Dezinformatat e Rusisë për Ukrainën kanë bërë që të bie motivi i ushtarëve që po mbrojnë territorin nga pushtuesit rusë, thotë në një intervistë për The Geopost bashkëthemeluesja e Agjencisë SEOforMedia, Natalia Sudakova. Ajo thekson se ky është një problem që po e luftojnë vazhdimisht.
Sudakova thotë se Rusia po mundohet të thyejë ukarainasit me dezinformata të vazhdueshme në Telegram.
Se Rusia ka gjetur edhe metoda të tjera për të përhapur propagandën dhe dezinformatat e saj, sipas saj vërehet edhe në Google.
“Nëse bëni kerkim (google) në Rusisht, do të shihni kryesisht faqe interneti ruse. Ka vetëm propagandë atje, vetëm dezinformim. Thjesht nuk dijmë se si të arrijnë deri te informata më cilësore dhe ky është një problem i madh tani, madje shohim që disa media po i kthejnë faqen e tyre në gjuhën ruse sepse e kanë kuptuar se është e rëndësishme, së pari, t’u afrohemi atyre njerëzve dhe më pas ndoshta të përpiqemi t’i ndihmojmë që ata të vendosin ose të ndryshojnë mendje”, thotë ajo derisa shton se Google Analytics duhet të përdoret për luftimin e dezinformimit.
Intervista e plotë:
The Geopost: Ju lutem mund të na tregoni për situatën e fundit mbi dezinformimin dhe propagandën ruse në Ukrainë?
Natalia Sudakova: Për mua nuk është vetëm një gjë, sepse ne po e bëjmë një luftë të vazhdueshme me propagandën ruse, për shembull, tani kemi përshkallëzim në Vovchansk, është afër Kharkivit, dhe vazhdimisht shohim dezinformata se ushtarët tanë nuk janë të përgaditur, mbrojtja jonë nuk është e përgatitur, dhe se po humbasim luftën, se do të humbasim nesër, ose ndoshta pasnesër, e kështu me radhë. Dhe jo vetëm popullata filloi të bie në depresion për shkak të kësaj, por edhe ushtarët, sepse ata lexojnë lajmet dhe dezinformimi funksionon në të gjitha frontet, funksionon edhe me mendjet e ushtarëve, dhe unë do të thoja se kjo është e fundit, sepse po ndodh pikërisht tani.
The Geopost: Në prezantimin tuaj folët edhe për dezinformatat që vijnë nga Google, si e shihni këtë?
Natalia Sudakova: Po, por edhe për Telegramin, nëse keni parë rezultatet e analizës së fundit për këtë temë, aktualisht, në Ukrainë, njerëzit kryesisht marrin lajme nga kanalet e Telegramit, dhe jo nga vetë kanalet e lajmeve. Në përgjithësi, 80% e njerëzve në një moment marrin lajme nga Telegrami, në Ukrainë, kjo është e madhe. Dhe vetëm 40%, nëse nuk gabohem, mendoj se 39% apo 40%, lexojnë lajmet klasike.
Pra, për Google, problemi që është për median, trafiku nga Google është burimi kryesor i trafikut. Dhe pikërisht tani, kjo platformë është bërë gjithnjë e më e rëndësishme.
Njerëzit marrin lajme nga Google jo vetëm si kërkimi i zakonshëm. Ne përdorim telefonat tanë çdo ditë, dhe ju mund të shihni Google Discover në të, Google News është gjithashtu platforma e Google dhe ju mund të merrni lajme atje, por nëse keni një telefon në gjuhën ruse ose nëse kërkoni në rusisht, do të shihni vetëm lajmet ruse.
Në fillim të pushtimit në shkallë të plotë, shumë media hoqën faqet e tyre në gjuhën ruse, dhe pas kësaj, një mumër më i madh i faqe ruse kanë rezultate më të mira në Google, lexim më të madh, veçanërisht në territorin e pushtuar. Nëse bëni kerkim (google) në Rusisht, do të shihni kryesisht faqe interneti ruse. Ka vetëm propagandë atje, vetëm dezinformim. Thjesht nuk dijmë se si të arrijnë deri te informata më cilësore dhe ky është një problem i madh tani, madje shohim që disa media po i kthejnë faqen e tyre në gjuhën ruse sepse e kanë kuptuar se është e rëndësishme, së pari, t’u afrohemi atyre njerëzve dhe më pas ndoshta të përpiqemi t’i ndihmojmë që ata të vendosin ose të ndryshojnë mendje.
The Geopost: Cili është mesazhi juaj për gazetarët, unë vij nga Ballkani, nga Kosova, si të luftohet gjithë ky dezinformim?
Natalia Sudakova: Unë do të thosha, para së gjithash, të dini se si të analizoni audiencën tuaj, të përdorni më mirë Google Analytics, të kuptoni se çfarë lexojnë vërtet njerëzit tuaj dhe si të përfitoni më shumë prej tij. Për të kuptuar se si ta përhapni lajmin, jo vetëm për të shkruar, por për ta “shitur” më pas. Si të punoni me Google, me kanalin Telegram, ose me ato platforma që përdorni në vendet tuaja, si t’ia shisni audiencës, jo vetëm për ta krijuar atë.
Gazetaria ka të bëjë gjithmonë me shkrimin e tekstit, por më pas ne në fakt kalojmë tek tjetri lajm, dhe ky është problemi, sepse ne mund të bëjmë që këtë lajm ta lexojnë 100 njerëz apo ta lexojnë 1000 njerëz, dhe në fakt ka rëndësi, sepse janë 900 lexues të tjerë.
Pra, për mua tani nuk ka të bëjë me sasinë, por me cilësinë, sepse ne krijojmë çdo ditë e më shumë përmbajtje. Me AI tani është edhe më shpejtë dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë me të nuk është thjesht të përpiqemi të shkruajmë gjithnjë e më shumë, është për t’i bërë më cilësore ato që kemi shkruar tashmë.
/The Geopost