Mijëra njerëz nga Bosnja dhe jashtë saj u mblodhën në Srebrenicë të enjten për ritualin vjetor të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, të cilin zyrtarët serbë vazhdojnë ta mohojnë, duke nxitur tensione etnike dhe përçarje të thella brenda shtetit të shkatërruar nga lufta.
Njëzet e nëntë vjet pasi u vranë në gjenocidin e vetëm të njohur të Evropës që nga Holokausti, trupat e 13 burrave dhe një djali adoleshent u varrosën të enjten në një varrezë përkujtimore të madhe dhe gjithnjë në zgjerim, jashtë Srebrenicës, në Bosnjën lindore. Ata i bashkohen më shumë se 6600 viktimave të masakrës, tashmë të rivarrosur atje.
Ajla Efendic varrosi dy xhaxhallarët e saj të enjten.
“Dy burra të moshuar që nuk mbanin armë, dy burra të pambrojtur,” tha ajo. “Gjyshi im, pensionist, i cili nuk përbënte asnjë rrezik për askënd është vrarë gjithashtu. Trupi i tij u gjet në një varr masiv.”
Më shumë se 8,000 myslimanë boshnjakë vlerësohet të jenë vrarë në sulmin me të shtëna nga ushtria dhe policia serbe e Bosnjës gjatë disa ditëve në korrik të vitit 1995.
Të afërmit e viktimave mund të varrosin vetëm pjesërisht eshtrat e të dashurve të tyre pasi ato zakonisht gjenden të shpërndara mbi disa varre masive të ndryshme, ndonjëherë kilometra larg njëra-tjetrës.
Vrasjet e Srebrenicës ishin kreshendo e përgjakshme e luftës së Bosnjës 1992-1995, e cila erdhi pas shpërbërjes së Jugosllavisë që nxori pasionet nacionaliste dhe ambiciet territoriale që i vendosën serbët e Bosnjës kundër dy popullsive të tjera kryesore etnike të vendit – kroatëve dhe boshnjakëve, të cilët janë kryesisht myslimanë.
Përkujtimi i së enjtes erdhi vetëm disa javë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për të caktuar 11 korrikun çdo vit si një ditë ndërkombëtare të reflektimit dhe përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës më 1995. Serbia dhe serbët e Bosnjës e kundërshtuan fuqimisht miratimin e tij, duke pretenduar gabimisht se ai i portretizon të gjithë serbët si “popull gjenocidal”.
Udhëheqësit serbë këmbëngulin se masakra nuk është gjenocid, por një “krim i tmerrshëm”. Ata gjithashtu kanë minimizuar numrin e të vrarëve.
“Gjenocidi në Srebrenicë nuk ndodhi dhe nëse do të ndodhte, nuk do të kishte nevojë të imponohej vazhdimisht kjo temë,” ka thënë vazhdimisht presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Hamdija Fejzic, tha se mohimi i gjenocidit duhet të ndalet.
“Për plot 29 vjet, politika e mbulimit dhe mohimit të gjenocidit u krye nga ato forca që projektuan dhe planifikuan gjenocidin dhe që për vite me radhë u dhanë strehim të dyshuarve dhe të akuzuarve për krimet më të rënda të luftës,” tha ai në tubimi e së enjtes.
Në një artikull op-ed në median boshnjake, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se “Srebrenica mbetet një plagë e thellë në historinë e Evropës”.
“Dështimi për të parandaluar këtë gjenocid është një barrë që ne vazhdojmë ta mbajmë”, shkroi ai. “Si Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kanë vendosur në mënyrë të padiskutueshme se ky krim është gjenocid”.
“Ne premtuam se nuk do t’i harronim kurrë — as viktimat, as dhimbjen e qëndrueshme të familjeve dhe të dashurve të tyre,” shtoi ai. “Kujtesa e tyre na shtyn të punojmë çdo ditë për të siguruar që historia të mos përsëritet, në një botë ku paqja duket gjithnjë e më e brishtë.”
Më 11 korrik 1995, serbët e Bosnjës pushtuan një zonë të sigurt të mbrojtur nga Kombet e Bashkuara në Srebrenicë. Ata ndanë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë nga gratë, nënat dhe motrat e tyre dhe u masakruan. Ata që u përpoqën të arratiseshin u ndoqën nëpër pyje dhe mbi malet përreth qytetit fatkeq.
Autorët më pas i hodhën trupat e viktimave të tyre në varre masive të bëra me nxitim, të cilat më vonë i gërmuan me buldozerë, duke i shpërndarë mbetjet midis vendeve të tjera të varrimit për të fshehur provat e krimeve të tyre të luftës.
Udhëheqësi politik serb i Bosnjës gjatë kohës së luftës RadovanKaraxhiç dhe komandanti i tij ushtarak Ratko Mlladiç u dënuan të dy për gjenocid në Srebrenicë nga një gjykatë speciale e OKB-së për krimet e luftës në Hagë. Në përgjithësi, gjykata dhe gjykatat në Ballkan kanë dënuar afër 50 zyrtarë serbë të Bosnjës të kohës së luftës me më shumë se 700 vjet burg për vrasjet e Srebrenicës.
Megjithatë, shumica e zyrtarëve serbë në Serbi dhe Bosnjë ende i madhërojnë Karaxhiqin dhe Mooadiqin si heronj kombëtarë. Ata vazhdojnë të minimizojnë apo madje mohojnë vrasjet e Srebrenicës dhe të ofendojnë viktimat dhe të mbijetuarit e masakrës.