Intervistë ekskluzive për The Geopost, Gjenerali Izraelit Amir Avivi (Gjeneral brigade)
TheGeopost: Si është situata tani në Izrael pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor?
Ne u kapëm në befasi dhe kishte më shumë se 3,000 terroristë që sulmuan qytetet tona në jug. Ishte një masakër e 1,400 civilëve dhe ushtarëve, kryesisht civilë dhe ishte një skenë shumë, shumë brutale, do të thosha që nga holokausti, njerëzit u dogjën të gjallë, u përdhunuan, u prenë kokat e fëmijëve ose u vranë foshnjat dhe kemi 240 njerëz që janë rrëmbyer dhe janë pengje në Gaza.
Izraeli, pas kësaj, shpalli gjendje lufte, ne nuk kemi shpallur luftë që nga Yom Kippur, 50 vjet më parë dhe duhet të them se kjo luftë është shumë më e madhe dhe shumë më e ndërlikuar se Yom Kippur.
Na u deshën tre ditë për të fituar përsëri kontrollin e plotë të jugut dhe për të vrarë terroristët që hynë në Izrael, ne vramë më shumë se 1,000 terroristë brenda Izraelit dhe shumë prej tyre u kthyen në Gaza dhe pas kësaj qeveria vendosi qëllime shumë të qarta për luftën, dhe qëllimi është të shkatërrohet plotësisht Hamasi dhe Xhihadi Islamik Palestinez dhe gjithë infrastruktura e tyre brenda Rripit të Gazës dhe të sigurohet që ata kurrë nuk do të jenë më në gjendje të rindërtojnë forcat e tyre.
Nga pikëpamja ushtarake, kjo në thelb do të thotë marrjen e të gjithë Rripit të Gazës, pushtimin e të gjithë Rripit të Gazës dhe më pas çmontimin e gjithë infrastrukturës terroriste, kjo është diçka që mund të zgjasë shumë, shumë muaj dhe ndoshta më shumë se një vit dhe pastaj në fund të fundit, pas gjithë kësaj, pasi të vrasim të gjithë liderët terroristë dhe terroristët dhe të shkatërrojmë të gjithë infrastrukturën terroriste, ne duhet të krijojmë një realitet të ri ku IDF kontrollon kufirin egjiptian, ne nuk mund të kemi përsëri një lidhje midis Gazës dhe Egjiptit, këtu është vendi ku të gjitha armët dhe kush e di se sa terroristë hynë dhe dolën dhe ne duhet të krijojmë një realitet të ri sigurie ku Izraeli ka përgjegjësinë e përgjithshme për sigurinë e Rripit të Gazës që do të thotë liri të plotë të operacioneve për IDF kudo dhe kjo është ajo që do të ndodhë … ne po fokusohemi tani në marrjen përsëri në kontroll të zonës në veri dhe jemi në proces, është një qytet i tërë, duhet ca kohë për t’u marrë me këtë, por përfundimisht ne do të mbajmë të gjithë veriun e Gazës dhe ky nuk do të jetë fundi, është vetëm fillimi. Pasi të përfundojmë me këtë, ne do të sulmojmë pjesën qendrore dhe jugore të Gazës dhe do të shkatërrojmë secilin terrorist që është brenda Gazës dhe meqë ra fjala edhe udhëheqjen jashtë Gazës, askush nuk do të kursehet, ne nuk do të harrojmë atë që ata na bënë dhe do të shkatërrojmë organizatën Hamas dhe Xhihadin Islamik Palestinez, ne nuk mund të shkatërrojmë ideologjinë apo idenë, por ne mund të shkatërrojmë infrastrukturën.
TheGeopost: Nga përvoja juaj, nga i marrin Hamasi dhe palestinezët shumicën e armëve të tyre?
Shumica e armëve vijnë përmes gadishullit të Sinait në Gaza, ato po i marrin kryesisht nga Irani, duke kontrabanduar armët nga Irani në Gadishullin e Sinait dhe prej andej në Gaza dhe kjo është arsyeja pse ne duhet ta kontrollojmë këtë kufi, nuk mund të kemi një realitet ku sasi e pafund armësh të vijnë nga Lindja e Mesme përmes Gadishullit Sinai në Rripin e Gazës.
TheGeopost: Sulmet e Hamasit filluan më 7 tetor, kur edhe presidenti rus Vladimir Putin feston ditëlindjen. Ajo u përshkrua nga shumë analistë si “dhurata më e mirë e Hamasit për Putinin”. Sa e ndihmoi Putinin kjo luftë?
Për një kohë të gjatë në të kaluarën, Putini kishte marrëdhënie të mira me Izraelin, për fat të keq kjo ndryshoi shumë që nga lufta në Ukrainë dhe Putini ka ndërtuar një aleancë me Iranin, ky është një lajm i keq, kjo aleancë ruso-iraniane është një lajm shumë i keq për Lindjen e Mesme dhe për Izraelin.
TheGeopost: A ju ndihmon mjaft bota perëndimore në këtë luftë kundër këtyre terroristëve?
Ajo që ne po dëshmojmë nuk është një luftë lokale midis Izraelit dhe Hamasit, është një luftë rajonale dhe globale, është një luftë midis perëndimit, vlerave perëndimore, vlerave judeo-kristiane dhe midis një fronti ruso-iranian të mbështetur nga ekonomia kineze, ne po flasim për elementë shumë radikalë, e gjithë kjo udhëhiqet nga Irani shiit.
Irani është një kërcënim global dhe unë mendoj se ka një kuptim në rritje në perëndim se ka nevojë për t’u marrë me Iranin dhe përfaqësuesit e tij dhe unë shpresoj që pasi të fitojmë me vendosmëri kundër Hamasit, do të ketë një koalicion që do të merret me Iranin dhe përfaqësuesit si Hezbollahu dhe Huthit në Jemen.
TheGeopost: Si e shihni përfundimin e kësaj lufte?
Do të jetë një luftë e gjatë, vetëm sa i përket Gazës, do të zgjasë shumë, shumë muaj dhe ndoshta më shumë, por nuk jam i sigurt se lufta do të përfundojë me Gazën, ka një gjasë të madhe që ajo të zgjerohet edhe në veri dhe ndoshta edhe në fronte të tjera, kështu që unë do të thoja se në vitin e ardhshëm me siguri se do të jemi në luftë.
/TheGeopost/