Kryetari i qytetit port të Ukrainës, Mariupol, thotë se më shumë se 10 mijë civilë kanë vdekur që kur forcat ruse rrethuan qytetin. Por, ai shton se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë sa dyfishi i kësaj shifre. Vadym Boychenko akuzoi forcat ruse për djegien e trupave të të vrarëve, në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve.
Duke folur me telefon për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, kryebashkiaku i Mariupolit Vadym Boychenko tha se rrugët e qytetit janë të mbushura me kufoma, si pasojë e sulmeve të vazhdueshme të forcave ruse nga toka, uji dhe ajri.
“Mijëra viktima ngelën në rrugë, nuk kishim mundësi t’i largonim sepse forcat ruse kishin hyrë në qytet dhe lufta urbane kishte filluar. Nuk kishte siguri dhe ishte e pamundur”, thotë ai.
Kryebashkiaku foli nga një pjesë e territorit që kontrollohet nga Ukraina, jashtë Mariupolit.
Ai tha se forcat ruse sollën në qytet krematoriume mobile për të djegur trupat e të vrarëve dhe zhdukur dëshmitë e krimeve.
Zoti Boychenko shtoi se informacionet për këto pretendime i ka konfirmuar nga disa burime, por nuk dha më shumë hollësi.
“Tani e kuptojmë arsyen pse pjesa e pushtuar e qytetit nga ushtria ruse është e mbyllur. Ata po mbledhin trupat në përpjekje për të fshehur dëshmitë e krimeve. Tani e dimë pse nuk lejuan hyrjen e asnjë misioni humanitar. Ata nuk donin të tregonin se çfarë kanë bërë. Mijëra banorë janë vrarë nëpër rrugët e qytetit tonë”, shpjegon zoti Boychenko.
Fuqitë perëndimore thonë se forcat ruse po rigrupohen për një sulmi të ri në rajonet lindore të Ukrainës.
Qyteti juglindor i Mariupolit ka përjetuar disa nga sulmet më të rënda dhe humbjet më të mëdha mes civilëve në luftën gjashtëjavore. Sulmet e vazhdueshme të forcave ruse kanë vështirësuar grumbullimin e informacioneve mbi gjendjen reale brenda qytetit.
Autoritetet lokale thonë se më shumë se 10 mijë civilë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftimeve, por shifra e vërtetë besohet se mund të jetë shumë më e lartë.

Zyra e Prokurorit të Krimit të Organizuar kërkon urgjentisht dokumentacion mbi faljet e dhëna nga Vuçiq
Pas humbjes së Vuçiqit, Lista Serbe zotohet se do t’i ruajë lidhjet institucionale me Beogradin
Lista e Studentëve nuk do të bashkëpunojë me Listën Serbe: Gashiq thotë se ajo ka qenë “kontraktor i SNS-it” në Kosovë
Evropa nis financimin prej 24 miliardë dollarësh, Ukraina në fokus të planit SAFE
Ukraina, Rusia dhe SHBA-ja drejt bisedimeve të reja për paqe në Abu Dhabi
Raporti nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në BiH: Lëvizjet e autoriteteve të RS po çojnë në ndarje de facto nga BiH