
Bashkimi Evropian po planifikon të hartojë një listë të sanksioneve të mundshme kundër një grupi mercenar rus të përfshirë në konflikte të shumta globale, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell.
Pas kryesimit të një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së më 15 nëntor, Borrell tha se ekspertët ishin ngarkuar me zhvillimin e propozimeve për sanksione kundër Grupit Vagner dhe se çështja do të diskutohet kur ministrat e jashtëm të takohen përsëri në dhjetor.
“Ka konsensus për të ecur përpara në mënyrë që të merren masa kufizuese kundër këtij grupi,” tha Borrell në Bruksel.
Qeveritë perëndimore kanë akuzuar Moskën për përdorimin e Grupit Vagner si një forcë paraushtarake në konfliktet në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe Afrikë. Rusia mohon një lidhje midis qeverisë dhe Grupit Vagner.
Grupi Vagner besohet se drejtohet nga biznesmeni rus Yevgeny Prigozhin, një bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin. Vitin e kaluar, BE e futi Prigozhinin në listën e zezë për përfshirjen e këtij grupi në Libi.
Sanksionet e mundshme kundër Grupit Vagner vijnë pas raporteve se junta ushtarake e Malit ishte në diskutime për vendosjen e mercenarëve të saj në vendin e Afrikës Perëndimore, diçka që kundërshtohet nga ish-fuqia koloniale, Franca, dhe aleatët e saj.
Borrell tha se ministrat e jashtëm të BE-së, poashtu kishin rënë dakord për sanksione ndaj udhëheqjes ushtarake të Malit pas grushtetit që kishte për qëllim ushtrimin e presionit mbi juntën për të rivendosur sundimin civil.
Në qershor, koloneli Assimi Goita u betua si president i një qeverie tranzicionale pas kryerjes së grushtit të shtetit të tij të dytë në nëntë muaj. Zgjedhjet pritet që të mbahen në shkurt, por BE ka frikë se ato do të vonohen.
Franca ka qenë në ballë të një operacioni më të gjerë kundër terrorizmit në rajonin e Sahelit, me rreth 5000 trupa, që kur ndodhi një tjetër grusht shteti në Mali në vitin 2012 e që ndihmoi në nxitjen e një kryengritjeje islamike në veri.
Por Franca në fillim të këtij viti tregoi planet për të reduktuar atë forcë në 2,500 deri në 3,000 trupa në vitet e ardhshme, në një lëvizje të kritikuar nga udhëheqësit ushtarakë të Malit.
Ekzistojnë gjithashtu misione paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe një program trajnimi i Bashkimit Evropian në vendin e Afrikës Perëndimore.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian u tha gazetarëve në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së se çdo sanksion do të vendoset gjithashtu edhe ndaj kompanive që punojnë me Grupin Vagner.