Kryetari i Aleancës Atlantike të Malit të Zi, Savo Kentera, shpjegon situatën politike në Mal të Zi, e cila sipas tij, kurrë nuk ka qenë më e komplikuar sa tani. Në një intervistë për The Geopost, Kentera paraqet një pamje më të gjerë të çështjeve të hapura rajonale, ndërsa i ndërlidh ato me zhvillimet aktuale të tensionuara në Mal të Zi.
Ja intervista e plotë:
The Geopost: Si e komentoni situatën politike në Mal të Zi?
Kentera: Asnjëherë nuk ka qenë më e komplikuar. Do të thoja, madje, se pas 30 gushtit të vitit të kaluar kur ndodhi ndrrimi i pushtetit dhe kur një pjesë e madhe e qytetarëve të ngopur me politikën e 30 viteve të fundit, erdhi një pushtet i ri nga i cili pritej shumë duke llogaritur se gjërat do të ndryshojnë për të mirë dhe se Mali i Zi do të mbetet i vendosur të jetë pjesë e Perëndimit dhe Evropës. Njerëzit e bazonin këtë pritje në marrëveshjen e nënshkruar që garantonte se Mali i Zi do të mbetej vendosmërisht i përkushtuar ndaj integrimeve euroatlantike dhe atyre evropiane. Kjo ofrote një dimension premtues se disa gjëra do të përmirësohen, por, pas një viti jemi dëshmitarë se sidomos kur flitet për BE-në, nuk ka shumë ndryshime pozitive. Përkundrazi, raporti i fundit i Komisionit Evropian për përparimin e Malit të Zi është mjaft negativ. Ai është pozitiv vetëm lidhur me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kurse në këto segmente qeveria dhe kryeministri pikërisht tash duan të bëjnë ndryshime, të ndrrojë ministra, përkatësisht ministrin e punëve të brendshme, ndonëse rezultatet më të mira janë arritur pikërisht në këtë fushë.
Pra, pas një viti kemi situatën që përcaktimi ynë kundrejt vlerave perëndimore dhe krejt asaj që paraqet Prëndimi, është vetëm një shkronjë në letër. Kemi plot fjalë dhe premtime për ta kënaqur bashkësinë ndërkombëtare dhe për të krijuar përshtypjen se ne jemi vërtetë të përkushtuar ndaj Perëndimit, kurse, në thelb, kam përshtypjen se bëhet e kundërta e saj. Ajo që shihet, në institucionet e sistemit nuk flet në dobi të kësaj. Përkundrazi, mendoj se ajo qasje duhet të ndalet sa më parë, në mënyrë që Mali i Zi të mos rrëshqasë në një drejtim krejtësisht të gabuar, në mënyrë që ai të mbetet edhe më tej partner i përkushtuar i Perëndimit. Për këtë arsye them se situata është jashtëzakonisht e komplikuar, edhe për arsye se qeveria nuk e ka përkrahjen e shumicës, e prap disi mbetet në pushtet. Situata është e komplikuar edhe për arse se askush nuk i dëshiron zgjedhjet, sepse ato pak a shumë do të sillnin situatë të njejtë, me rezulatat pozhuaj identik si para një viti. Zgjidhjet duhet kërkuar në disa drejtime të tjera dhe ajo që i duhet Malit të Zi është një qeveri civile, qeveri në të cilën përfundimisht nuk do të ketë vend për Frontin Demokratik ose për çfarëdo ekstremi, nga cilado anë që vjen. Pra, na duhet një qeveri e pajtimit, para së gjithash properëndimore, qeveri e cila nuk do të ngurrojë t’u flasë qytetarëve të Malit të Zi, se ajo është qeveri properëndimore dhe se, në çdo mënyrë që të mundohet të forcojë partneritetin tonë me aleatët e NATO-s dhe SHBA-të, kurse Rusia dhe Kina do të jenë në plan të dytë, të tretë, ose të pestë. Këto të fundit, nuk kanë çfarë të kërkojnë përveç atyre minimumeve që janë të nevojshme për të pasur marrëdhënie diplomatike me to, por, ne duhet të mbetemi sferë interesi e Perëndimit.
The Geopost: Çka mendoni për vizitën e disa ekstremistëve malazezë te kufiri i Kosovës gjatë tensioneve atje?
Kentera: Lloji i tillë gjithmonë tenton të mbledhë pikë kudo që mundet e sido që mundet, në këtë rast duke tentuar që të paraqitet si mbrojtës i dikujt dhe diçkaje në Kosovë. Fundja, nuk e di çka duhet të kërkojnë ata atje. Po të kishin dashur ta mbronin Kosovën s’e di nga kush, atëherë është dashur të ishin atje ngaherë, e jo tash kur e dinë se kujt i konvenon një situatë e tillë në Kosovë, në të vërtetë e dinë se i konvenon Rusisë.
The Geopost: Gjatë këtyre tensioneve në veri të Kosovës ishte i pranishëm edhe ambasadori rus në Beograd, së bashku me disa përfaqësues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë. Si e komentoni praninë e tij në brezin kufitar?
Kentera: Mendoj se Rusia do të shfrytëzojë çdo rast jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, pra edhe në Mal të Zi, për të treguar se është e interesuar për rajonin dhe s’e nuk dëshiron që atë t’ia lënë në dorë Perëndimit. Krejt ajo që thashë më parë që ka ndodhur dhe po ndodhë në Mal të Zi, është pikërisht pasojë e një politike të tillë ruse. Ardhja e mbasadorit rus në kufi të Kosovës është vetëm një manifestim i politikës ruse në vazhdimësi dhe për këtë nuk ka fare dilemë. Kush ka menduar se Rusia ka hequr ose do të heqë dorë nga rajoni, është në lajthitje të madhe. Rusia do të bëje ç’është e mundur se një Mal i Zi si anëtar i NATO-s e vend demokratik, mund të destabilizohet, se në të mund të krijohet kaos dhe për të dëshmuar më vonë se as NATO-ja nuk është aq e mirë dhe se nuk paraqet dicka ideale, në mënyrë që nesër ajo që bëhet në Mal të Zi, të përdoret edhe kundrejt cilitdo vend tjetër anëtar të NATO-s. Pra, nuk është fjala vetëm për atë që po ndodhë në Mal të Zi, por për një eksperiment që mund t’i ndodhë cilitdo vend. Andaj shpresoj se vendet tjera do të jenë më të mënçura se ne, të mësojnë nga ne se si nuk guxojnë t’i lejojnë as Rusisë, as Kinës, as cilitdo vend tjetër që të përzihet në punët e tyre të brendshme. Ne duhet të zhvillojmë politikën tonë në mënyrë të pavarur. Mendoj se nga një distancë kohore, pas 10 ose 20 vjetësh do t’i dëshmohet se ka qenë mirë që është ndrruar pushteti pas 30 vjetësh, kurse kjo periudhë pas ndrrimit të pushtetit do të jetë vetëm një episod kalimtar i vogël e i shëmtuar në procesin e formimit të shoqërisë si shoqëri demokratike. Thjesht duhet të dëshmojmë se jemi mjaft të pjekur për të kapërcyer të gjitha pengesat para nesh e të cilat, sipas meje janë krejtësisht normale për formësimin e çdo shoqërie, pra edhe të asaj malazeze. Këtë do t’ju duhet edhe juve në Kosovë ta kaloni dhe është mirë që njerëzit të mësohen me këto gjëra, është mirë t’i njohin me kohë disa procese të caktuara për të mos lejuar që cilido faktor nga jashtë që nuk ia do të mirën as Kosovës, as rajonit, të mos mund të ketë hapësirë më tepër se që ne i lejojmë.
The Geopost: Cili është ndikimi i Kishës Orthodokse ruse në Mal të Zi, a është i prekshëm ai, a ka shembuj?
Kentera: Për fat të keq ky ndikim është i madh, si tani e edhe më parë. Ai është shprehur sidomos para zgjedhjeve të fundit parlamentare, kur u vu në lëvizje i tërë procesi i manifestimeve kishtare, pas nxjerrjes së të famshmit Ligj për liritë fetare të cilin e shfrytëzoi Kisha Orthodokse Serbe, pikërisht për të filluar me mardhe të tilla masive në Mal të Zi. Në të vërtetë, mendoj se e tëra ishte projektuar pikërisht në Rusi, kurse Serbia dhe Kisha Orthodokse Serbe kanë shërbyer si instrument për jetësimin e politikës ruse në Ballkan. Kur Serbia e ka kuptuar se edhe vetë mund t’i bëjë disa gjëra në Mal të Zi, ajo e ka shfrytëzuar momentin përmes Kishës Orthodokse Serbe për të prodhuar atë që sot kemi në Mal të Zi. Ajo që duhet të apostrofohet është se kisha duhet të merret me çështje kishtare, me propagimin e fesë, t’u përmbahet suazave kishtare, e jo të merret me politikë siç ka bërë në Mal të Zi, duke caktuar madje edhe politikën e brendshme edhe anëtarët e qeverisë. Le ta punojë çdokush punën e vet dhe çdokush do të jetë i lumtur. Kishën Orthodokse në Mal të Zi askush nuk do ta prekë, nuk e ka prekur me shekuj askush, as që ka të drejtë ta bëjë këtë. Ajo ka vazhdimësinë e saj, është një institucion i veçantë që meriton respekt dhe gjithmonë do të jetë e pranishme këtu. Por, të mos presë kush që ajo kishë ose cilado kishë tjetër do të mund të luajë me shtetin e Malit të Zi, ashtu siç pikërisht po ndodhë. Kjo s’do të lejohet dhe çdo tendencë e tillë do të dështojë dhe kjo do të dëshmohet shumë shpejt.
The Geopost: Cili është ndikimi i Rusisë në mediet në Mal të Zi, a keni analizë konkrete lidhur me këtë?
Kentera: Ne kemi Qendrën Digjitale Forenzike që në vazhdimësi merret me këtë, me zbulimin e ndikimit të huaj në medie. Para do kohe kemi botuar një studim për ndikimin rus në Mal të Zi, duke zbuluar në detaje se si sillet Rusia në Mal të Zi dhe në Ballkan, cili është modus operandi i saj, përmes cilave institucione dhe organizata, si e bën këtë përmes Kishës Orthodokse Serbe dhe asaj ruse, si finansohen ato, cilat janë organizatat joqeveritare me të cilat bashkëpunojnë, etj. Në këtë studim që mund ta gjeni edhe në portalin tonë DFC mund të shihni të përshkruara në mënyrë precize të gjitha modelet dhe mënyrat në të cilat Rusia punon me anë të medieve të caktuara në Mal të Zi. Ka mediume që absolutisht nuk fshehin se punojnë për Rusinë dhe propagojnë interesat ruse, siç është p.sh portali info.rs ose “Borba”. Por ka edhe shumë të tjerë që punën e bëjnë në mënyrë shumë më të fshehtë e të paskrupullt. Egzistojnë edhe mediume të tilla që kanë tentuar në mënyrë perfide të realizojnë politikën ruse në medie, duke plasuar narrative të caktuara, që nuk duken si lajme të rreme dhe dezinformata, por ndikojnë në krijimin e opinionit publik dhe mund të jenë shumë më të rrezikshme se ç’është vetë plasimi i lajmeve të rreme dhe dezinformatave.
Duhet thënë se ata janë shumë të sukseshëm në këtë, sepse kanë terren të përshtatshëm për diçka të tillë në Mal të Zi, kur dihet se ka shume njerëz të paarsimuar të cilët u besojnë të gjithave që lexojnë ose dëgjojnë në medie. Është e njohur thënia se kur disa herë e përsërit një gënjeshtër, ajo mund të duket si e vërtetë dhe pastaj është e kotë ta demantoni atë. Më duket se kjo ka lidhje edhe me mitin që egziston në Rusi dhe në Mal të Zi e që është krijuar me shekuj, për vëllazërimin dhe miqësinë shekullore të malazezëve e të rusëve. Por, kjo s’është asgjë tjetër pos mitit, meqë s’ka asgjë reale nga ajo. Nëse merret realiteti atëherë do të shihni se malazezët në thelb gjithmonë kanë qenë të kthyer nga perendimi, përveç individëve të cilët kanë tentuar në çdo mënyrë që Lindja, përkatësisht Rusia të paraqiten si diçka shpëtimtare dhe me fat për Malin e Zi, gjë që është në kundërshtim të plotë me realitetin.