Ditë më parë, dy zyrtar të lartë të Listës Serbe patën një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Sllavko Simiq e Igor Simiq patën rastin ta takonin Përfaqësuesin Special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Dy Simiqët e njoftuan diplomatin Escobar për qëndrimin e Listës Serbe mbi rrethanat e krijuara në veri të Kosovës, ku pakica serbe është e përqendruar, dhe për situatën politike dhe të sigurisë. Mirëpo, për qëndrimet e Listës Serbe, në një intervistë për Zërin e Amerikës është deklaruar nënkryetari Igor Simiq. Në këtë intervistë Simiq nxjerr edhe mungesën e vullnetit të Listës Serbe për de-përshkallëzimin e situatës, e kjo vërehet me fjalë e figurë.
Që në nisje të intervistës nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq i kërkohet të jap vlerësimin e tij për situatën, ndërsa ai e nis me cilësimin se kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri të vendit janë “kryetar ilegal”, ndërsa gazetari i kundërpërgjigjët, “si ilegal? ndoshta jo legjitim, por jo edhe ilegal!”. Pavarësisht kësaj tërheqje të vëmendjes, Simiq arsyetohet me “mendoj se janë ilegal nga se anëtarët e Komisioneve Zgjedhore janë kushërinj të kryetarëve”. Më pastaj ai përmend rregulloret e KQZ-së. Mirëpo, assesi nuk përmend faktin se mbiemrat e njëjtë nuk determinojnë afërsinë fare-fisnore. Kjo “parregullsi” nuk është përmendur nga asnjë mekanizëm, vendor apo ndërkombëtar pas procesit zgjedhor.
Në pyetjen se, cili do të jetë kontributi i Listës Serbe që mos të vije deri te situatat të cilat ishin, Simiq nuk përgjigjet në këtë, por fletë për kushtet të cilat duhet t’i plotësojë pala tjetër. Gazetari thotë se kjo është e qartë dhe se Qeveria e Kosovës e di këtë. Simiq vazhdon të mos përgjigjet për kontributin e Listës Serbe në paqtimin e situatës, por thotë se “duhet të krijohen kushtet për zgjedhje. Nëse kemi situata ku me mijëra njerëz sot nuk jetojnë në veri të Kosovës, nga se janë në lista të fshehta për arrestim, mes tyre doktor, profesor, personalitete publike, njerëz me integritet për bashkësinë”. Gazetarit të Zërit të Amerikës i duhet të intervenojë. “Duhet këtë ta marrim pak me rezervë, nga se nuk është e lehtë të vërtetohet, nga se këto janë vetëm fjalët e tua, kundrejt meje që nuk kam dije për këtë – veç se po dëgjojë…”. Pasi për këtë nuk ka fakte veç propagandon, si kundër shpjegim thotë se EULEX ka dal me qëndrim e kërkesë që mos të ketë arrestime arbitrare të Serbëve. Gazetari në mënyrë të drejtpërdrejt ia sulmon propagandën mysafirit të tij nga Lista Serbe. “Mirëpo, nuk folën për lista”, shton gazetari, dhe insiston të di nëse është e mjaftueshme veç të shprehet vullneti se Lista Serbe është gatshme për paqe, pa përgjigje konkrete nëse ata do të marrin pjesë në zgjedhje, edhe pse është parakusht për de-përshkallëzim sipas BE? Simiq pas një blloku shpjegues e arsyetues thotë se “të flasësh për zgjedhjet, si ndonjë pilulë magjike që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura, është vërtetë e papërgjegjshme”. Në insistimin e gazetarit se pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje po ua kërkon SHBA-a, BE-ja, dhe ata më të cilët kishin folur në Uashington. Simiq e do largimin e policisë, de-përshkallëzimin por nuk e sheh si obligim pjesëmarrjen në procesin zgjedhor. Nëse ua kanë prezantuar këtë qëndrim bashkëbiseduesve në Uashington, Simiq thotë se “po, dhe ne kemi hasur në një mirëkuptim të madh të një qëndrimi të tillë. Dallimi i vetëm është se tek ata ka shpresë se do të ndodh de-përshkallëzimi, ndërsa unë si njeri që jetojë në Kosovë nuk e shoh atë de-përshkallëzim”.
Në lidhje me atë se, si parti politike serbe në Kosovë, a mund të ketë një vendim për pjesëmarrje në proces zgjedhor, pavarësisht nga Beogradi, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq provon të sqarojë se vendimet e deritanishme kanë qenë të popullit paraprakisht. “… vendimi i popullit serb, jo vendimi i marrë në Beograd. Bojkoti i zgjedhjeve, të cilat u organizuan kundër vullnetit tonë, ishte edhe vendim i popullit serb. Beogradi nuk kishte asnjë ndikim në atë vendim. Ju kujtoj se Lista Serbe më shumë se dhjetë herë ka dashur të largohet nga institucionet e Kosovës dhe të tërheqë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar për faktin se të drejtat tona themelore të njeriut po kërcënohen. Me kërkesë të Beogradit zyrtar, ne nuk e bëmë këtë, ne donim t’i jepnim një shans paqes”. Kur gazetari i kujton Simiqit se ndërkombëtarët, pra ata në Uashington por edhe ne BE, po thonë që Beogradi nuk duhet të përzihet në ato zgjedhje të cilat do të duhej të organizoheshin në vjesht. Simiq prapë i kundërvihet vetës së tij. “Serbët në Kosovë nuk do të mbijetonin në hapësirën e Kosovës po mos ta kishin Beogradin. Pagat, pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale, financimi i shkollave e spitaleve. Asgjë nga këto nuk do të ishte e mundshme. Mbijetesa e drejtpërdrejt e popullit varet nga Beogradi”. Avazi i njëjtë i kundërthënieve.
I pyetur për 45 policët e rinj të komunitetit serb të angazhuar në Policinë e Kosovës, ndaj të cilëve pati një fushatë frikësimi, Simiq provon të shpjegoj diçka vetëm pas insistimit të disahershëm të gazetarit. “Fushata për të cilën flisni, është faktikisht, sa kam mundur të gjejë burimet, një mesazh i cili është publikuar në rrjetin social Telegram, nga ana e një personi anonim”, sqaron nënkryetari i Listës Serbe, Igor Smiq. Ky sqarim edhe gazetarit të Zërit të Amerikës i duket banal. “Prisni, vetëm një moment, në rregull. Por shkaktoi reagimin e EULEX, ambasadorit amerikan, mos i banalizoni gjërat tani, një mesazh në Telegram?”, reagon gazetari. Simiq thotë se Lista Serbe nuk ka dhënë ndonjë kontribut në këtë fushatë. Simiq insiston të mos e konsideroj fushatë frikësimi, por një mesazh në Telegram, por që ishte e fuqishme.
Kur Simiq pyetet se a dihet kush ishin personat e maskuar që rrahën ushtarët e KFOR-it dhe a mund të ndihmojë Lista Serbe, në frymën e mirë që dëshironi të ndërtoni, që autorët e dhunës të japin llogari para ligjit? Ai provon prapë të mos përgjigjet por i thurë elozhe paqes si literaturë por jo edhe si praktikë. “Ne besojmë se institucionet, Kosovare dhe ndërkombëtare, duhet të kuptojnë se është e nevojshme të ruhet paqja. Unë nuk mund të identifikoj njerëzit, nuk jam oficer policie – nuk kam të drejtë ta bëj këtë. Lista Serbe mund të bëjë atë që ka bërë që nga ajo ditë – të bisedojë me qytetarët dhe të shpjegojë se është e nevojshme të ruhet paqja. Në të njëjtën kohë, Prishtina nuk mund të arrestojë serbët në mënyrë arbitrare, duke lënë të kuptohet se ata kanë kryer akte të dhunshme. Kjo duhet të vërtetohet nga gjykata”. Në asnjë mënyrë nuk pranon të flasë për kontributin e drejtpërdrejt të partisë së tij në ngjarjet e eskalimit të dhunës në katër komunat e veriut të Kosovës.
Intervista ishte shpjegimi sesi edhe në Uashington përfaqësuesit e Listës Serbe nuk janë të vullnetshëm të ketë de-përshkallëzim e vendosje të rendit e ligjit në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut, veç tentim maksimal që të propagandohet edhe atëherë kur kishte kundërthënie të atypëratyshme. /TheGeopost.