Profesori universitar i gazetarisë, Dren Gërguri në një intervistë për The Geopost është shprehur se Serbia është vetë e përfshirë në shpërndarjen e propagandës.
Sipas Gërgurit, për dallim nga kjo, shtetet e tjera të rajonit duhet të punojnë në parandalimin e propagandës.
“Serbia është vetë e përfshirë në shpërndarjen e propagandës, por për këto shtetet e tjera [të rajonit], besoj që është shumë e rëndësishme që të punohet në mënyrë që të luftohet kjo formë e shpërndarjes së dezinformimit, të luftohen valët e ndryshme të dezinformatave”, thekson Gërguri.
Ai tregon se në Kosovë ka vështirësi për ta dalluar të pavërtetën nga lajmi i vërtetë.
“Besoj që kjo është shqetësuese për faktin se po flasim për shoqëri që jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, përafërsisht janë njëjtë kur flasim për edukim medial, për nivelin e edukimit medial që është i ulët”, tregon ai.
Gërguri, i cili është autor i librit “Fake News – Çrregullimet informative në epokën digjitale”, shprehet se ky material cak e ka audiencën e gjerë.
“Pavarësisht në çfarë profesioni je e se çka punon, ballafaqohesh me të themi, sëmundjen e informacionit, me infodeminë, ballafaqohesh me manipulimet e informacionit dhe në anën tjetër ne e dimë që është gjithmonë e rëndësishme që ne të jemi mirë të informuar për të qenë qytetarë aktivë në proceset shoqërore në vendin ku jetojmë”, thotë shprehet Gërguri.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për problemin e mënjanit të propagandës dhe dezinformimit.
Intervista e plotë
The Geopost: Keni botuar librin “Fake News – Çrregullimet informative në epokën digjitale”, kujt i dedikohet ky libër?
Mënyra se si është shkruar libri, cak e ka audiencën e gjerë, sepse edhe problemi që trajtohet është i të gjithëve në ditët e sotme dhe nuk është që libri ka për synim, të themi gazetarët ose ata që punojnë me media, por faktikisht, libri është i përdorshëm për këdo që ka interes të marrë më shumë njohuri rreth problematikës, rreth fenomenit të dezinformimit e keqinformimit.
Për shkak se sot, pavarësisht në çfarë profesioni je e se çka punon, ballafaqohesh me të themi, sëmundjen e informacionit, me infodeminë, ballafaqohesh me manipulimet e informacionit dhe në anën tjetër ne e dimë që është gjithmonë e rëndësishme që ne të jemi mirë të informuar për të qenë qytetarë aktivë në proceset shoqërore në vendin ku jetojmë.
Prandaj, kam marrë vendim që disa nga shkrimet e publikuara më herët t’i publikoj me shkrimet e reja që e trajtojnë çështjen e dezinformimit dhe njëkohësisht, gjuha e përdorur nuk është gjuhë të themi shkencore apo akademike, por është gjuhë e cila është më e kuptueshme edhe për ata të cilët nuk janë të fushës së komunikimit, në rast se ka përdorim të teorive, aty për aty shpjegohet ajo në mënyrë që kushdo që e lexon, po themi në çfarëdo profesioni që është, në çfarëdo fushe që është, ta ketë sa më lehtë që ta kuptojë përmbajtjen e librit.
The Geopost: Sa e njohin qytetarët dhe studentët fushën e lajmeve të rreme si fenomen të ri të gazetarisë?
Ne e shohim që në Kosovë ka vështirësi për ta dalluar të pavërtetën, dezinformatën nga lajmi i vërtetë dhe këtë e mbështes edhe në një studim tjetër të punuar bashkë me kolegun nga departamenti gazetarisë, profesorin Gëzim Qerimi, punim i publikuar tashmë në Vilnius, në revistën e Universitetit “Vilnius” në Lituani dhe një prej gjetjeve kryesore të punimit është fakti se respondentët, qytetarët e Kosovës e kanë pasur të vështirë të identifikojnë cili është i vërtetë e cili është i rremë.
E çfarë kemi bërë ne, është që kemi vendosur në anketë katër tituj të dezinformatave, keqinformatave të shpërndara gjatë COVID-19 dhe katër që ishin të vërtetë dhe rezultati doli që nga këto të pavërtetat, kishte që u besonin, por ishte edhe më interesant ana tjetër, sepse lajmet e vërteta nuk besoheshin dhe kjo e tregon këtë krizën te qytetarët e Kosovës që ta dallojnë se cila është e vërtetë dhe cila nuk është e vërtetë dhe kjo e tregon gjithashtu mundësinë që qytetarët e Kosovës të bien pre e manipulimeve të informacionit, të veprojnë nesër duke lexuar dhe duke besuar diçka që nuk është e vërtetë.
Në anketë janë diku rreth 800 respondentë nga të gjitha rajonet e mëdha të Kosovës në mënyrë që të kemi një gjithëpërfshirje të shtetit tonë, dhe natyrisht se këto rezultate tregojnë domosdoshmërinë e përfshirjes së lëndës së edukimit medial në shoqëri në shkolla, por gjithashtu edhe të gjendet mundësia e arsimimit joformal për grupmosha, për njerëz të cilët nuk janë në shkolla më.
I përmendët edhe studentët, te studentët unë gjithmonë dalloj studentët të cilët studiojnë në departamentin tonë, studiojnë për media, studiojnë për gazetari, për shkak se ne që nga dita e parë dhe deri në fund me lëndë të ndryshme e trajtojmë problemin e dezinformimit, mirëpo kam pasur rastin të mbaj trajnime me studentë të fakulteteve të tjera dhe aty e kupton se ata studentë të cilët studiojnë në fushën e ekonomisë, në juridik, në shkencat politike, në sociologji, e kanë të vështirë ta zbërthejnë çrregullimin informativ në radhë të parë, pastaj e kanë të vështirë edhe ta dallojnë cila është e vërteta cila jo, cilët janë hapat që duhet ndjekur si marrës i informacionit për ta verifikuar nëse është i vërtetë ose jo, për shkak se në ditët e sotme është e pamjaftueshme që ne gjithmonë të presim që çdo informacion të verifikohet nga gazetari.
Kur e bën gazetari, atëherë është profesionisti që e kryen punën e tij dhe parimisht gjasat janë që të jetë e vërtetë, ndërkohë ajo çka unë besoj është që ne sot duhet të kemi një lloj mini-sensi të verifikimit të gazetarit secili prej nesh, për shkak se në shumë informacione nuk po i marrim në media, në portale por po i marrim ne media sociale, po e përdorim edhe Facebookun edhe Instagramin për të marrë informacione. Ato nuk janë lajme për shkak se lajmi shkruhet nga profesionisti i fushës, ato janë informacione që dikush i shpërndan.
Nëse ne nuk e kemi mënyrën se si t’i kontrollojmë se si t’i verifikojmë ato, i bie që mundësia, probabiliteti që të mashtrohemi nga dikush, varet nga qëllimi i tjetrit.
The Geopost: Si e komentoni propagandën ruse dhe serbe në shtetet e regjionit, sa është agresive dhe sa është e rrezikshme për prodhimin e propagandës dhe dezinformatave?
Besoj që kjo është shqetësuese për faktin se po flasim për shoqëri që jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, përafërsisht janë njëjtë kur flasim për edukim medial, për nivelin e edukimit medial që është i ulët.
Nëse e marrim edhe indeksin e edukimit medial, ne e shohim që Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë poshtë në renditje, që tregon se në shoqëri mungon shkathtësia e gjykimit kritik ndaj përmbajtjeve mediale, që është kryesorja në këtë aspekt, për shkak se nëse po flasim për propagandë apo dezinformatë dhe në anën tjetër e kemi një shoqëri e cila nuk i analizon, por i beson apriori, i beson lehtë, i bie që mashtrohet lehtë dhe në anën tjetër vijmë në përfundim se ato propaganda mund të kenë ndikim në shoqëri.
Studiuesit e thonë që propaganda e humb efektivitetin në momentin që zbërthehet se është propagandë, por çështja është se një pjesë e shoqërisë, ata fare nuk e kuptojnë që është propagandë, është dezinformatë, e marrin si të vërtetë e besojnë si të vërtetë dhe veprojnë duke u bazuar në të.
Dhe duke e pasur këtë pasqyrë, unë besoj që të gjitha shtetet, përfshirë Kosovën, përfshirë shtetet si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, Serbia është situatë tjetër për shkak se ajo është vetë e përfshirë në shpërndarjen e propagandës, por për këto shtetet e tjera besoj që është shumë e rëndësishme që të punohet në mënyrë që të luftohet kjo formë e shpërndarjes së dezinformimit, të luftohen valët e ndryshme të dezinformatave.
Nëse e shohim rastin tonë në Kosovë ne e vërejmë që kemi valë të ndryshme të propagandave, të dezinformatave, varësisht nga zhvillimet që i kemi si vend.
Çështja e veriut që është gjithmonë e ndjeshme por edhe tema të tjera të cilat përdoren për të shpërndarë propaganda të ndryshme, dezinformata të ndryshme, madje edhe rasti në Pejë që ishte me të moshuarën u keqpërdor të themi nga propaganduesit dhe shkoi deri në Spanjë, propaganda që një e re shqiptare po e keqtrajton një të moshuar të komunitetit serb, që nuk ishte fare e vërtetë, megjithatë, kjo është forma se si temat e ndryshme mund të përdoren nga të tjerët për të shpërndarë dezinformata dhe propaganda, për të krijuar bindje të ndryshme të qytetarëve nga vendet e tjera për Kosovën.
Jo rastësisht, mendoj unë ishte në Spanjë, në një vend që nuk na njeh dhe ne një vend ku bindja për Kosovën nuk është pozitive dhe kur qytetarët atje e shohin një dezinformatë të tillë duke besuar që është e vërtetë, atëherë bindja e tyre për Kosovën bëhet vetëm edhe më e errët dhe negative.
The Geopost: Si të mbrohen gazetarët, qytetarët dhe shoqëria nga dezinformimi serb dhe serbo-rus?
Unë besoj që për gazetarët është me rëndësi sot që të shkojnë përtej tekstit të tyre, natyrisht që gazetari i verifikon informacionet që i merr, faktet që i ka brenda artikullit, burimet të cilat i përdor për ta përgatitur artikullin, mirëpo sot është e domosdoshme që për të njëjtën temë, gazetari të shohë edhe çka po qarkullon në ambientin informativ, sepse nëse ka propaganda që po qarkullojnë për të njëjtën temë, unë besoj që është shumë e rëndësishme që gazetari këtë ta demantojë në të njëjtin artikull në të njëjtin tekst dhe ta tregojë edhe atë pjesën që është e dëmshme për shoqërinë.
Ndërkohë për qytetarët, e kam edhe te libri pjesën ku propozoj një model me tri pyetje që unë besoj që është e domosdoshme sot t’ia bëjmë vetes si qytetarë të Kosovës ose të çfarëdo vendi sepse kjo është pjesë botërore, por fokusi ynë është te Kosova.
Qytetarët në Kosovë nën një, gjithmonë duhet të pyesin kush është burimi i lajmit, pra prej nga ne po e marrim informacionin, dhe nëse ne e kuptojmë kush është burimi, atëherë e kërkojmë të njëjtin informacion edhe në një media tjetër.
Për shkak të relevancës është e vështirë që ti ta kesh një lajm të vërtetë të rëndësishëm vetëm në një burim, për shkak se do të shpërndahet, gazetaria funksionon ashtu.
Dhe nëse ti e ke vetëm në një faqe të Facebookut por nuk po e gjen në media, nuk po e gjen në vende të tjera, atëherë dysho, mbaje pikëpyetje te informacioni që po e merr, dhe e treta mbështete në burimet zyrtare, prapë është e rëndësishme të shohësh se ku mbështetet teksti dhe çfarë burimesh kanë përdorur, a janë burime zyrtare ato të cilat janë aty dhe të verifikohen këto të tria, unë besoj që secili qytetar e minimizon mundësinë që të manipulohet.
Sot, nuk mund të flasim për mënjanim të problemit të propagandës dhe dezinformimit, por ne duhet të shohim mënyra se si mund t’i minimizojmë shpërndarjet, si mund t’i minimizojmë gjasat që shoqëria jonë të manipulohet nga propaganda dhe dezinformatat e tilla. /The Geopost/