
I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara nuk do të hezitojnë të përdorin sanksionet për të dërguar një mesazh të fortë për akterët e korruptuar dhe destabilizues në rajon.
Escobar tha se liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë në interes të qytetarëve, në vend që të punojnë për interesat e tyre personale dhe partiake.
“Ne nuk do të hezitojmë të përdorim sanksione ose mekanizma të tjerë për të dërguar një mesazh të fortë për aktorët e korruptuar dhe destabilizues”, tha Escobar në një intervistë pwr agjencinw e lajmeve Mina.
Sipas tij, politika identitare, e cila ndan dhe ka penguar përparimin e rajonit në të kaluarën, nuk ka bërë asgjë në interes të popujve të Ballkanit Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara do të jenë një partner për ata që kanë një qasje konstruktive, jo shkatërruese, ndaj të ardhmes së këtij rajoni, i cili karakterizohet nga anëtarësimi në BE dhe NATO, si dhe një ekonomi dinamike dhe transparente”, theksoi Escobar.
Eskobar vlerësoi se Ballkani është “rajoni me rritje më të shpejtë në Evropë”, duke thënë se realizimi i atij potenciali ekonomik duhet të jetë në krye të prioriteteve të Malit të Zi.
“Është shumë frustruese dhe kundërproduktive që politikanët dhe akterët e tjerë po shfrytëzojnë temat e identitetit për të fituar pikë politike në kurriz të përparimit ekonomik dhe pajtimit rajonal,” tha Escobar.
I dërguari i SHBA-sw shtoi se kjo është një taktikë e zakonshme në Ballkanin Perëndimor, ku udhëheqësit politikë përdorin ndarjet historike për të “mbjellur mosmarrëveshje midis votuesve dhe bllokuar përparimin e shteteve”.
“Në mënyrë që Mali i Zi të bëjë përparim konkret në rrugën e tij euro-atlantike, liderët politikë, shoqëria civile dhe të gjithë ata që besojnë në të ardhmen evropiane të vendit duhet të punojnë së bashku për të krijuar një shoqëri civile,” tha Escobar.
Ai tha se në një shoqëri të tillë, feja, kombësia dhe përkatësia etnike nuk do të përcaktojnë nëse dikush ndihet anëtar i sigurt dhe i barabartë i komunitetit.
“Pjesa më kërkuese e rolit tim është të dëshmoj kërkimin e potencialit të madh të Ballkanit Perëndimor. Unë me të vërtetë besoj se Mali i Zi dhe Ballkani Perëndimor kanë kapacitetin për të qenë motori ekonomik i Evropës”, tha Escobar.
I pyetur se si e sheh ai Memorandumin e nënshkruar nga Lëvizja Qytetare URA, Civis, Partia Popullore Socialiste dhe partitë e pakicave, Escobar tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë qëndrim zyrtar mbi marrëveshjen politike.
“Megjithatë, ne mbështesim ata që janë për një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe demokratik, i cili është i pozicionuar në institucionet euroatlantike,” tha Escobar.
I pyetur nëse të gjithë akterët politikë në Mal të Zi ndajnë këto vlera, ai tha jo.
“Unë do të thosha jo. Në Mal të Zi, si në vendet e tjera të rajonit, ne jemi edhe një herë dëshmitarë të dëmit të shkaktuar nga akterët që manipulojnë në mënyrë cinike me çështjet e identitetit për qëllimet e tyre”, tha Escobar për agjencinë Mina.
Escobar tha se shpresonte që partitë politike të linin mënjanë çështjet e identitetit dhe të punonin së bashku në aspekte konkrete të rëndësishme për publikun, duke përfshirë luftën kundër koronavirusit, rritjen ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit.
I pyetur se si i sheh indikacionet se qeveria e pakicës do ta zgjidhë krizën politike në Mal të Zi, diplomati amerikan tha se nuk është detyrë e Shteteve të Bashkuara të përcaktojnë përbërjen e qeverisë, por se këtë po e bëjnë votuesit malazezë.
“Si një mik, partner dhe aleat i NATO-s, ne duam për Malin e Zi atë që kanë shumica e qytetarëve të tij – një të ardhme të sigurt dhe të begatë, në të cilën vendi do të marrë një vend të merituar brenda BE”, tha Escobar.
Ai tha gjithashtu se Mali i Zi mund të mburret me një nivel të lartë arsimor, bukuri të jashtëzakonshme natyrore dhe një sektor të fortë civil.
“Si gjithmonë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin Malin e Zi në arritjen e potencialit të tij të plotë,” tha Escobar.