Në Evropë nuk ka vend për mohimin e gjenocidit, revizionizmit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian në lidhje me urdhrin e dhënë nga Kisha Ortodokse Serbe për të dënuarin e Hagës Vojisllav Sheshel, transmeton Zëri i Amerikës.
“Qëndrimi ynë është i qartë. Përpjekjet për të rishkruar historinë janë të papranueshme”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian Ana Pisonero Hernandez në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.
Liderët fetarë dhe komunitetet kanë përgjegjësinë për të treguar lidership në tejkalimin e trashëgimisë së vështirë të së kaluarës dhe për të nxitur në mënyrë konstruktive besimin reciprok, dialogun dhe tolerancën, të nevojshme për stabilitet, një të ardhme paqësore dhe përparim, thekson Pisonero.
Shesheli shkoi në Tribunalin e Hagës në vitin 2003, i akuzuar për nxitje të krimeve kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në territorin e Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë.
Në aktakuzë thuhej se me fjalime dhe deklarata ka kontribuar në vendimin e autorëve për kryerjen e krimeve.
Në vitin 2018, Këshilli i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, pasardhësin e Tribunalit të Hagës, Sheshelin, e dënoi me 10 vjet burg për nxitje të persekutimit, dëbimit dhe zhvendosjes së detyruar të kroatëve në fshatin Hrtkovci të Vojvodinës në vitin 1992. /N1/