
Franca dëboi gjashtë shtetas rusë të dyshuar se punonin si spiunë nën mbrojtje diplomatike pasi shërbimet franceze të inteligjencës zbuluan një operacion sekret në territorin e saj, njoftoi të hënën Ministria e Punëve të Jashtme.
“Gjashtë agjentë rusë që punojnë nën mbrojtje diplomatike dhe aktivitetet e të cilëve janë konstatuar se janë në kundërshtim me interesat tona kombëtare janë shpallur persona non grata”, tha Ministria e Jashtme në një deklaratë.
Në deklaratë thuhet se shërbimi i brendshëm i inteligjencës DGSI zbuloi “një operacion sekret të kryer nga shërbimet inteligjente ruse në territorin tonë” më 10 prill, pas një hetimi të gjatë, por nuk dhanë detaje.
Në një postim në Twitter, Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se DGSI “përçau rrjetin e agjentëve sekretë rusë që punonin kundër interesave tona”. Ai tha se DGSI kishte kryer një “operacion të jashtëzakonshëm kundër-spiunazhi” dhe vlerësoi organizatën për “kujdesin për interesat tona themelore”.
Masa vjen pasi Franca tha më 4 prill se po dëbonte 35 diplomatë rusë si pjesë e një aksioni të përbashkët evropian pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Ajo i përshkroi ata diplomatë si “staf rus me status diplomatik të vendosur në Francë, aktivitetet e të cilëve janë kundër interesave tona të sigurisë”.
Ministria franceze e Punëve të Jashtme i tha AFP të hënën se dëbimet e fundit janë të reja në krahasim me 35 të shpallura.
Shumë vende evropiane kanë dëbuar diplomatë rusë, veçanërisht pas protestave në të gjithë Evropën për vrasjet në qytetin Bucha pranë kryeqytetit ukrainas Kiev, ku dhjetëra trupa u gjetën në varreza masive ose në rrugë.
Rusia filloi një pushtim të Ukrainës më 24 shkurt./RSE