
Me organizim të “The Geopost” në Prishtinë është duke u mbajtur konferenca “Ndikimi rus në Ballkan – Kriza në Ukrainë” ku po flasin diplomatë, profesorë dhe ekspertë të sigurisë.
Ish-ambasadori i Bosnjës dhe Hercegovinës në Moskë, Enver Haliloviq deklaroi se Rusia dhe Serbia kanë historikisht lidhjet e tyre prandaj dhe doktrina serbe nuk ndryshon prej asaj ruse.
“Ne jemi duke u ballafaquar në Ballkan edhe në shtetet të cilat i rrethon Serbia në një situatë të veçantë duke pasur parasysh se është e pranishme në Ballkan përmes ndikimit rus domethënë doktrina e botes serbe asgjë tjetër nuk është përpos kopje e doktrinës ruse”, deklaroi Haliloviq.
Në fjalën e saj, Rumena Filipova, kryeshefe e institutit “Global Analytics”, tha se një prej manifestimeve kryesore të fuqisë së Rusisë është kapja e mediave, gjë që është vërejtur edhe në Ballkan.
Ajo theksoi se Rusia nuk i shpërndanë në mënyrë të ngjashme të gjitha informatat, derisa shtoi se Serbia është vendi që e ka pranuar influencën ruse.
“Prezenca e madhe e kompanive ruse në rajon është e madhe dhe na kufizon shumë… Përveç informalitetit, Kremlini përdor edhe një numër të mjeteve mbështetëse, si tregjet e reklamave”, tha ajo.
Eksperti i cështjeve të sigurisë Ilir Kulla tha se Rusia sot është fuqi agresive e botës dhe po provon të zhdukë rolin e BE’se.
“Sot ajo është një fuqi agresive e botës. Rusia po provon të ndryshojë momentin e globalizmit. Me ndikimin e saj po mundohet të zhdukë rolin e Bashkimit evropian, edhe pse për këtë ka faj edhe vetë BE-ja. Sa i përket zonës sonë ne kemi një rajon ku rusët përvec që kanë interesa kanë edhe minoritet, në Detin e Zi, Bullkari, Rumani”
Po ashtu Kulla thekson se vendet e rajonit duhet të jenë jashtëzakonist të kujdeshme pas fillimit të luftës në Ukrainë duke pasur parasysh problemet dhe aspiratat që ka rajoni ynë.
“Ne jetojmë në një rajon ku Mali i Zi është anëtare e NATO’s por ata që e udhëheqin sot Malin e Zi dhe gjysma e popullsisë atje nuk do të jetë në NATO. Kemi Bosnjen ku gjysma e territorit nuk do të jetë në BE dhe NATO, por as në Bosnje. Në Kosovë kemi NATO-n, aq së është por kemi një pjesë të Kosovës në veri që as nuk njeh Kosovën, as nuk do të jetë në NATO dhe BE, por si referencë shpirtërore e kanë Serbinë dhe Kishën Ortodokse Serbe. Pastaj kemi Maqedoninë dhe Shqipërinë të cilat megjithëse janë në NATO , nuk kanë mjete as financiare as ushtarake për t’iu kundërvënë influencës ruse. Ndërsa Serbia është një vend më i zhvilluar por as që ka ndermend të hyjë në NATO. Ajo vitet e fundit ka shpezuar 1 milione e gjzsme euro per mbrojtje. Ka investuar ne aviacion modern, ajo ka përforcuar gjithë aparatin e saj kibernetik ushtarak dhe këtu duhet parë me kujdes se cfare i duhet ky aparat, me kë do bëjë luftë?”, pyet Ilir Kulla.
“Tryeza të këtilla si kjo e jona duhet të shërbejë për t’u dhënë mendime vendimmarrësëve për situatën aktuale dhe veprimet që duhet t’i marrin në momente të caktuara”, ka shtuar ai.
“Shpresoj që kjo fazë reflektimi të jetë në raport me realitetin që kemi dhe të lutemi të gjithë për paqe, për ata të cilët janë në luftë por edhe për popujt tanë”, është shprehur Kulla.
Ish- ambasadori i Malit të Zi në Tiranë dhe Prishtinë Ferhat Dinosha tha se influenca ruse dhe serbe në Mal të Zi ka qënë e pranishme gjithmonë, por me rikthimin e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006 kjo gjë ka ndryshuar.
“Rusia dhe influenca e saj është e pranishme në Mal të zi prej kohësh. Malazezët duke ditur se janë komb i vogël, gjithmonë e kanë parë Rusinë si nënë dhe atje deri vonë ka vlejtur maksima “Ne dhe rusët 200 milionë”.
“Megjithatë tendenca për ndikim rus dhe serb kanë vazhduar edhe pas pavarësisë së Malit të Zi dhe kjo është venë re edhe në vitin 2016 kur u tentua një grushtet në Mal të Zi, nga një grup i cili kishte brenda tij edhe shetas rusë, por diçka e tillë nuk u arrit”, ka shtuar Dinosha.
Rrezikun ngarikthimi i ndikimit rus në Mal të Zi Dinosha e sheh edhe te ndrrimi i pushtetit në Mal të Zi në vitin dhe formimi i qeverisë në koalicion me forcat pro-serbe dhe pro-ruse.
Meqenëse kjo qeveri nuk pati jetë të gjatë, Dinosha shpreson se ata që duhet të vendosin për fatin e Malit të Zi në këtë kohë duhet ta kenë parasysh se pa bashkëpunimin me miqtë ndërkombëtarë e sidomos pa perkrahjen e SHBA-së Mali i Zi është në rrezik të vazhdueshëm nga faktori rus dhe ai serb.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Ibrahim Gashi ka folur kryesisht për historinë e Ukrainës duke theksuar se “historia është gjithmonë e rëndësishme nëse ajo lexohet drejt”. Ka raste kur popuj të caktuar kanë harruar historinë”, ka shtuar ai.
Ndërsa sa i përket situatës aktuale në Ukrainë ai ka theksuar se qëllimi final i Putinit dhe synimi i tij kryesor është cenimi i një pjese të territorit të Ukrainës dhe pasja e një qeverie kukull atje.
“Qëllimi final i Putinit është cenimi i një pjese të territorit të Ukrainës, pasja e nje qeverie kukull në Ukrainë, sikur edhe testimi i BE-së se sa është në gjendje t’i ndihmojë vendet vendet aleate”, tha Gashi.
Ndërsa profesori Arben Hajrullahu foli për ndikimin rus në zgjedhje, duke thesuar se Rusia ka rreth 50. 000 hakerë të teknologjisë informative, të cilët në mënyra të ndryshme ndikojnë edhe në sistemin zgjedhor siç është vënë re edhe në zgjedhjet e shteteve të forta sic është SHBA. Ai ka shtuar se duhet pasur vëmendje të veçantë te zgjedhjet të cilat do të mbahen së shpejti në Serbi.
“ Së shpejti do ti kemi zgjedhjet në Serbi dhe gjithë makineria e ndikimit, duke i përfshirë edhe mediat janë në aksion. Kjo vihet re në mediat në Serbi, ku mështëtja e Putinit për presidentin aktual Aleksander Vuçiq janë më së të dukshme. Madje kemi edhe partitë radikale që kanë qenë bartëse të gjenocideve, tek të cilat vihet re një mobilizim i përgjithshëm”, ka thënë Hajrullahu.
“Po ashtu vëmendje e veçantë i duhet kushtuar mediave dhe lajmeve të rreme, të cilat janë të përhapura shumë në kohë të fundit”, thekson ai.
Hajrullahu e sheh shqetësues faktin e rritjes së madhe të numrit të mediave dhe , siç thekson “këtu duhet pasur vëzhgim të veçantë se kush i financon dhe nën udhëheqjen e kujt janë këto media” .
Duke u ndërlidhur sërish me zgjedhjet që do të mbahen në Serbi, profesori Hajrullahu thotë se nëse në këto zgjedhje në Serbi fitues do të jetë Aleksander Vuçiq, i cili është edhe një lider kukull i Putinit, presioni në rajon do të shtohet.
Bashkëpunëtori ynë nga Maqedonia Xhelal Neziri ishte folësi i fundit në këtë panel, por jo për nga rëndësia. Ai theksoi se kjo që ndodhi në Ukrainë është fatkeqësi, por “ndoshta tani njerëzit do të jenë më të vetëdijshëm për ndikimin dhe rrezikun rus në Ballkan”.
Në këtë vetëdijësim, siç thekson Neziri ndikojnë edhe mediat e ndryshme në rajon dhe në këtë kontekst formimin dhe plasimin e The Geopost në tregun mediatik e sheh si punë të mirë.
Ndërsa, sipas tij, ka edhe media të cilat bëjnë propagandë dhe në këtë aspekt rajoni ynë duhet të ketë kujdes të shtuar.
“Mediat janë një mjet i rëndësishëm i ndikimit rus në rajon. Te ne nuk ka asnjë media në pronësi të një shtetasi rus por ka disa mënyra tjera që përdoren për të arritur ndikimin përkatës dhe kjo nuk do të thotë se përmbajtjet e Sputnjik dhe RT dhe RBB nuk janë të pranishme në Maqedoni. Kjo bëhet nëpërmjet mediave të shumta në Serbi, duke pasur parasysh se ripublikimi bëhet pastaj si tekste të marra nga mediat serbe. Kjo eshtë një nga mënyrat se si manipulohet opinioni publik në Maqedoni dhe nëse jepet një informacion i gabuar, krijohet një opinion i gabuar dhe prandaj mediat kanë rëndësi të vecantë. Raportimi i mediave të tilla është i njëanshëm,burimet janë të parëndësishme, shpesh përmenden ngajshmëritë kulturore dhe historike mes serbëve dhe rusëve. Pastaj përdoret narrativi i përdorimit të BE-së si përkrahëse të LGBT dhe Rusisë si mbrojtëse të vlerave të familjes, glorifikimi i figurës së Putinit etj.,” theksoi Neziri.
Ai foli edhe për investimet strategjike të Rusisë në Ballkan për të cilat tha se nuk janë të mëdhaja në raport me ato të BE-së në rajonin tonë.
“Në Maqedoni kemi një prani jo shumë të madhe ekononomike të Rusisë, në krahasim me vendet tjera të rajonit. Investimet kanë qenë rreth 26 milionë në vit, derisa në vitin 2016 arriti ne 40 milionë. Edhe në vendet tjera të rajonit ka investime të caktuara strategjike, të cilat kanë një qëllim të caktuar politik. Ndërsa në Kosovë Rusia nuk paraqitet aspak si investitor”.
The Geopost, KosovaPress