Drejtori i Institutit KIPRED dhe ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, në një intervistë dhënë për The Geopost foli për luftën në Ukrainë, pasojat e saj në nivel global e rajonal, sa do të ndikojë kjo luftë në përshpejtimin e proceve integruese për vendet e Balkanit, pra edhe Kosovën dhe cili do të jetë pozicionimi i Serbisë karshi Rusisë në vazhdim pas zgjedhjeve të javës së kaluar atje.
Në vazhdim mund të lexoni intervistën e plotë:
The Geopost: Agresioni rus ë Ukrainë ka hyrë në muajin e dytë, i përcjellë me krime të trupave ruse dhe rezistencë heroike të ushtrisë e të popullsisë ukrainase. Si e shihni kohëzgjatjen e kësaj lufte dhe pasojat e saj në nivel global, e në veçanti në atë rajonal e Ballkanik?
Peci: Para së gjithash, kjo luftë e ka vënë në pikëpyetje të madhe pretendimin e Rusisë për statusin e saj të një superfuqie globale, me tendenca për të krijuar një zonë të influencës dhe nënshtrimit në fqinjësinë e saj të afërt. Ky agresion ka vënë në pah mungesën e kapaciteteve moderne konvencionale të Kremlinit për të udhëhequr në menyrë të suksesshme edhe një luftë në rajon, dhe atë me një shtet shumë më të vogël, si me resurse njerëzore, ashtu edhe me armatim, me ç’rast është grisur edhe perdja e mitit të fuqisë konvencionale ushtarake ruse. Nëse Rusia nuk do të posedonte armatim nuklear, në këtë gjendje, ajo do të ishte një fuqi pa relevancë të theksuar në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kohëzgjatja e kësaj lufte do të varet nga objektivat ushtarake, si të Moskës, ashtu edhe të Kievit. Nëse Rusia do të tërhiqet dhe gjithë territori i Ukrainës, përpos Krimesë, Donetskut dhe Luganskit, atëherë do të kerkojë armëpushim, mendoj se lufta do të ndalet mjaft shpejt. Mirëpo në këtë rast, Rusia do të tentojë që të vërë në lojë skenarin e Osetisë Jugore dhe Abhkazisë për keto dy regjione dhe njëkohësisht duke e konsideruar Krimenë si pjesë integrale të saj. Përmes këtij opsioni, Rusia do të tentojë që ta thyejë unitetin e Perëndimit dhe të kërkojë heqjen e sanksioneve, për t’u dhënë “shansë” bisedimeve, duke e ngulitur njëkohësisht prezencën e saj në këto territore të okupuara të Ukrainës dhe vendosjen e një konflikti të ngrirë, me kohëzgjatje të paparashikuar. Nëse Perëndimi heq dorë nga sanksionet dhe i lejon Rusisë që ta vërë në jetë këtë opsion, atëherë me këtë do të legjitimohet prishja e pandëshkuar e rendit ndërkombëtar, gjë që edhe e dëshiron Rusia në aspekt afatgjatë.
Në anën tjetër, nëse objektiv i Kievit në situatën e tanishme do të bëhet ri-kthimi i territoreve të okupuara të Donetskut, Luganskit dhe Krimesë, zgjatja e luftës veshtirë që do të mund të parashikohet.
Pasojat e kësaj lufte në nivelin global, më së shumëti do të jenë të natyrës ekonomike, por edhe politike. Mendoj që një numër i konsiderueshëm i përkrahësve të mbetur të Rusisë, do të ndërrojnë qëndrimin e tyre me kohë, pikë së pari për shkak të kalkulimeve gjeopolitike, por edhe për shkak të zvenitjes së fuqisë dhe sidomos kredibilitetit të Kremlinit në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Ndërsa, për sa i përket Ballkanit, kjo luftë do ta kufizojë ndikimin e deritanishëm rus, mirëpo këtu duhet pasur kujdes, sidomos nga elementet subverzive ruse, të cilat mund edhe të sfidojnë establishmentet shtetërore në rajon dhe me këtë edhe paqen e sigurinë, dhe atë më së shumëti në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë.
The Geopost: Me gjithë solidaritetin që bota demokratike, përfshirë edhe Kosovën, ka me Ukrainën, disa analistë thonë se kjo situatë mund të shfrytëzohet në të mirë të proceseve që u intereson shteteve te Ballkanit, pra edhe Kosovës, sidomos në aspektin e përshpejtimit të procesve integruse në BE dhe në NATO, si dhe të gjetjes akute të mekanizmave që garantojnë siguri e paqe në rajon. Çka mendoni ju për këtë?
Peci: Bota në të cilën jemi duke jetuar, definitivisht nuk është e njëjtë me atë të para agresionit rus në Ukrainë. Kjo situatë jep edhe mundësi të ngjashme, por jo edhe të amplitudës së njëjtë me atë të fillimit të Luftës së Ftohtë në fund të viteve të 1940-ta dhe fillimin e 1950-ve per hermetizimin e Perëndimit në raport me Rusinë. Definitivisht kjo situatë ka krijuar nje momentum për integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE, si dhe Kosovës, si të vetmit vend aspirant në rajon, në NATO, per të permbyllur kapitullin e sigurisë rajonale dhe amputimin e ndikimit rus. Në anën tjetër, shtimi i prezencës së NATO-s në Shqipëri dhe prezenca e KFOR-it në Kosovë, paraqesin forcë prapësuese (deterrente) ndaj elementeve që kanë ambicie të konflikteve të armatosura në rajon. Në këtë aspekt rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit të përshpejtuar në NATO kalon përmes një rruge tridimensionale, dhe atë përmes Uashingtonit, dialogut me Serbinë dhe katër vendeve mosnjohëse të Aleancës, të cilat janë të nderlidhura me njëra tjetrën.
The Geopost: Të dielën u mbajtën zgjedhjet nacionale e presidenciale në Serbi dhe prap fitore bindëse shënoi Aleksadër Vuçiq dhe partia e tij. Dihet se Serbia ka hezituar t’u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, e nga ana tjetër nuk heq dorë nga synimi për t’u bërë anëtare e BE-së. A ka ardhur koha që Serbisë t’i pamundësohet të rrijë në dy karrige dhe cilën nga ato do të zgjidhte Serbia sipas jush?
Peci: Unë mendoj se është koha e fundit që Serbise t’i bëhet me dije se mëtutje nuk mund të qëndrojë në dy karrige, sidomos pas agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë. Mendoj se presioni ndaj Beogradit do të rritet dhe Vuçiqi do të tentojë që të nxirret maksimumi nga ndryshimi eventual i qëndrimit të tij. Momentalisht Beogradi eshte duke luajtur me politikën e tehut të thikës në raport me Rusinë dhe Perëndimin, duke i përkrahur rezolutat e Kombeve të Bashkuara në njërën anë, duke u paraqitur si faktor i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe duke mos i vënë Rusisë sanksione në anën tjetër. Mendoj se Beogradi do ta vazhdojë këtë politikë, duke u munduar që t’i krjojë vetes një hapësirë manovrimi, e cila do të varet edhe nga përfundimi i luftës në Ukrainë.
Këtu, tani duhet të vijë edhe roli i Kosovës, për ta sfiduar këtë politikë të Serbisë, jo vetëm duke qenë në anën e Perëndimit kundrejt Rusisë, që është një gjë më se natyrale, por duke revitalizuar partneritetin e zvenitur me Uashingtonin dhe Brukselin, si dhe duke u sforcuar si faktor i paqes dhe stabilitetit, si atij të brendshëm, ashtu edhe rajonal. Kështu, Kosova do t’ia hiqte Vuçiqit këtë adut nga dora dhe do të krijonte rrethana më të favorshme për dialogun me Serbinë. Pas zgjedhjeve presidenciale në Francë, rundi i parë i të cilave do të mbahet javën e ardhshme, më në kryeqendrat e Quintit nuk do të ketë zgjedhje për një kohë të konsiderueshme dhe këtë kohë Kosova duhet ta shfrytëzojë për arritjen e një marreveshjeje me Serbinë, që do të hapte rrugën për njohjen nga katër vendet e NATO-s, dhe rrjedhimisht konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Fatmirësisht, si për hyrje në BE, ashtu edhe në NATO, Kosovës nuk i duhet antarësimi në OKB, ku Rusia e ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, organ ky pergjegjës dhe me të drejtë ekskluzive për propozimin e anëtarëve të rinj në këtë organizatë.