Që nga ndërhyrja e Agjencisë së Kërkimeve të Inteligjencës të Rusisë (IRA) në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 e deri te një operacion hakerimi dhe zbulimi që cak e kishte presidentin francez Emanuel Makron (Emmanuel Macron), dizajni dhe koha e të cilit treguan një vendosmëri për të prishur zgjedhjet, disa përpjekje spektakolare për ndërhyrje në zgjedhje janë bërë titujt kryesorë të mediave në vitet e fundit.
Në prag të zgjedhjeve federale gjermane dhe në prag të zgjedhjeve presidenciale franceze, në një epokë ku dezinformimi është bërë një strategji e zakonshme politike, Nikollas Henin, një studiues i jashtëm i EU DisinfoLab fokusohet në rastet e verifikuara të ndërhyrjeve të huaja gjatë zgjedhjeve e ku përfshihet dezinformimi.
Zakonisht bëhet një dallim midis aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë. Për sa i përket kësaj të fundit, ekziston një nuancë midis aktorëve vërtet joshtetërorë dhe aktorëve që mund të përshkruhen si "nënshtetëror" ose "parashtetëror", domethënë që nuk varen strukturalisht nga një shtet, por kanë interesa shumë të afërta dhe ose janë të lidhur me të ose veprojnë si përfaqësues të tij.
Në këtë kategori bën pjesë përpjekja për ndërhyrje zgjedhore e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA dhe operacionet klandestine të kryera nga Jevgeni Prigozhin (Yevgeny Prigozhin), një biznesmen kontraverz rus i afërt me presidentin Vlladimir Putin.
Henin shpjegon se jo të gjitha ndërhyrjet në zgjedhje vijnë nga jashtë. Në raportin e fundit të publikuar nga Facebook-u për asetet e larguara për sjellje të koordinuar joautentike (CIB), shumë prej tyre kanë të bëjnë me dezinformimin politik rreth "ngjarjeve të rëndësishme civile sikurse zgjedhjet" që shpesh kanë origjinën në vendin që është cak i ndërhyrjes, duke sugjeruar se dezinformimi në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve më 2020 ishin gjerësisht një çështje e brendshme.
Një standard i mirë për të vlerësuar shkallën e publicitetit të ndërhyrjeve të huaja në zgjedhje, ofrohet nga Departamenti Australian i Punëve të Brendshme, i cili merr në konsideratë “influencën e huaj” dhe “ndërhyrjen e huaj”;. E para përbëhet nga aktivitete të hapura dhe transparente të kryera nga qeveritë për të ndikuar në çështje të caktuara. Një shembull është thirrja e Presidentit Erdogan për qytetarët gjermanë me origjinë turke që të mos votojnë për koalicionin e udhëhequr nga kancelarja Merkel gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, duke etiketuar tre partitë kryesore politike të Gjermanisë si "armiq të Turqisë".
Ndërhyrja e huaj nga ana tjetër përfshin "aktivitete që shkojnë përtej ndikimit të rutinës diplomatike që praktikohet nga qeveritë, që mund të ndodhin të izoluara ose krahas aktiviteteve të spiunazhit", sic është paraqitur në një raport të Parlamentit Evropian të vitit 2020. Ky përkufizim tërheq një vijë midis disa strategjive të dukshme të pushtetit të butë, p.sh. duke bërë deklarata të hapura mbështetjeje për një parti, dhe ndërhyrje, p.sh. ngatërrimi i autenticitetit të debatit demokratik, duke u mbështetur në aktorë ose përfaqësues të fshehur, duke u sjellë në mënyrë joautentike dhe duke përhapur materiale të fabrikuara.
Një rezolutë e Parlamentit Evropian e vitit 2019 përcaktoi nocionin e ndërhyrjes së huaj në zgjedhje si pjesë e një strategjie më të gjerë të luftës hibride që prek të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në formimin e një qeverie. Prandaj, kjo është një çështje komplekse, me shumë palë, e cila
duhet të trajtohet përmes kornizave të kundër-dezinformimit, sigurisë dhe politikës së
jashtme.