Skip to content
The Geopost

The Geopost

  • LAJME
  • FACT CHECKING
  • ANALIZA
  • INTERVISTA
  • BALKAN DISINFO
  • RRETH NESH
  • Ballkan
  • Lajme

Masakra e Reçakut, ngjarja që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës

The Geopost January 15, 2026 3 min read
Share the news

Më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, forcat policore dhe ushtarake serbe vranë 45 civilë shqiptarë, në një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, banorët e paktë që kishin mbetur në Reçak u zgjuan nga krismat e armëve.

Të frikësuar, ata u strehuan në shtëpi dhe bodrume, ndërsa forcat serbe hynë në fshat dhe zhvilluan një operacion që përfundoi me vrasjen e 45 civilëve shqiptarë.

Trupat e të vrarëve mbetën në një luginë të fshatit deri në mëngjesin e 16 janarit, kur në Reçak mbërriti William Walker. Pas vizitës në vendin e ngjarjes, ai deklaroi para mediave se ishte përballur me atë që mund të quhej vetëm një “mizori e papërshkrueshme”, duke shprehur indinjatën e tij personale dhe të misionit që drejtonte.

“Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme”.

Pas largimit të Walkerit, banorët i mblodhën trupat dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, me qëllim organizimin e varrimit. Megjithatë, forcat policore dhe ushtarake serbe nuk lejuan varrosjen dhe shpërthyen përleshje mes tyre dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas gati dy ditësh luftimesh, trupat e civilëve të vrarë u morën me forcë dhe u dërguan në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, nën arsyetimin e kryerjes së obduksioneve, ndërkohë që autoritetet serbe mohonin masakrën dhe pretendonin se viktimat ishin pjesëtarë të UÇK-së të vrarë në luftime.

Vrasja e civilëve shqiptarë u dënua edhe nga presidenti amerikan i asaj kohe, Bill Clinton, i cili përmes një video-mesazhi tha se bëhej fjalë për një akt të qëllimshëm vrasjeje pa dallim, të kryer për të mbjellë frikë te populli i Kosovës.

Pamjet nga Reçaku bënë jehonë në mbarë botën dhe rritën ndjeshëm presionin ndërkombëtar mbi regjimin e Sllobodan Millosheviqit. Më 6 shkurt 1999, në Rambuje të Francës filluan bisedimet ndërkombëtare mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, konferenca e parë e këtij niveli e organizuar ndonjëherë për Kosovën.

Ndërkohë, familjarët e viktimave u lejuan gradualisht t’i merrnin trupat nga Prishtina dhe t’i kthenin në Reçak. Procesi zgjati disa ditë, për shkak të pengesave nga administrata serbe. Më 11 shkurt 1999, pas gati një muaji pritjeje, u organizua ceremonia e varrimit të 45 civilëve të vrarë.

Pas dështimit të konferencës së Rambujesë, më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimet ndaj caqeve ushtarake të ish-Jugosllavisë, me arsyetimin për të ndalur shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kosovë.

Lufta përfundoi më 10 qershor 1999, kur trupat ushtarake dhe policore serbe u tërhoqën nga Kosova.

Masakra e Reçakut mbetet një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më përcaktuese në historinë e Kosovës, simbol i vuajtjeve të civilëve dhe një moment kyç që ndryshoi rrjedhën e zhvillimeve politike dhe ndërkombëtare.

TheGeoPost

Tags: Kosova Masakra e Reçakut Serbia

Continue Reading

Previous: A po shkon Serbia drejt një Serbo-Maidan-i?
Next: PowerChina, qindra miliona euro nga projektet strategjike në Serbi, pa tenderë publikë

Rusia kërkon nga Qeveria e Kosovës lirimin e një rusi dhe dy bjellorusëve të arrestuar 2 min read
  • Ballkan

Rusia kërkon nga Qeveria e Kosovës lirimin e një rusi dhe dy bjellorusëve të arrestuar

The Geopost March 4, 2026
Ballkani Perëndimor drejt “Roam Like at Home” me BE-në – vendimi kalon përmes Këshillit 2 min read
  • Ballkan

Ballkani Perëndimor drejt “Roam Like at Home” me BE-në – vendimi kalon përmes Këshillit

The Geopost March 4, 2026
Rutte: NATO nuk do të lejojë vakum sigurie në Ballkanin Perëndimor, KFOR-i mbetet i fuqishëm në Kosovë 2 min read
  • Ballkan

Rutte: NATO nuk do të lejojë vakum sigurie në Ballkanin Perëndimor, KFOR-i mbetet i fuqishëm në Kosovë

The Geopost March 4, 2026
Vulin me ton kërcënues lidh çështjen e Izraelit dhe Mossad-it me Kosovën 2 min read
  • Ballkan

Vulin me ton kërcënues lidh çështjen e Izraelit dhe Mossad-it me Kosovën

The Geopost March 3, 2026
Gazeta serbe spekulon për sulm nga Irani ndaj Serbisë për shkak të Bondsteel-it në Kosovë 3 min read
  • Ballkan

Gazeta serbe spekulon për sulm nga Irani ndaj Serbisë për shkak të Bondsteel-it në Kosovë

The Geopost March 3, 2026
Alarmante: Zyrtari i lartë i qeverisë së Serbisë përmend Kosovën si objektiv në diskursin për sulme iraniane 3 min read
  • Ballkan

Alarmante: Zyrtari i lartë i qeverisë së Serbisë përmend Kosovën si objektiv në diskursin për sulme iraniane

The Geopost March 3, 2026

Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhët tjera bëhet në mënyrë automatike dhe mund të ketë gabime!

  • [email protected]
  • +383-49-982-362
  • Str. Ardian Krasniqi, NN
  • 10000 Prishtina, KOSOVO
X-twitter Facebook

Corrections and denials

Copyright © The Geopost | Kreeti by AF themes.