave tjera ndërkombëtare që konsiderohen “agjentë të huaj”, që të deklarohen si të tilla edhe para audiencës dhe një shprehje të tillë ta paraqesin në të gjitha materialet që publikojnë.
Autoritetet po ashtu kanë miratuar një ligj të ri, më 5 mars të këtij viti, që parasheh dënime me burgim në deri 15 vjet për njerëzit që përhapin “lajme të rreme” për ushtrinë ruse, në kohën kur Moska ka nisur pushtimin e Ukrainës.
Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka vepruar në përputhje me këto vendime dhe prej vitit të kaluar ka pranuar mijëra gjoba administrative në vlerë të gati 16 milionë dollarëve.
Nisja e procedurave të falimentimit është nxitur pasi RFE/RL LLC nuk ka arritur të paguajë taksat, meqë llogaritë bankare i janë bllokuar nga përmbaruesit vitin e kaluar.
Radio Evropa e Lirë e konsideron ligjin për agjentë të huaj si shprehje e censurës politike, që nuk i lejon gazetarët të kryejnë punët e tyre.
Radio Evropa e Lirë e ka apeluar vendimin e autoriteteve ruse në gjykata ruse dhe Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut në Strasburg.
Shumë gazetarë dhe media ndërkombëtare kanë shprehur mbështetje për Radion Evropa e Lirë dhe lirinë e shprehjes në Rusi.
Në mars të këtij viti, Radio Evropa e Lirë e ka mbyllur byronë e saj në Moskë, pas 30 vjetësh shërbimi atje.
Rreth 27 gazetarë që kontribuojnë në programet e kësaj kompanie, aktualisht janë në listë të agjentëve të huaj.
Disa faqe të internetit të Radios Evropa e Lirë, janë tashmë të bllokuara në Rusi.
Pavarësisht kësaj, popullariteti i Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, vazhdon të jetë i lartë.
Në muajin mars – disa ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë – më shumë se 18 milionë njerëz kanë vizituar faqet e REL-it në gjuhën ruse.
Prej muajit janar janë regjistruar mbi 100 milionë klikime në këto faqe./REL