Duke u përpjekur të ndikojë sa më shumë në Malin e Zi, Rusia, mbi të gjitha, dëshiron të zvogëlojë ndikimin e Perëndimit dhe të provokojë Perëndimin dhe NATO-n, dhe për këtë ka mbështetjen e qeverisë aktuale, ka thënë për portalin tonë gazetari dhe politologu shumëvjeçar Ilija Despotoviq nga Podgorica.
Në një intervistë për The Geopost, ai tha se Rusia, përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe Serbisë, ndikon në ngjarjet politike dhe sociale në Mal të Zi dhe dëshiron të forcojë pozicionin e saj ndaj Perëndimit dhe se dashamirësia dhe ndihma ruse gjatë historisë, siç tha ai, ka qenë gjithmonë e kushtëzuar nga plotësimi i disa nevojave dhe interesave ushtarake dhe shtetërore të Rusisë.
“Kur ndonjëri nga sundimtarët malazezë tregonte pakënaqësinë e tij, ata “sanksionoheshin” nga mbretëria ruse,” tha Despotoviq.
Despotoviq shtoi se “e ardhmja” e ndikimit rus në Ballkan, madje edhe në Mal të Zi, varet nga perspektiva reale evropiane e Malit të Zi, siç tha ai, se kur do të bëhet Mali i Zi anëtar i Bashkimit Evropian.
“Sigurisht, edhe nga politika e SHBA-së në atë kontekst. Nuk ka dyshim për fuqinë e vetë NATO-s, jo vetëm në kuptimin ushtarak, por edhe në aspektin e supremacisë së saj politike si aleancë në kuptimin strategjik. Para së gjithash, si NATO ashtu edhe BE-ja duhet të heqin sa më shpejt të jetë e mundur çdo dyshim për ekzistencën dhe aftësinë e tyre që, si projekt strategjik, politikë dhe mënyrë jetese, si demokraci dhe qytetërim modern, të ‘sundojnë’ në Evropë dhe në botë”, tha Despotoviq.
Kur është fjala për vizitën e ambasadorit rus në Universitetin e Malit të Zi, Despotoviq thekson se në krye të Universitetit ka ardhur një person me përkatësi politike të pa maskuar pro-serbe dhe proruse dhe ambasadori rus, sipas tij, ka nxituar për të promovuar personalisht dhe hapur “bashkëpunimin” midis institucioneve arsimore.
“Kultura është veçanërisht e përshtatshme për propagandë të kamufluar, ‘delikate’ të interesave shtetërore të Rusisë dhe, natyrisht, veprimet mediatike do të përdoren në këtë kuptim. Tashmë ka media në Mal të Zi që njihen si pro-ruse. Tashmë për televizionin rus ‘Sputnik’ dëgjohet se është ‘CNN rus’. Është simptomatike, për shembull, që Ministrja e Kulturës, Arsimit dhe Shkencës, Vesna Bratiq, vizitoi Rusinë në vitin e parë të qeverisë pro-serbe-ruse në Podgoricë. Mediat kanë vërejtur se ajo ka marrë pjesë në një debat në Moskë nën flamurin e Serbisë, pa flamurin e Malit të Zi”, tha Despotoviq.
I pyetur nëse Mali i Zi ka shumë dëme sepse nuk i eksporton produktet e tij në tregun e madh rus, Despotoviq tha se çështja e sanksioneve të ndërsjella ekonomike midis Malit të Zi dhe Rusisë duhet parë në kontekstin e marrëdhënieve të përgjithshme ndërshtetërore dhe pozicionit të tyre në konstelacionin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
“Prandaj, sanksionet ekonomike janë reciproke relative në rëndësinë e tyre. Karakteri i tyre ka më shumë shije politike. Një pjesë e mirë e publikut në Mal të Zi nuk i miraton sanksionet ndaj Rusisë, por për këtë thuajse nuk diskutohet, veç se aty-këtu përmendet në parlament si “mëkat” i qeverisë së kaluar. Historia për dëmet ekonomike që pëson Mali i Zi për shkak të ndalimit të eksportit të verërave malazeze në tregun rus ka kohë që është ndalur. Mali i Zi ka eksportuar edhe disa produkte të mishit të përpunuar, por e gjithë kjo, duket se nuk lë pasoja serioze për prodhuesit në Mal të Zi”, ka përfunduar Despotoviq.