Pasi Rusia pushtoi Ukrainën shkurtin e kaluar, Bashkimi Evropian lëvizi për të bllokuar RT dhe Sputnik, dy nga kanalet kryesore të Kremlinit për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave rreth luftës.
Gati gjashtë muaj më vonë, numri i faqeve që shtyjnë të njëjtën përmbajtje ka shpërthyer pasi Rusia gjeti mënyra për t’i shmangur ndalimit. Ata e kanë riemërtuar punën e tyre për ta maskuar atë. Ata kanë zhvendosur disa detyra propagandistike te diplomatët. Dhe ata zhvendosur një pjesë të madhe të përmbajtjes në faqet e reja të internetit – ato që deri më tani nuk kishin lidhje të dukshme me Rusinë.
NewsGuard, një firmë me bazë në Nju Jork që studion dhe gjurmon dezinformatat në internet, ka identifikuar tani 250 faqe interneti që përhapin në mënyrë aktive dezinformimin rus rreth luftës, me dhjetëra të reja të shtuara muajt e fundit.
Pretendimet në këto faqe përfshijnë pretendime se ushtria e Ukrainës ka organizuar disa sulme vdekjeprurëse ruse për të marrë mbështetjen globale, se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po falsifikon paraqitjet publike, ose se refugjatët ukrainas po kryejnë krime në Gjermani dhe Poloni.
Disa nga faqet pozojnë si institute të pavarura mendimi (think tanks) ose si media. Rreth gjysma janë në gjuhën angleze, ndërsa të tjerët janë në frëngjisht, gjermanisht ose italisht. Shumë prej tyre u krijuan shumë kohë përpara luftës dhe nuk ishin të lidhur dukshëm me qeverinë ruse derisa papritmas filluan të papagallëzojnë pikat e bisedës së Kremlinit.
“Ata mund të jenë duke krijuar faqe të fjetura,” tha bashkë-CEO i NewsGuard, Gordon Crovitz. Faqet e fjetura janë faqet e internetit të krijuara për një fushatë dezinformimi që qëndrojnë kryesisht në gjumë, duke ndërtuar ngadalë një audiencë përmes postimeve të padëmshme ose të palidhura, dhe më pas kalojnë në propagandë ose dezinformim në një kohë të caktuar.
Ndërsa analiza e NewsGuard zbuloi se shumica e dezinformatave rreth luftës në Ukrainë vijnë nga Rusia, ajo gjeti raste të pretendimeve të rreme me një prirje pro-ukrainase. Ato përfshinin pretendime për një luftëtar të njohur si Fantazma e Kievit që zyrtarët më vonë pranuan se ishte një mit.
YouTube, TikTok dhe Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, të gjithë u zotuan të heqin RT dhe Sputnik nga platformat e tyre brenda Bashkimit Evropian. Por studiuesit kanë zbuluar se në disa raste për të shmangur këtë ndalim, krejt cka Rusia duhej të bënte, ishte ta postonte atë nga një llogari tjetër.
Qendra e Situatës së Dezinformimit, një koalicion i studiuesve të dezinformimit me bazë në Evropë, zbuloi se disa përmbajtje video të RT po shfaqeshin në mediat sociale me një emër dhe logo të re marke. Në rastin e disa pamjeve video, marka RT thjesht u hoq nga video dhe u ripostua në një kanal të ri në YouTube që nuk mbulohet nga ndalimi i BE-së.
Moderimi më agresiv i përmbajtjes së mediave sociale mund ta bëjë më të vështirë për Rusinë të anashkalojë ndalimin, sipas Felix Kartte, një këshilltar i lartë në Reset, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që ka financuar punën e Qendrës së Situatës së Dezinformimit dhe është kritike për rolin e mediave sociale në diskursin demokratik.
“Në vend që të vendosin sisteme efektive të moderimit të përmbajtjes, ata po luajnë me aparatin e dezinformimit të Kremlinit,” tha Kartte.
Kompania mëmë e YouTube nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve që kërkonin komente rreth ndalimit.
Në BE, zyrtarët po përpiqen të forcojnë mbrojtjen e tyre. Këtë pranverë BE miratoi legjislacionin që do t’u kërkonte kompanive të teknologjisë të bëjnë më shumë për të çrrënjosur dezinformimin. Kompanitë që dështojnë mund të përballen me gjoba të mëdha.
Nënkryetarja e Komisionit Evropian Vera Jourova muajin e kaluar e quajti dezinformimin “një problem në rritje në BE, dhe ne me të vërtetë duhet të marrim masa më të forta”.
Përhapja e faqeve që përhapin dezinformata rreth luftës në Ukrainë tregon se Rusia kishte një plan në rast se qeveritë ose kompanitë e teknologjisë përpiqeshin të kufizonin RT dhe Sputnik. Kjo do të thotë se udhëheqësit perëndimorë dhe kompanitë e teknologjisë do të duhet të bëjnë më shumë se mbyllja e një ose dy faqeve të internetit nëse shpresojnë të ndalojnë rrjedhën e dezinformatave të Kremlinit.
“Rusët janë shumë më të zgjuar,” tha bashkë-CEO tjetër i NewsGuard, Steven Brill. /VOA