
Operacionet hibride dhe dezinformimi janë bërë mjete të fuqishme për të ndikuar zhvillimet politike dhe shoqërore.
Ndërsa Rusia, përmes këtyre taktikave, ka ndikuar ndjeshëm në rajone të ndryshme, përfshirë shtetet baltike, Ukrainën dhe Ballkanin, duke synuar destabilizimin dhe përçarjen.
Kështu thotë në një intervistë për The Geopost, Tapio Pyysalo, drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në “Hybrid CoE”, derisa nënvizon se Ballkani duhet të forcojë qëndrueshmërinë ndaj dezinformatave.
Intervista e plotë:
The Geopost: A mund të na tregoni për ndikimin rus dhe operacionet hibride në rajonin tuaj?
Pyysalo: Kohët e fundit fokusi kryesor ka qenë tek ndërprerjet e tjera të kabllove në Detin Baltik dhe dezinformatat rreth tyre. Por sigurisht, një nga ngjarjet më të rëndësishme kohët e fundit ishte edhe shkëputja e vendeve baltike nga rrjeti rus i energjisë, dhe këtu pati shumë aktivitet dezinformues, por mendoj se në fund gjithçka doli mirë dhe kjo lloj shkëputjeje nga lidhjet me Rusinë është sigurisht shumë e rëndësishme për rajonin.
The Geopost: Cila është situata në shtetet baltike? Si i zbuloni këto sfida dhe si i luftoni ato?
Pyysalo: Në fakt do të thoja se shtetet baltike kanë pasur gjithmonë një lloj qëndrueshmërie të fortë ndaj dezinformatave për shkak të dekadave të trajnimit për edukimin mediatik, dhe gjithashtu ka një konsensus dhe besim të mirë në shoqëri në shumë vende baltike, kështu që mendoj se është e vështirë për Rusinë t’i arrijë qëllimet e saj me dezinformim, por në të njëjtën kohë, vendet baltike po ndërtojnë gjithashtu mbrojtjen e tyre kundër dezinformimit, për shembull, duke monitoruar mjedisin mediatik, duke identifikuar narrativat që po fitojnë terren dhe duke i debutuar ato narrativa, për shembull, përmes komunikimit aktiv strategjik e kështu me radhë, por mendoj se shoqëritë në shtetet baltike janë në fakt mjaft mirë të përgatitura për dezinformim.
The Geopost: Çfarë sfidash shihni sot në Ukrainë? Si i shikoni këto sfida tani, tre vjet pas agresionit rus në Ukrainë?
Pyysalo: Ukraina është sigurisht një shembull shumë i veçantë. Është vazhdimisht nën sulm aktiv nga dezinformimi rus, por me kalimin e viteve, sipas mendimit tim, ka ndërtuar gjithashtu mbrojtje shumë të forta kundër këtij dezinformimi. Në thelb, e gjithë shoqëria punon së bashku për të luftuar dezinformimin. Ata janë shumë të mirë në ekspozimin e dezinformatave. Ata kanë sisteme dhe procedura të shkëlqyera. Shoqëria civile në tërësi është shumë aktive. Shumë burime janë vënë për dezinformimin, kështu që unë mendoj se ato janë gjithashtu mjaft qëndrueshme, dhe gjithashtu përdorin shumë burime. Ata janë të mirë në identifikimin e narrativave që po fitojnë terren, dhe ata janë të mirë në debutimin e tyre. Kështu që unë mendoj se mbrojtja e tyre është padyshim në vend.
The Geopost: Cili është mesazhi juaj për gazetarët në Ballkan, veçanërisht në Kosovë, dhe për organizatat që po luftojnë gjithë këtë dezinformim, sepse edhe ndikimi rus në Ballkan është shumë i madh?
Pyysalo: Unë mendoj se ne në fakt po shohim Rusinë duke përdorur pothuajse të njëjtat narrativa në Baltik si edhe në Ballkan, për shembull duke u përpjekur të përçajë Bashkimin Evropian, duke u përpjekur ta ndalojë nga zgjerimi, duke u përpjekur për të penguar këto procese të anëtarësimit në BE, për shembull, gjithashtu duke fajësuar Perëndimin për agresion, ndërsa në fakt është Rusia ajo që po kryen agresion kundër Ukrainës e kështu me radhë. Pra, pak a shumë unë mendoj se narrativat janë të ngjashme dhe ne po sfidohemi nga të njëjtat lloje metodash.
Mendoj se mesazhi kryesor do të ishte që Ballkani me të vërtetë të forcojë qëndrueshmërinë ndaj dezinformatave, të forcojë edukimin mediatik, forcimin e institucioneve demokratike për të pasur besim më të mirë në shoqëri, sepse nëse keni besim të mirë në shoqëri, atëherë edhe ato lloj mesazhesh zyrtare dhe komunikimi strategjik i qeverisë ka një shans më të mirë për të fituar në këtë mjedis mediatik.
/The Geopost