Rusia, ashtu edhe Kina, formalisht dhe metaforikisht, e shohin Serbinë si partneren e tyre strategjike dhe platformën kryesore të ndikimit në Ballkan, prandaj eksperti amerikan për politikë ndërkombëtare, Edward P. Joseph, thotë se “anëtarësimi i Serbisë në NATO do të ishte ekuivalenti ballkanik i fundosjes së ‘Moskva’-s.”
Sipas tij, Serbia është anija luftarake përmes së cilës Rusia projekton ndikimin në të gjithë Ballkanin dhe , siç thotë ai, fundosja e saj do të ishte një goditje e madhe si për Rusinë, ashtu edhe për Kinën, transmeton The Geopost.
“Anëtarësimi i Serbisë në NATO do të ishte ekuivalenti ballkanik i fundosjes së ‘Moskva’-s. Pse? Sepse Serbia është ‘Moskva’ e Rusisë në Ballkan. Serbia është anija luftarake përmes së cilës Rusia projekton ndikimin e saj në të gjithë Ballkanin”, ka thënë ligjëruesi në Universitetin Johns Hopkins në SHBA në intervistën për REL, transmeton The Geopost.
Eksperti amerikan për menaxhimin e konflikteve renditi disa arsye që, sipas tij, do ta bënin të vështirë për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq të refuzonte një ofertë të mundshme amerikane – sidomos nëse vjen nga ish-presidenti Donald Trump.
“Së pari, Trump është jashtëzakonisht popullor në Serbi dhe është një figurë shumë imponuese. Për Vuçiqin do të ishte shumë e vështirë t’i thoshte: ‘Jo, nuk pranoj’. Për më tepër, Trump, gjatë mandatit të tij të parë, u përpoq të sillte paqe mes Kosovës dhe Serbisë – pra, kjo nuk do të ishte diçka e re. Ai e njeh rajonin dhe shpesh thotë se ‘ndaloi një luftë mes Serbisë dhe Kosovës’. Së dyti, Vuçiq është i dobësuar politikisht. Protestat antiqeveritare në Serbi vazhdojnë prej një viti, dhe ai është aq i pasigurt sa nuk guxon të shpallë zgjedhje të reja – gjë të cilën e ka bërë shpesh më pare. Pranimi i një plani të tillë do ta ndryshonte tërësisht situatën e brendshme politike. Protestat nuk do të ishin më në qendër; vëmendja do të kalonte te ky zhvillim historik. Sigurisht, shumë prorusë do ta quanin tradhtar. Por, pjesë të mëdha të opozitës do ta mbështesnin, sepse anëtarësimi në NATO nënkupton më shumë reforma, përparim drejt BE-së dhe fund të politikës së ‘dy karrigeve’”, thotë ai.
Në këtë intervistë, Edward Joseph flet edhe për mundësinë e njohjes së Kosovës nga vende të tjera, e sic thotë ai, Greqia pritet ta njohë vendin sapo të nënshkruhet statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke e lehtësuar më pas rrugën për Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën.
Ai theksoi se këtyre shteteve nuk u kërkohet njohje e menjëhershme, por që të mos e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Sipas tij, brenda tre vjetësh situata në Ballkan mund të ndryshojë rrënjësisht, duke sjellë më pak tensione dhe më shumë bashkëpunim ekonomik e politik në rajon./The Geopost/

Policia serbe përdori fondet e BE-së për të blerë teknologji nga një kompani ruse e sanksionuar
Gjenerali i NATO-s: Aktivitetet e përbashkëta Rusi–Kinë në Arktik rrezikojnë Aleancën
Përdorimi i topit zanor në protestë: Komisioni Evropian kërkon hetim të shpejt dhe transparent nga Serbia
Serbia i lejoi spiunët e Putinit të testojnë “topa zanorë” mbi qen
Serbia, Venezuela evropiane
A po shkon Serbia drejt një Serbo-Maidan-i?