Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se Uashingtoni nuk do të lejojë asgjë që të pengojë dërgimin në Ukrainë të armëve që asaj i nevojiten për të luftuar kundër Rusisë.
“Nuk do të lejojmë asgjë që do të pengonte dërgimin (e armëve) që iu nevojiten ukrainasve dhe që ne mendojmë se janë të efektshme”, tha zoti Blinken.
Duke folur me gazetarët në NATO pas një takimi të ministrave të jashtëm, Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë se çfarë armësh të reja mund të dërgojnë në Ukrainë. Ai foli për “sisteme të reja” që nuk janë ofruar deri më tani nga vendet anëtare të NATO-s, por nuk bëri të ditura detaje të mëtejshme.
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po ruajnë dhe po shtojnë presionin ndaj Kremlinit.
Vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të forcojnë mbështetjen për Ukrainën dhe po ofrojnë një gamë të gjerë sisteme armësh, tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të ministrave të jashtëm të aleancës.
Zoti Stoltenberg u tha gazetarëve se anëtarët e NATO-s ranë gjithashtu dakord të bëjnë më shumë për të ndihmuar partnerët e tjerë dhe për të forcuar aftësinë e tyre mbrojtëse, përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ndërkohë, udhëheqësit ukrainas po u bëjnë thirrje banorëve të rajoneve lindore, ku ndodhet zemra industriale e vendit, të largohen tani, sa e kanë ende këtë mundësi, ndërsa forcat ruse, që janë larguar nga periferitë e Kievit, po riorganizohen për të filluar ofensivën në rajonet lindore të Ukrainës./Zëri i Amerikës

Dezinformim në Instagram: Pamjet nga Prishtina u paraqitën në mënyrë të rreme si lëvizje drejt Mitrovicës së Veriu
Propaganda nga Moska: Si i përdorën mediat ruse aktgjykimet e Hagës ndaj drejtuesve të UÇK-së për sulm ndaj Perëndimit
Si e deformuan mediat serbe protestën në Prishtinë
Serbia dhe Uzbekistani paralajmërojnë bashkëpunim për raketa, analisti ngre pikëpyetje për interesat ruse
Von der Leyen pas varrimit të Mlladiqit: Vendet që lavdërojnë kriminelët e luftës nuk kanë vend në BE
Sikorsky: Pasuria e ngrirë ruse nuk do t’i kthehet Moskës