Maqedonia e Veriut ka qëndrim parimor në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, por edhe të mbështetjes së të drejtës së Ukrainës, si çdo vend tjetër sovran, t’i përcaktojë vetë orientimet strategjike në politikën e jashtme.
Këtë në një deklaratë për The Geopost e tha Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. “Në këtë drejtim do të vazhdojmë të jemi aktivë për t’i dërguar këto mesazhe. Ne jemi unik në kuadër të NATO-s dhe do të bëjmë çmos për t’i dhënë shans de-eskalimit të situatës nëpërmjet instrumenteve diplomatike, por natyrisht që do të jemi të gatshëm edhe të mbrohemi”, theksoi Osmani.
Ai gjendet në Munih të Gjermanisë, ku merr pjesë në Konferencën e Sigurisë që organizohet çdo vit. Kësaj radhe ajo u bojkotua nga Rusia, duke u quajtur “klub i Perëndimit”. Në fakt, e tërë konferenca kaloi nën hijen e kërcënimit dhe pritjes së sulmit të ushtrisë ruse ndaj Ukrainës.
Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitry Kuleba, u bëri thirrje ministrave të Jashtëm të Suedisë, Anne Linde, Polonisë, Zbigniew Rau dhe Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, që të vizitojnë menjëherë Ukrainën për të vërtetuar faktet në kuadër të paralajmërimit të hershëm të OSBE-së.
“Ftoj Treshen e OSBE-së, Ann Linde, Zbigniew Rau dhe Bujar Osmani, të bëjnë një vizitë urgjente faktmbledhëse në Ukrainë nën mekanizmin e paralajmërimit të hershëm të aktivizuar nga Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Schmid javën e kaluar”, shkroi ai në Twitter. Ndryshe, treshja e OSBE-së përbëhet nga Polonia, që është kryesuesi aktual deri në fund të këtij viti, ai i mëparshmi – Suedia, dhe Maqedonia e Veriut, që pritet të marrë kryesimin në vitin 2023.
Në prononcimin për The Geopost, Osmani tha se si e gjithë Bota, jenë të shqetësuar për ndodhitë në dhe rreth Ukrainës pasi është një kanosje e madhe për sigurinë.
“Nuk është kanosje vetëm për sigurinë e Evropës, por edhe një kërcënim për rendin botëror, për sovranitetin e shteteve, për parimet themelore të OKB, OSBE…”, deklaroi ai. “Natyrisht se kjo të gjithëve na bën të vëmendshëm dhe të kujdesshëm për atë se çfarë mund të ndodhë. Na bën të jemi më aktivë në parandalimin e një eskalimi të mundshëm.”
Si anëtar i NATO-s, Osmani tha se Maqedonia është më e mbrojtur edhe nga eskalimet e mundshme brenda shtetit. “Kjo na mundëson në qasje të informacioneve të cilat as që kishim mundur t’i paramendojmë para dy viteve, kur nuk ishim anëtar i NATO-s. Ne si shtet tash kemi qasje në të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me zhvillimet në Ukrainë dhe rreth Ukrainës. Në radhë të parë, kjo na mundëson që vendimet t’i kemi të bazuara në informacione të sigurta. Dhe e dyta, na jep mundësi që të kontribuojmë dhe të jemi pjesë e Aleancës në sigurimin e mbrojtjes kolektive”, nënvizoi Osmani.
NATO, sipas tij, nuk është Aleancë që kërcënon Rusinë apo ndonjë vend tjetër, por është Aleancë për mbrojtje kolektive të vendeve anëtare. “Ka dy qasje në zgjidhjen e problemit: e para është shfrytëzimi i mjeteve diplomatike me Rusinë, dhe e dyta mbrojtja e çdo vendi anëtar nga çdolloj kërcënimi që mund t’i ndodhë këtij rajoni. Ne shpresojmë se Rusia do të reflektojë dhe do të de-eskalojë situatën”, shtoi ai.
Ai vlerësoi se Ballkani Perëndimor nuk është edhe aq larg nga ajo zonë e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë. “Natyrisht se ka edhe forma tjera të ndikimit, qoftë ai hibrid, politik apo tentimit për defokusim. NATO dhe ne si anëtarë nga ky rajon kemi në fokus edhe implikimit e asaj krize në këtë pjesë të Evropës. Të gjitha vendet në kuadër të NATO-s bëjnë përgatitjet e mundshme, qofshin ato ekonomike, qofshin kibernetike apo edhe pasoja tjera që mund të rrjedhin nga një eskalim i mundshëm atje”, tha Osmani.