
Zgjerimi I Bashkimit Evropian (BE) drejt Evropës Qendrore dhe Lindore arriti të demokratizojë këtë pjesë të kontinentit, por njëkohësisht t’i shkëpusë nga ndikimi i Rusisë. Shtetet si Letonia, Litvania, Estonia, Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia në vitin 2004 përmbyllën një kalim të suksesshëm nga vende nën regjimin e Bashkimit Sovjetik në anëtare të BE-së. Në të njëjtin vit edhe Sllovenia u bë pjesë e BE-së, e cila deri në vitin 1991 kishte qenë pjesë e federatës jugosllave. Një vit më vonë ndodh zgjerimi i radhës me vende nga sfera e ndikimit sovjetik – Romania dhe Bullgaria. Zgjerimi i fundit ishte me Kroacinë në vitin 2013. Që nga atëherë ka një ndalesë të procesit të zgjerimit.
Ky eklips i zgjerimit të BE-së me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor zgjat tashmë nëntë vite. Asnjëherë nuk ka pasur një pauzë aq gjatë nga zgjerimi në historinë e Unionit. Një kohëzgjatje e ngjashme e ngrirjes së procesit kishte nga 1986 – kur u anëtarësua Spanja dhe Portugalia – e deri në vitin 1995, kur klubit iu bashkëngjitën Suedia, Austria dhe Finlanda. Por kjo ngrirje më tepër kishte të bëjë me vullnetin e vendeve aspirantë, e jo me mosgatishmërinë e BE-së për zgjerim. Nëse merret parasysh se, së paku, edhe në pesë vitet e ardhshme nuk pritet të ketë zgjerim të Unionit, atëherë ky eklips do të jetë më i gjati në historinë e integrimeve evropiane.
Edhe pse me anëtarësimin e vendeve Baltike, Polonisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Bullgarisë BE krijoi një rrip të fuqishëm ndaj ndikimeve ruse, megjithatë ka lënë një vakum në Ballkanin Perëndimor. Serbia dhe Mali i Zi nga 2012 kanë nis negociatat për anëtarësim dhe nuk kanë përmbyllur as një të tretën e 35 kapitujve. Maqedonia e Veriut pret fillimin që nga 2009, së fundmi edhe Shqipëria, por vetot e anëtarëve të BE-së kanë pamundësuar bisedimet anëtarësisë. Bosnja e Hercegovina dhe Kosova ende janë kandidatë të mundshëm për anëtarësim, ndërkohë Kosova nuk ka marrë as liberalizimin e premtuar të vizave.
Ky ngërç i zgjerimit është lajm i mirë vetëm për Rusinë dhe Kinën. Mungesa e perspektivës evropiane krijon bazë të mirë për nacionalistët destruktivë, të cilët gjithsesi se nuk janë aleatë të Perëndimit. Sipas organizatës globale Freedom House, nga viti 2015, kur BE tregoi shenjat e para të lodhjes nga zgjerimi, e deri më 2021 ka një rënie të theksuar të nivelit të demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Vetëm Kosova ka shënuar një ngritje të lehtë. Nga ana tjetër, sipas Transparency International, ka një ngritje të indeksit të perceptimit të korrupsionit te të gjitha shtetet, në përjashtim të Maqedonisë së Veriut që ka shënuar një ulje të vogël. Në këtë regres të Ballkanit Perëndimor nuk ka ndihmuar as shkëmbimi i përgjithshëm tregtar, ku BE është larg Kinës dhe Turqisë si partner. Sipas një raporti të Qendrës për Reforma Evropiane – një think-tank me seli në Londër, Bruksel dhe Berlin – Rusia ka një pjesëmarrje të vogël në shkëmbin tregtar me Serbinë, ndërsa me vendet tjera përqindja është gati e parëndësishme.

Diplomacia e maskave dhe më pas edhe e vaksinave gjatë pandemisë me COVID-19, megjithatë, e shfaqin Rusinë dhe Kinën si më mike ndaj disa vendeve të Ballkanit. Kjo veçanërisht është e theksuar në Serbi, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë. Sipas raportit të dhjetorit të BIEPAG, një nismë e përbashkët e Fondit Evropian për Ballkanin dhe Qendrës për Studime të Evropës Juglindore pranë Universitetit të Graz-it, 52% e opinionit publik në Maqedoninë e Veriut mendon se Serbia i ka dhënë ndihmën më të madhe vendit gjatë pandemisë, 16% mendojnë se BE-ja, 15% Kina kurse 11% janë shprehur se Rusia ka qenë më suportive. Serbia i ka dhuruar vetëm 8 mijë vaksina Sputnik V Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që deri në shtator vendi ka marrë 275 mijë vaksina dhe 220 milionë euro nga BE-ja si dhe 9.2 milionë dollarë amerikan nga SHBA.

Raporti i BIEPAG thotë se opinioni në Maqedoninë e Veriut e sheh më pozitiv ndikimin e Turqisë në rajon (49%), i pasuar nga ndikimi i BE (41%), në vend të tretë është radhitur ndikimi i Rusisë (37%), i katërti i SHBA-ve (36%), i pesti i Kinës (30%), kurse në vend të gjashtë ai i vendeve arabe (16%).

Rënie të simpative për Perëndimin është shfaqur edhe në matje tjera, të besueshme, të opinionit publik. Kështu, në hulumtimin e fundit të opinionit publik nga anan e IRI-t, në pyetjen se cili shtet e ndihmon më shumë Maqedoninë e Veriut, 21% kanë thënë BE-ja, që paraqet një rënie të theksuar në krahasim me 2018-ën, kur ka qenë 27%. Rënie në përqindjen e perceptimit si ndihmues të vendit ka edhe për SHBA-në, e cila në vitin 2018 ka qenë 16%, kurse tash është 11%. Rënie më të vogël ka Turqia, Gjermania dhe Rusia, ndërsa e vetmja që ka rritje është Kina, e cila në vitin 2018 ka qenë 1% ndërkohë që tani ka 3%.
Propaganda e Rusisë dhe Kinës ka bërë që, me disa ndihma taktike gjatë pandemisë, këto dy vende të fitojnë simpatinë se disa popujve të Ballkanit. Ngërçi i procesit të integrimit evropian, që vjen si rezultat i lodhjes së BE-së nga zgjerimi, do të krijojë një hapësirë edhe më të madhe për ndikim të Lindjes.
Shkruan: Xhelal Neziri – bashkëpunëtor i The Geopost nga Shkupi