
Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav ka deklaruar se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur lirinë e mediave, gazetarët të cilët bazohen në fakte dhe përpjekjet e tyre për të luftuar dezinformimin.
Në një Konferencë gjatë lansimit të Raportit të Zyrës së Bashkimi Europian dhe Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosovo, “Gjuha e Urrejtjes dhe Dezinformimi gjatë Zgjedhjeve të vitit 2025 në Kosovë”, Orav theksoi se unioni europian do të vazhdojë të përkrahë iniciativat që promovojnë përforcimin e mekanizmave të kontrollit të fakteve dhe që forcojnë institucionet lokale që të adresojnë këto çështje.
Duke folur për Raportin mbi Dezinformimin, ambasadori tha se ofron një vështrim të thellë për modelet shqetësuese të dezinformimit dhe të gjuhës së urrejtjes që karakterizuan procesin zgjedhor të vitit 2025 në Kosovë.
“Raporti ofron një vështrim në thellësi modelin shqetësues të dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes që karakterizuan Zgjedhjet në Kosovë të vitit 2025. Dezinformimi është më shumë se një kontekst mashtrues, është një kërcënim direkt ndaj demokracisë, manipulon opinionin publik dhe minon besimin në institucione.” – ka deklaruar Orav.
“Gjetjet e sotme të bazuara në një analizë të thellë, e bërë nga BIRN Kosova, do të shpjegojë se si ky fenomen doli gjatë Zgjedhjeve, kush ishte pas tij dhe impaktin e gjerë në procesin demokratik. Do të dëgjojmë nga prezantimi i BIRN për gjetjet kryesore, por më lejoni të nënvizoj disa pika.” – shtoi ai.
Më tej, ambasadori Orav theksoi se Raporti shpërfaq se si narrativat e dezinformimit ishin propaganduar jo vetëm nga akterët politik, por edhe nga akterë të jashtëm.
“Raporti shpërfaq se si narrativat e dezinformimit ishin propaganduar jo vetëm nga akterët politik, por edhe nga akterë të jashtëm, narrativa të cilat synonin të destabilizonin besimin në procesin elektoral. Shpërndarja e gjuhës së urrjetjes dhe gjuha dehumanizuese ishte mbizotëruese nga disa grupe të caktuara dhe individë të caktuar të cilët targetuan gra në pozita me ndikim.” – u shpreh ai.
Sipas Orav, luftimi i dezinformimit nuk është përgjegjësi e vetëm një institucioni, por kërkon përpjekje kolektive.
“Megjithatë luftimi i dezinformimit nuk është përgjegjësi e vetëm një institucioni vetëm, kërkon përpjekje kolektive – të gjithë ne: politikëbërësit, gazetarët, kontrolluesit e fakteve dhe Shoqëria civile. Duhet të punojmë së bashku të krijojmë një ambient mediatik që është transparent, llogaridhënës dhe rezistent ndaj manipulimit.” – theksoi ambasadori i BE-së.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova publikuan të mërkurën, më 02.04.2025, Raportin mbi Dezinformimin: Gjuha e Urrejtjes dhe Dezinformimi gjatë Zgjedhjeve të vitit 2025 në Kosovë.
Në këtë LINK, gjeni Raportin e plotë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se e vërteta është arma më e fortë e demokracisë dhe sipas saj kur sulmohet e vërteta, sulmohet vetë liria.
Në lansimin e Raportit të Zyrës së Bashkimi Europian dhe Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova, “Gjuha e Urrejtjes dhe Dezinformimi gjatë Zgjedhjeve të vitit 2025 në Kosovë”, Osmani ka theksuar se kontrollimi i fakteve nuk është më vetëm një detyrë e gazetarëve, porse shndërrohet në një obligim për të gjithë shoqërinë.
“Pa të vërtetën nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë. Pa të vërtetën, vendimmarrja jonë bëhet e pasigurt, besimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve dobësohet dhe, mbi të gjitha, zgjerohet hapësira për dezinformim dhe manipulim.” – ka thënë Osmani.
Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u karakterizua me një nivel të paprecedentë të gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit, si nga aktorë vendorë ashtu edhe të huaj – duke polarizuar elektoratin dhe duke ngritur shqetësime për integritetin e Zgjedhjeve të ardhshme në mungesë të veprimeve serioze – thuhet në Raportin e publikuar të premten nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova.
Raporti “Gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi në Zgjedhjet e vitit 2025 në Kosovë” ofron një analizë të thellë të narrativave të përhapura ose të prodhuara nga mediat para, gjatë dhe pas Zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025 në Kosovë. Duke u mbështetur në monitorimin e gjerë të 20 televizioneve dhe radiove, përfshirë dy media me seli në Beograd dhe dy në Tiranë, si dhe një shqyrtim të mbi 4,000 publikimeve në internet, Raporti analizon praninë e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë tërë periudhës zgjedhore.
Ndonëse, në sipërfaqe, Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 u zhvilluan në mënyrë paqësore e garuese dhe prodhuan një rritje të lehtë të numrit të deputeteve gra në Kuvendin e Kosovës, gjetjet tregojnë se ka pasur përdorim të gjerë të gjuhës së urrejtjes, dezinformimit dhe narrativave përçarëse gjatë tërë periudhës zgjedhore, madje në disa raste duke përdorur edhe Inteligjencë Artificiale (IA) dhe duke i pasur ato në shënjestër në mënyrë joproporcionale.
Edhe pse Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Kosovë i shpalli partitë politike përgjegjëse për 30 raste të gjuhës së urrejtjes, kjo nuk rezultoi në largim të përmbajtjeve fyese nga faqet e tyre të internetit dhe platformat digjitale. Vetëm në ditën e Zgjedhjeve, verifikuesit e fakteve identifikuan së paku 100 raste të dezinformimit.
Gjatë tërë fushatës aktorë vendorë dhe të huaj, veçanërisht në Serbi dhe Rusi, shfrytëzuan ankthin e votuesve përmes paralajmërimeve të pabazuara se pritet të shpërthejë dhuna ndëretnike dhe lufta e mundshme Serbi-Kosovë. Rusia, në veçanti, shtyu përpara një narrativë se kryeministri aktual Albin Kurti planifikonte spastrim etnik të serbëve të Kosovës me mbështetjen e perëndimit – duke amplifikuar njëkohësisht diskursin e demonizimit nga Serbia ndaj serbëve të Kosovës të cilët guxuan të garojnë kundër partisë së mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe.
Në planin e brendshëm kundërshtarët politikë nga radhët e partive kryesore shqiptare në Kosovë përdorën gjuhë çnjerëzore dhe demonizuese – duke i krahasuar kundërshtarët e tyre me kafshë, ose duke i etiketuar si “mendërisht të paaftë”, apo “spiunë serbë”. Media të shumta u shndërruan në platformë për akuza të paverifikuara, sensacionaliste dhe të pabazuara, të cilat shpeshherë mbetën pa u sfiduar. Në një eksperiment shoqëror të BIRN Kosovo, rreth 20% e politikanëve nuk ia dolën të identifikonin një lajm të trilluar si lajm të rremë.
Me dominim të një retorike përçarëse dhe polarizuese në fushatën zgjedhore munguan diskutimet thelbësore rreth çështjeve më urgjente me të cilat përballet vendi, ndërkohë që deri më sot partitë politike dhe disa media nuk kanë arritur të sigurojnë transparencë të duhur për sa i përket shpenzimeve për reklamimin politik.
Pavarësisht reformave zgjedhore të miratuara në vitin 2023, gjetjet e BIRN Kosovo vënë në pikëpyetje kapacitetet e autoriteteve për të luftuar dezinformimin dhe, për rrjedhojë, për të mbrojtur të drejtën e votuesve për të bërë zgjedhje të lirë dhe të informuar për përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
Raporti thekson se nevojiten hapa urgjent për të siguruar që autoritetet kanë kapacitete të duhura për t’i kundërshtuar fushatat e brendshme dhe të jashtme të dezinformimit, për t’i fuqizuar organet mbikëqyrëse zgjedhore dhe mediatike në luftimin efektiv të gjuhës së urrejtjes, për të rregulluar përdorimin e Inteligjencës Artificiale, si dhe për të përmirësuar transparencën në lidhje me shpenzimet e fushatës./Kallxo/