Dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës po konsiderohet të kenë ndodhur në koordinim të plotë mes presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe rusëve dhe se bashkëpunimi ndërmjet Beogradit dhe Kremlinit gjithmonë synon destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Njohësi i sigurisë, Gynen Venhari thotë se krejt kjo erdhi pas refuzimit që Serbia i bëri planit franko-gjerman. Duke thënë se është në interes të shtetit serb përshkallëzimi i situatës në veri të vendit, ai shton se Kosova duhet që vazhdimisht të ketë koordinim me aleatët e saj.
Ai shprehet se Serbia me veprimet e fundit synon të bllokojë Kosovën në proceset e mëtutjeshme dhe të mbajë peng arritjen e marrëveshjes finale.
“Normal që përshkallëzimi dhe destabilizimi i situatës çdo herë është në favor të Serbisë dhe sipas informatave që i kemi dhe analizave të parët ë lajmeve të medieve serbe në ditën e shtunë e kemi vërejtur se koordinimi i gjithë kësaj proteste dhe gjithë kësaj iniciative të politikanëve. Ata çdo herë munden dhe pritet që ta bëjnë destabilzimin e veriut të Kosovës për ta bllokuar Kosovën në procese të mëtutjeshme si dhe largimi dhe sa më shumë i marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia do ta shfrytëzojë veriun si AD të vetin për përshkallëzimin e situatës në veri”, shprehet Venhari.
Drejtori i The Geopost, rëndësi të veçantë i jep raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe faktorit tjetër ndërkombëtar.
“Kosova duhet çdo moment të ketë koordinim me aleatët e saj dhe nuk kemi alternativë tjetër. Shpresoj se nuk do të ketë destabilizim të mëtutjeshëm. Institucionet tona duhet të jenë vigjilente dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar”, thekson ai në një intervistë për KosovaPress.
Sipas tij, vigjilenca e institucioneve të Kosovës duhet rritur marrë parasysh faktin se Vuçiq gjithmonë mundohet të gjejë pretekste për të zhvendosur dialogun me gjëra të tjera.
“Ne si ekip i The Geopost i kemi analizuar këto ngjarje dhe refuzimi i planit franko-gjerman tani nga Vuçiq ka sjellë si pasojë gjithë këto ngjarje të cilat kanë qenë mjaft mirë të koordinuara në aspektin e tyre. Serbia çdo herë gjen pretekste dhe barriera që ta bllokojë apo ta zhvendosë dialogun apo marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Situata ka qenë mjaftë serioze dhe për mua është mjaft shqetësues takimi i së shtunës me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Botsan-Kharchenko dhe pas ditës së shtunë kanë filluar gjithë këto protesta dhe ngjarje në veri të cilat me siguri kanë qenë të koordinuara në mes Vuçiqit dhe aleatëve të tij rus dhe destabilizimi i Kosovës përmes strukturave ilegale në veri si dhe strukturave të sigurisë të cilat në shumicën e rasteve kanë ndikim shërbimi sekret rus në strukturat e sigurisë për ta destabilizuar dhe sfiduar jo vetëm Kosovën por edhe perëndimin në rastet e veta”, shton ai.
Venhari thekson se dorëheqja e zyrtarëve serbë është sfiduese për sovranitetin e Kosovës.
“Ata automatikisht i kanë nënshkruar kontratat dhe janë pjesëtarë të Mbrojtjes Civile të veriut dhe është mjaftë sfiduese për sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe vlen të shihet se cilët do të jenë hapat e mëtejshëm për gjithë këtë situatë e cila është duke ndodhur. Vlen të ceket dhe mos të harrojmë se veriu i Republikës së Kosovës ndikimin më të madh e ka edhe strukturat ilegale dhe kriminale serbe në krye me Milan Radoiqiq dhe Zvenko Veselinoviq, ata u shpallën në listën e zezë nga thesari amerikan dhe është mjaftë shqetësuese sesi shteti serb nuk ndërmerr asgjë e vetëm i fuqizon ata. Vuçiqi çdo herë i ka fuqizuar ata për interesa elektorale dhe tani ata shfrytëzohen prej presidentit serb dhe strukturave të sigurisë për të bërë destabilizimin e Kosovës përmes strukturave të tyre kriminale”, thekson Venhari.
Sa i përket bashkëpunimit serbo-rus, Venhari thotë se u pa edhe ne protestën e fundit në veri të Mitrovicës.
“Rusia është e pranishme jo vetëm në veri të Kosovës por edhe trazirat që ajo mund t’i bëjë përmes shërbimit serb dhe shtetit serb dhe institucioneve serbe në Mal të Zi, në Bosnjë e Hercegovinë, vijmë te një konkludim mjaftë i qartë se ata çdo herë kanë dëshirë t’i imponojnë temat e tyre dhe destabilizimin e paqes në Ballkan”, thotë ai.
Në fund, ai shprehet se Kosova ka mjaftueshëm kapacitete të sigurisë për ta menaxhuar situatën në veri.
“Absolutisht që Republika e Kosovës ka kapacitetet e saja si në Polici, si të sigurisë. Është investuar mjaftë por duhet të investohet ende, por unë shpresoj si qytetar i Kosovës që shteti im ka kapacitete që ta kontrolloj dhe ta menaxhoj këtë situatë“, përfundon Venhari.
Nga 5 nëntori, kanë nisur dorëheqjet e zyrtarëve serbë nga përgjegjësitë institucionale qendrore dhe lokale në Kosovë. Mandatet e tyre tashmë i kanë dorëzuar edhe 10 deputetët e Listës Serbe.
Këto veprime kanë rezultuar pas vendimit për suspendim të drejtorit të Policisë në Veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, pasi ky i fundit refuzoi të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për regjistrim të targave. /The Geopost/