Rusia përpiqet të shtrijë ndikimin e saj në mbarë botën, si në Evropë ashtu edhe në vendet e Ballkanit, në vendet baltike, në vendet e Azisë Qendrore dhe në Ukrainë, thotë Lyubov Rakovitsa, udhëheqëse e organizatës mediatike ukrainase “DII Ukraine”, ish-Instituti i Informacionit në Donetsk. Në këtë mënyrë, duke ndërhyrë në shtetet e tjera, thekson ajo, pushteti rus mundohet të mbajë nën kontroll pushtetin kombëtar.
Në intervistën për The Geopost, Rakovitsa tregon edhe për sfidat me të cilat përballen si pasojë e luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë. Detyra kryesore që kanë si media, është tërheqja e audiencës nga agjenda ruse, në atë ukrainase.
Sipas saj, nevojitet mobilizim i të gjitha mediave në mënyrë që propaganda dhe dezinformatat ruse të mos shtrijnë ndikimin e tyre.
Intervista e plotë:
Rakovitsa: Audienca jonë kryesore para pushtimit në shkallë të plotë ishin njerëzit që janë në okupim në rajonin Donetsk dhe Luhansk. Ne zhvilluam gjithashtu Forumin “Donbas Media”, e cila është një ngjarje e madhe mediatike për gazetarët vendas ukrainas dhe tani po përpiqemi të zgjerojmë aktivitetin tonë dhe duam të nisim disa projekte ndërkombëtare.
Që nga viti 2014, audienca jonë kryesore janë njerëzit nga zonat e pushtuara, nga territore të pakontrolluara. Ne po punojmë për ta, po luftojmë për ta, për sensibilizimin e tyre, po luftojmë për dashurinë e tyre, po luftojmë për ukrainasit në okupim.
Shumë shpesh njerëzit na pyesin për konkurrentët tanë dhe unë personalisht nuk i shoh si konkurrentë tanë media tjera me origjinë kombëtare ukrainase, sepse besoj vërtet në sinergji dhe mendoj se konkurrentët tanë kryesorë janë pro-Kremlin dhe mediat ruse, ato media të cilat mbështeten nga të ashtuquajturat Republika LPR dhe DPR. Pra, ne e kuptojmë se ata janë një fuqi e madhe dhe kanë shumë përvojë, ata filluan të punojnë në këtë sferë ndoshta në mesin e shekullit të kaluar, kanë shumë fonde, kanë shumë burime, ata kanë shumë ambasadorë në të gjithë botën dhe ne duhet të luftojmë me ta, ne duhet të luftojmë për popullin tonë dhe ne duhet ta tërheqim audiencën tonë nga një agjendë ruse në agjendën ukrainase.
Prandaj mendoj se, për fat të keq, ne kemi një përvojë të madhe në punën kundër propagandës ruse..
The Geopost: Ju thatë, për fat të keq, ju jeni ekspert i dezinformimit. Pse?
Rakovitsa: Sepse, unë dua të jetoj në një botë ideale pa asnjë pengesë, pa asnjë të keqe, dhe në mesin e tyre është propaganda ruse, dhe mes tyre ata njerëz që duan të tërheqin njerëzit tanë. Ne shohim që Rusia përpiqet të mbajë ndikimin e saj në të gjitha proceset në mbarë botën, e kam fjalën si në Evropë ashtu edhe në vendet e Ballkanit, në vendet baltike, në vendet e Azisë Qendrore dhe natyrisht në Ukrainë. Ata e bëjnë këtë vetëm për të mbajtur ndikimin e tyre në pushtetin vendor, në pushtetin kombëtar dhe duan të ndërhyjnë në agjendën dhe në punët e vendeve të tjera.
Dhe ne bëjmë shumë dhe punojmë shumë me ta. Prandaj, unë dua të jetoj në një Ukrainë të bukur dhe një botë të bukur të së ardhmes, ku nuk ka asnjë armik të tillë si Rusia.
The Geopost: A keni një strategji për të luftuar dezinformimin rus?
Rakovitsa: Ne jemi sikur urat, mund të shohim shumë ura të shkatërruara midis gjithçkaje. Tani kur Rusia sulmon diçka, lokalitete të ndryshme, përpiqen të shkatërrojnë ura të mëdha fillimisht, sepse urat janë mënyra e komunikimit, mënyra e furnizimit, mënyra e gjithçkaje. Ata shkatërruan shumë ura midis njerëzve në territoret e pushtuara në Ukrainë. Dhe tani ka forca të organizatave të ndryshme të vogla, nisma të vogla si e jona, si News of Donbass, si media të tjera ukrainase, media të tjera lokale që ndërtojnë këto ura shumë të vogla, shumë të dobëta dhe përpiqen të bëjnë diçka me to. Në të njëjtën mënyrë tani bëjnë organizata të ndryshme që ndihmojnë njerëzit të bëjnë, ushqime apo gjëra të tjera.
Por unë vërtet besoj në sinergjinë dhe mendoj se ne duhet të bashkohemi dhe të gjithë duhet të kemi strategjinë e bashkuar se si të komunikojmë me njerëzit nën okupim, si t’u sjellim dinjitetin, si t’u kthejmë atyre sigurinë dhe si ti kthejmë ato në agjendën e Ukrainës. Dhe unë mendoj se tani ne nuk duhet vetëm të reagojmë ndaj propagandës ruse, por, duhet të bëjmë diçka paraprakisht.
Për shembull, vitin e ardhshëm do të bëhen 25 vjet të udhëheqjes së Putinit në Rusi, 25 vjet. Është një periudhë kaq e madhe, dhe shumë të rinj kanë lindur gjatë drejtimit të Putinit. Mendoj se tani të gjithë ne, në mënyra të ndryshe, si ukrainas dhe disa media të tjera duhet të përpiqemi të bëjmë diçka, të përpiqemi të dërgojmë disa mesazhe për këtë ngjarje.
Para disa muajsh në Rusi ka pasur një fushatë elektorale, ata e bënë këtë të ashtuquajtur fushatë zgjedhore edhe në rajonet nën okupim, dhe ne nuk duhej pritur vetëm të reagonim, do duhej të bënim diçka paraprakisht, jo vetëm të reagonim në dezinformata, por të përpiqeshim të formonim dhe formulonim agjendën tonë që ata të reagojnë, sepse e dimë që lajmet e rreme kanë një jetë shumë të gjatë, por demantimet, nuk kanë një jetë kaq të gjatë. Jo aq shumë njerëz klikojnë në demante, por shumë njerëz do të klikojnë në lajme të rreme. Kështu që unë mendoj se nëse fillojmë të bëjmë diçka paraprakisht për ta bërë këtë agjendë, pra, jo vetëm të reagojmë, por thjesht ta paraprijmë, mendoj se mund të bëjmë diçka në këtë sferë. Por sigurisht që nuk është e lehtë sepse ne kemi nevojë për shumë analiza dhe tani jetojmë në luftë dhe çdo ditë po ndodhë diçka e re, tani po marrin rajonin e Kharkovit, nesër do të marrin diçka të re dhe ne duhet të veprojmë.
Por tani duhet të fillojmë të mendojmë se çfarë do të ketë pas përfundimit të kësaj faze aktive të luftës. Sepse të gjithë ne e mbajmë mend atë që ndodhi në shekullin e 20-të. Kur pas Luftës së Parë Botërore kishim Luftën e Dytë Botërore. Dhe tani mendoj se të gjithë ne, në mbarë botën, duhet të mendojmë se si të parandalojmë të njëjtën luftë në të ardhmen, si të punojmë me popullatën ruse, me liderët rusë, e kam fjalën për palët ruse, mediat demokratike ruse dhe të tjerët, sepse Rusia nuk do të zhduken, do të jenë gjithmonë. Por mendoj se duhet të ndryshojmë strategji dhe jo vetëm të reagojmë, por të bëjmë diçka paraprakisht.
/The Geopost