Zyra e Departamentit të Thesarit të SHBA-së për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në koordinim me Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), kanë vendosur dje në listën e sanksioneve 10 individë dhe 18 entitete për shkak të lidhjeve me Rusinë dhe aktiviteteve korruptive dhe kriminale në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia ka vazhduar të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të penguar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe për të shfrytëzuar juridiksionet kyçe për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. “Veprimi i sotëm rikonfirmon përpjekjet më të gjera të Qeverisë së SHBA për të promovuar paqen, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Kush janë të sanksionuarit?
Sergey Samsonenko është një shtetas i dyfishtë i Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe një biznesmen i pasur me banim në Shkup. Sipas njoftimit të Departamentit të Thesarit, midis 2017 dhe 2018, Samsonenko dhe gruaja e tij, Irina Samsonenko, gjithashtu një shtetase e dyfishtë e Rusisë dhe Maqedonisë së Veriut, blenë tokë nga biznesmeni Jordan Kamcev, i cili u vendos në listën e sanksioneve më 19 korrik të vitit 2023 për shkak të përfshirjes në krim të organizuar dhe korrupsion. Kjo blerje bëri përfshiu Samsonenkon në aferën “Parcelat në Vodono“, në të cilin Kamçev dhe nëna e tij Ratka Kunoska Kamçeva u paditën për pastrim parash. Në vitin 2021, Samsonenko bëri pagesa në llogarinë e gruas së tij Irina, e cila më pas ka transferuar para në kompanitë “Kamçev Konsalting Shkup DOOEL” dhe “Orka Fajnans Shkup DOOEL”, të dyja të lidhura me Kamçevën. Në të njëjtën periudhë kohore, sipas Departamentit të Thesarit, paratë e transferuara në këto dy kompani u përdorën për të paguar një kredi të lidhur me “Orka Holding AD”, një kompani poashtu e lidhur me Jordan Kamçev. Përveç kësaj, Samsonenko dhe Irina blenë kompaninë “Sistina Lajf Kear Sentar Shkup DOOEL”, një subjekt tjetër i implikuar në rastin “Parcelat në Vodono”. Kompania “Bet City International DOO Shkup”, një biznes bastesh sportive, është gjysmë në pronësi të Samsonenkos dhe gjysmë në pronësi të “Orka Holding”, drejtor i së cilës është Kamçevi. “Samsonenko, Irina dhe Kamçeva janë caktuar në bazë të E.O. 14033 se ka ndihmuar materialisht, sponsorizuar ose ofruar mbështetje financiare, materiale ose teknologjike, mallra ose shërbime, në mbështetje të Jordan Kamçevit, një personi, prona dhe interesat e pronës së të cilit janë të bllokuara në përputhje me E.O. 14033”, thotë Departamenti Amerikan i Thesarrit. Bashkë me një kompani turke, Kamçev është bashkë-pronar i spitalit të njohur ptivat Acibaden Sistina, me qendër në Shkup.
Biznesmeni nga Mali i Zi, Miodrag “Daka” Davidoviq, është përfshirë në listë për shkak se ka pastruar para për dekada për grupet kriminale, duke forcuar ndikimin e tij dhe duke zhvilluar sipërmarrjen e tij kriminale të kontrabandës së cigareve, naftës dhe armëve në Mal të Zi. “Aktivitetet e tij korruptive i mundësuan përpjekjet e Rusisë të komprometojë pavarësinë e institucioneve demokratike dhe gjyqësorit të vendit, duke përfshirë përpjekjet e saj për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve. Ai ishte gjithashtu i implikuar në skandalin që çoi në arrestimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dragi Rashkovski, një njeri i besuar i ish-kryeministrit, Zoran Zaev. Rashkovski dyshohet se ka marrë ryshfet nga Davidoviq për të pasur një takim me kryeministrin Zaev për të avancuar interesat e biznesit të Davidoviq. Nga viti 1991 deri në 1992, Davidoviq shërbeu si Ministër i Tregtisë në qeverinë e vetëshpallur të serbëve të BiH”, thuhet në njoftim. Për më tepër, Davidoviq është caktuar si përgjegjës ose bashkëpunëtor në, ose është përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në veprime ose politika që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të çdo zone ose shteti në Ballkanin Perëndimor. Ndryshe, Davidoviq arriti të blejë një tokë ndërtimi në Tetovë në vitin 2019, që i përkiste një kompanie shtetërore, të cilën më pas e shndërroi në tokë[ ndërtimore.
Branislav “Brano” Micunovicq përfshihet në listë si një figurë udhëheqëse në krimin e organizuar në Mal të Zi për dekada, që daton që nga epoka e ish-Jugosllavisë. Ai është më i njohur për ndërmarrjen e tij të paligjshme të kontrabandës së cigareve që korruptoi dhe minoi pavarësinë e institucioneve demokratike të Malit të Zi.
Sanksione do të aplikohen edhe ndaj Savo Cvijetinoviq, i cili është anëtar i bordit ekzekutiv të partisë politike Aleanca e Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) të Presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik. Ai është gjithashtu një përfaqësues i kompanisë me bazë në Republika Serpska “BN Inzinjering”, e cila zotërohet nga një ish-zëvendës shef i transportit ajror ushtarak në Forcat e Armatosura Ruse dhe një ish-komandant i komponentit të transportit ajror të ushtrisë ruse. “BN Inzinjering” lehtësoi transferimin e paligjshëm në Rusi të motorëve të helikopterëve të prodhuar në Ukrainë, nëpërmjet BiH.
Petar Gjokiq aktualisht është Ministër i Industrisë, Energjisë dhe Minierave të Republika Serpskës. Është përfshirë në “listën e zezë” për shkak se në vitin 2017 nënshkroi një marrëveshje me Ministrin kroat të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Energjisë për të ndërtuar një tubacion nga Kroacia në rafinerinë e Bosanski Brod, e cila është në pronësi të një kompanie ruse. “Lidhja e një marrëveshje të tillë është një kërcënim për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Sanksionimi i Gjokiçit dërgon një sinjal të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë sjelljen anti-Dajton”, thotë Departamenti i Thesarit.
Dushko Peroviq është kreu i zyrës përfaqësuese të Republika Serpskës në Moskë, ku ka shërbyer për një kohë të gjatë. Është në listë pasi ka qenë pjesë përbërëse e organizimit të ndërveprimeve midis Milorad Dodikut dhe zyrtarëve rusë. Konkretisht, ai ka lobuar në mënyrë rutinore për takime mes Dodik dhe presidentit rus Vladimir Putin. “Peroviq shërbeu gjithashtu si ndërmjetës për qeverinë e RS të udhëhequr nga Dodik dhe një miliarder të shquar rus. Pavarësisht se ishte një punonjës i qeverisë së RS, Peroviq ishte i punësuar në dy nga firmat e miliarderit gjatë të njëjtës kohë kur miliarderi ishte në procesin e përfundimit të një marrëveshjeje fitimprurëse me qeverinë e RS. Peroviq zotëronte gjithashtu aksione në të paktën një nga entitetet në det të hapur të miliarderit”, thuhet në njoftimin e Departamentit të Thesarit. Më 5 janar 2022, SHBA e vendosi Dodikun në “listën e zezë” pasi me aktivitetin e tij politik dhe korruptiv ka kërcënuar zbatimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.
Ndikimi rus i ndërthurur me korrupsion dhe retorikë ekstremiste
Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor është thellësisht i ndërthurur me korrupsionin dhe retorikën politike ekstremiste, të cilat kërcënojnë sundimin e ligjit, stabilitetin dhe sovranitetin e rajonit. Si i tillë, Departamenti i Shtetit po cakton njëkohësisht dy politikanë serbë, si dhe 12 nga rrjetet e tyre të biznesit me bazë në Rusi.
Misa Vaciq është kryetar i Partisë së Djathtë Serbe në Serbi. Në vitin 2022, Vaciq shërbeu si vëzhgues në referendumet e rreme të Rusisë për aneksimin e supozuar të rajoneve të okupuara nga Rusia të Ukrainës në shtator 2022. Gjatë intervistave dhe ngjarjeve të shtypit, Vaciq pretendoi se ishte një vëzhgues ndërkombëtar, me ftesë të Vladimir Putinit, dhe mbrojti për aneksimin e supozuar të këtyre rajoneve nga Rusia.
Nenad Popoviq shërbeu si ministër i Serbisë nga viti 2017 deri në 2022 dhe themeloi Partinë Popullore Serbe nacionaliste në vitin 2014. Popoviq zotëron kompani dhe aksione të shumta në Serbi dhe Rusi. Që nga vitet 1990, Popoviq ka përdorur bizneset e tij me bazë në Rusi për të pasuruar veten dhe për të fituar lidhje të ngushta me udhëheqësit e lartë të Kremlinit. Popoviq vazhdon të përdorë lidhjet e tij në Kremlin për të siguruar biznesin për pronat e tij, shumica e të cilave operojnë në sektorin e konsulencës, pasurive të paluajtshme dhe elektronike të ekonomisë ruse, për të ndërtuar pasurinë e tij personale përmes përvetësimeve dhe skemave tatimore. Pronat kryesore të Popoviq me bazë në Rusi përfshijnë Asset Electro LLC dhe Asset Automation LLC. Mosen Esset Menedzhment LLC menaxhon operacionet e përditshme të pronave të Popoviq me bazë në Rusi. Të gjitha këto kompani poashtu vendosen në “listën e zezë”. Nëpërmjet Asset Electro LLC, Asset Automation LLC dhe Mosen Esset Menedzhment LLC, Popoviq kontrollon një rrjet të gjerë filialesh me bazë në Rusi që merren me pasuri të paluajtshme.
“Si rezultat i veprimit të sotëm, të gjitha pronat dhe interesat në pronën e personave të caktuar të përshkruar më sipër që janë në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim ose kontroll të personave amerikanë janë bllokuar dhe duhet të raportohen në OFAC. Gjithashtu, çdo subjekt që është në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, individualisht ose në total, 50 për qind ose më shumë nga një ose më shumë persona të bllokuar gjithashtu bllokohet”, thuhet në njoftim. Poashtu ndalohen të gjitha transaksionet nga personat e SHBA-së brenda ose që kalojnë tranzit në drejtim të individëve ose kompanive të sanksionuara. /The Geopost/