
Kosova ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit të kaluar, sipas raportit më të ri të International Transparency, të publikuar të martën më 25 janar. Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK) 2021, Kosova ka marrë 39 nga 100 pikë të mundshme, është renditur në vendin 87 të listës së Transparency International dhe 17 vende më lartë krahasuar me vitin e kaluar.
Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare e përshëndetën progresin në luftën kundër korrupcionit në Kosovë të raportuar nga International Transparency. “Përgëzoj Kosovën që u ngjit me 17 vende më lartë në krahasim me vitin e kaluar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Shumë punë na pret. Bashkimi Evropian e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, ka shkruar në Twitter shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomash Sunjog.
IPK bën vlerësimin e korrupsionit në nivel global dhe është nder raportet më kredibile në botë. Ai mat se sa i korruptuar perceptohet të jetë sektori publik i çdo vendi, sipas ekspertëve dhe biznesmenëve. IPK-ja e këtij viti zbulon se nivelet e korrupsionit janë në një stagmnim të gjithëmbarshëm. Ky raport rendit 180 vende dhe territore anembanë botës sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik. Rezultatet jepen në një shkallë nga 0 (shumë e korruptuar) deri në 100 (shumë e pastër).
Progresin e Kosovës e përshëndeti edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde. “Vërtet lajm i mirë! Kosova bën përparim të dukshëm në luftimin e korrupsionit! Në indeksin Antikorrupsion të TI-së Kosova është përmirësuar me 17 vende. Tani renditet në vendin e 87. Inkurajuese. Kosova më në fund fillon të “jap rezultate” në luftimin serioz të korrupsionit. Vazhdoni kështu! Kosova e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Ambasada franceze në Kosovë e vlerësoi gjithashtu progresin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit. “Lajme te mira. Kosova shënon progres duke u ngritur 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në indeksin e perceptimit të korrupsionit”, shkruan ambasada.
Këtë vit Kosova është mes demokracive që kanë shënuar përmirësim. Sipas IPK Kosova ka pasur një tranzicion paqësor të pushtetit mes qeverive gjatë viteve të fundit. Parlamenti i Kosovës ishte i vetmi në Ballkanin Perëndimor – dhe një nga vetëm pesë në Evropë – që nuk i transferoi pushtetet vendimmarrëse ekzekutivit kur u godit nga pandemia. Vendi tregoi një vullnet të vërtetë për të luftuar korrupsionin duke hetuar udhëheqësit e mundshëm të korruptuar dhe duke miratuar një strategji për sundimin e ligjit. Megjithatë, qeveria duhet të sigurojë që emërimet publike të bëhen me kohë, në mënyrë transparente dhe të paanshme për të sjellë përmirësimet e nevojshme në proceset e prokurimit publik.
Rezultati është i mirëpritur edhe nga liderët e Kosovës. “Lufta jonë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional po jep fryte. Kosova ka përmirësuar pozitën e saj me 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, nga 104 në 87. I kënaqur me këtë vlerësim të organizatave kredibile. Puna jonë vazhdon, derisa të afrohemi në krye të listës”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Twitter.
“Para një viti premtuam që luftimi i korrupsionit do të ishte një prej prioriteteve kryesore të institucioneve të reja. Sot, ky premtim po sheh rezultatet e para jashtëzakonisht premtuese. Hap pas hapi, drejt çrrënjosjes së korrupsionit,” ka komentuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Këtë vit, mesatarja globale mbetet e pandryshuar për të dhjetin vit radhazi, në vetëm 43 nga 100 pikë të mundshme. Pavarësisht angazhimeve të shumta, 131 vende nuk kanë bërë asnjë përparim të rëndësishëm kundër korrupsionit në dekadën e fundit. Dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50 pikë, gjë që tregon se kanë probleme serioze me korrupsionin, ndërsa 27 vende janë në pikën më të ulët ndonjëherë.
“Në kontekste autoritare ku kontrolli u takon disave, lëvizjet sociale janë kontrolli i fundit i mbetur mbi pushtetin. Është pushteti kolektiv i mbajtur nga njerëzit e zakonshëm nga të gjitha sferat e jetës që në fund do të japë llogaridhënie”, tha Daniel Erikson, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të Transparency International.
IPK e rendit Serbinë në vendin e 96-të nga 180 vende dhe territore, me 38 pikë, të regjistruara për të dytin vit radhazi, që është edhe më e ulëta deri tani.
Serbia nuk ka bërë asnjë përparim dhe me 38 pikë si vitet e mëparshme, mbetet në rezultatin më të ulët që nga viti 2012. Raporti kujton se Serbia nuk konsiderohet më një demokraci, por një regjim hibrid. Qeveria është bërë e njohur për ndikimin e saj të fortë në media, duke sulmuar kritikët e pavarur dhe duke mbajtur zgjedhje të padrejta.
Mungesa e transparencës së qeverisë për investimet e huaja të rëndësishme është një shqetësim i përhapur, i reflektuar në një valë të fundit protestash publike kundër një projekti të diskutueshëm të kërkimit të litiumit.
Raporti i IPK thekson se në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, e cila ka një indeks prej 38 pikësh, përqendrimi i pushtetit në liderët autokratë dhe partitë e tyre ka minuar pavarësinë e gjyqësorit, gjë që ndihmon në ruajtjen e kapjes së shtetit.
Qeveritë autoritare thuhet se kanë spiunuar, ngacmuar dhe sulmuar aktivistë, gazetarë, liderë të opozitës dhe qytetarë të thjeshtë në të gjithë Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi ka një indeks 46, Maqedonia e Veriut dhe Kosova 39, Bosnja dhe Hercegovina dhe Shqipëria 35. Sllovenia është e 41-ta në listë me indeks 57 dhe Kroacia është e 63-ta me indeks prej 47 pikësh.