
Pa demokratizimin e Serbisë nuk është e mundur të bëhet asnjë normalizim i marrëdhënieve me Kosovën dhe as me vendet e tjera të rajonit.
Kështu thotë në kryetari i Akademisë Rajonale për Zhvillim të Demokracisë (Regional ADD) me bazë në Novi Sad, Balsha Bozhoviq në një intervistë për The Geopost, duke shtuar se kjo nuk mund të ndodhë derisa iu vihet flaka makinave në veri të Kosovës.
“Pa demokratizimin e Serbisë nuk është e mundur të bëhet asnjë normalizim i marrëdhënieve as me Kosovën dhe as me vendet e tjera të rajonit”, thotë Bozhoviq.
Ai thekson se presidenti serb Alekadar Vuçiq nuk është faktor stabiliteti në rajon.
“Thelbi është se normalizimi nuk mund të ndodhë kur makinave u vihet flaka [nga grupet kriminale] në veri të Kosovës të gjithë atyre që duan normalizim. Herët a vonë do të jetë plotësisht e qartë për të gjithë. Më vjen keq që do të humbasim sërish me këtë histori të bërjes së faktorit të stabilitetit nga Aleksandar Vuçiq dhe regjimi i tij, sepse ai nuk është faktor stabiliteti. Është një faktor paqëndrueshmërie”, shton ai.
Sipas Bozhoviqit, në Ballkanin Perëndimor është një minisituatë e asaj që po ndodh në Ukrainë apo Tajvan.
“Këtu në Ballkanin Perëndimor është thjesht një mini-situatë e asaj që po ndodh në Ukrainë apo Tajvan. Nuk mund të thuash se imperializmi është i gabuar atje dhe nuk është këtu. Është fjala për një model që ekziston dhe është i qëndrueshëm, mbi të cilin mbështeten të gjitha vendet perëndimore që janë zhvilluar dhe që sot udhëheqin Evropën dhe botën dhe ndikojnë në trendet botërore”, pohon ai.
I pari i Regional ADD-së jep parashikimin që regjimi i Vuçiqit nuk do të jetë në gjendje të mbijetojë për një kohë të gjatë.
“Nuk pres që regjimi në Serbi do të jetë në gjendje të mbijetojë për një kohë të gjatë, sepse jam i sigurt se tashmë, për një pjesë të madhe të rajonit, por edhe për një pjesë të madhe të Evropës, është plotësisht e qartë se ky regjim është jodemokratik dhe se ky regjim është absolutisht pro-rus, anti-perëndimor dhe burim destabiliteti dhe nuk mendoj se mund të mbijetojë për një periudhë të gjatë kohore”, parashikon kryetari i ADD-së.
Bozhoviq në fund thotë se humbja e Rusisë në Ukrainë është e pashmangshme.
“Humbja e Rusisë është e pashmangshme dhe është e rëndësishme pikërisht për shkak të ruajtjes së paqes në Evropë dhe botë, dhe nga ana tjetër, për të ardhmen e mëtejshme të të gjithë neve që ende dëshirojmë të jetojmë në njëfarë demokracie dhe lirie dhe jo në regjimet totalitare”, përfundon Bozhoviq.
Në këtë intervistë, ai ka komentuar edhe vizitën e James Rubinit në Mal të Zi si dhe zgjedhjet presidenciale në këtë vend.
Intervista e plotë
The Geopost: I dërguari i Departamentit të Shtetit dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, vizitoi rajonin, duke përjashtuar Serbinë. Rajoni, tha Rubin, është i ndjeshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze dhe se një pjesë e madhe e tij vjen nga Serbia. Çfarë mendoni ju për këtë?
Ajo që më inkurajoi vërtet është se u dëshmua që administrata e Shteteve të Bashkuara nuk është uniforme, se ka informacione të ndryshme dhe se ka nga ata që kanë lista të ndryshme prioritetesh kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Sepse është një analizë e mirë që dezinformatat vijnë nga Beogradi, është plotësisht e qartë dhe nuk kanë ardhur vetëm kur bëhet fjalë për Malin e Zi dhe Kosovën, por edhe për Bosnjën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
Një nga gjërat që ka mbetur kryesisht e papërcaktuar është Ballkani i Hapur, ku zyrtarë të caktuar amerikanë mbështesin hapur dhe madje shtyjnë në atë drejtim, një pjesë të fondacioneve dhe shoqërisë civile, ndërsa nga ana tjetër është BE-ja që thotë se kjo s’po shkon në hap me integrimin evropian dhe se është e nevojshme që Ballkani Perëndimor të fokusohet në procesin e Berlinit.
Pra, ka edhe një histori tjetër që lidhet me luftën në Ukrainë dhe deri në çfarë mase SHBA do të tolerojë mosvendosjen e vazhdueshme (serbe) të sanksioneve dhe sfidën e vazhdueshme të Perëndimit dhe të gjithë Evropës. Mendoj se është një analizë e mirë, e vonuar, por, siç thonë, nuk është kurrë vonë dhe ishte shumë precize.
Ajo vizitë erdhi pas një tjetër minikrize në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, pastaj pasuan zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi dhe një pikëpyetje e madhe se çfarë politike do të udhëheqë presidenti i ri i ardhshëm i Malit të Zi.
Ai (Rubin) tha se ka marrë garanci nga qeveria e ardhshme, qeveria e Malit të Zi… Mendoj se në këtë kuptim ishte një vizitë jashtëzakonisht e mirë, por ajo që gjithashtu paraqet edhe një lloj pyetjeje shtesë është se pse vizita nuk u bë edhe në Beograd dhe në fund as në Prishtinë. Mendoj se kjo la një pikëpyetje tjetër, sidomos pas garancisë zyrtare nga Beogradi se në dokumentet e nxjerra nga Uashingtoni nuk ka asnjë lidhje mes armëve serbe dhe palës ukrainase dhe ky është arsyetimi. Mendoj se ka ende një pikëpyetje të madhe në administratë (SHBA) dhe se nuk janë dakord me gjithçka që ndodh në Beograd, por këtu shohim që nuk janë dakord as në Mal të Zi.
Kështu që unë mendoj se ato mesazhe janë të mira. Nga ana tjetër, dëgjuam se po mbështetet procesi i normalizimit. Atë që besoj, e nënvizova diku menjëherë pas vizitës së Rubinit në Mal të Zi, se rezultati nuk do të jetë ashtu siç e presin.
The Geopost: Pse?
Sepse pa demokratizimin e Serbisë nuk është e mundur të bëhet asnjë normalizim i marrëdhënieve as me Kosovën dhe as me vendet e tjera të rajonit. Këtu dua t’i referohem një fjalie të shkëlqyer të disa ditëve më parë të Rada Trajkoviqit, e cila tha se gjithçka për të cilën është pajtuar Aleksandar Vuçiq zbatohet përmes klaneve mafioze dhe sistemit paralel në veri të Kosovës. Që është e vërtetë. Dhe ajo grua po persekutohet nga Vuçiqi dhe regjimi i tij sepse flet të vërtetën e hidhur që shumë nuk duan ta shohin apo dëgjojnë, e kjo përfshin një pjesë të mirë të opozitës në Serbi dhe një pjesë të madhe, që të mos them shumicën edhe të sektorit civil në Serbi. Pra, ky është fakti sot, nuk mund të luash ekskluzivisht me Aleksandar Vuçiqin, i cili do të zgjedhë si pozitat e sektorit civil në Serbi, ashtu edhe pozicionet e opozitës dhe politikës. Ky është thelbi, përderisa në Serbi ka nacionalizëm të madh shtetëror, nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve, sepse çdo nacionalizëm i madh shtetëror në Serbi është rus, dhe historikisht është rus, e pastaj thjesht, sidomos në këtë krizë, ajo kurrë nuk do të luajë me ndershmëri dhe nuk do të vendosë përfundimisht të ndërpresë marrëdhëniet me Rusinë dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
The Geopost: Nëse një pjesë e madhe e qeverisë dhe opozitës në Serbi, si dhe një pjesë e madhe e sektorit civil, janë uniforme ndaj politikës serbomadhe në rajon, si mundet një pjesë e vogël e mendjes së shëndoshë të Serbisë t’i rezistojë kësaj, sidomos nëse merret parasysh se Perëndimi është në anën e asaj shumice të Serbisë?
Në këto rrethana Vuçiq e shfrytëzoi rastin për të krijuar një narrativë që mbështetet pothuajse nga e gjithë skena politike, synimi është që shoqëria ta mbështesë atë. Sa herë që ka një të ashtuquajtur unitet kombëtar nga fundi i viteve 1980, ne e dimë se është një krizë dhe e dimë që pas tij qëndron nacionalizmi i shtetit të madh dhe aspiratat e tij, të cilat nuk janë të qëndrueshme sepse mohojnë identitetet dhe shtetet tjera.
Prandaj, ata duan rikompozim të kufijve në Ballkanin Perëndimor, siç donin në fund të viteve 1980 dhe gjatë luftës në vitet 1990. Ata nuk u lustruan kurrë pas vitit 2000 dhe sot është një shije e hidhur në gojën e të gjithë atyre që luftuan për një Serbi civile dhe demokratike kur shohin se disa adresa perëndimore bashkëjetojnë me nacionalizmin e shtetit të madh dhe regjimin e korruptuar të Aleksandër Vuçiqit. Prandaj, nuk mund të lëvizësh drejt stabilizimit me dikë që është burim destabilizimi.
Kjo është thjesht e pakuptimtë dhe fundi këtu është se ka mekanizma dhe ato janë shumë të njohura në të gjitha shoqëritë, përfshirë edhe tonën, mekanizma që do të demokratizojnë tërësisht shoqërinë tonë dhe do të forcojnë institucionet e pavarura dhe në Serbi do të fillojë një politikë opsioni civil që ekziston në të vërtetë por është jashtëzakonisht e mjerueshme dhe e vogël, t’i japë krahë që ajo të forcohet.
Kjo është e vetmja mënyrë për të qetësuar tensionet në rajon dhe për të pasur të gjithë Ballkanin Perëndimor në anën e Perëndimit, veçanërisht në këto marrëdhënie me Kinën dhe Rusinë. Dhe në këtë kuptim, në muajt e ardhshëm, jo vitet, por muajt, mendoj se do të bëhet shumë e qartë se kush është në fakt pengesë për unitetin evropian në këtë kontinent, ndër të tjera, në Ballkanin Perëndimor, sepse mendoj se të gjithë marrëveshjet, të gjithë mbështetjen që disa adresa perëndimore i japin Serbisë nuk ia japin Serbisë se sa Vuçiqit dhe regjimit të tij.
Pra, këto janë marrëdhëniet e tyre dypalëshe por edhe personale dhe nuk vlejnë për të gjithë Serbinë sepse nuk mendoj se mund të themi se Serbia ka mbështetje nëse dikush ushqen një ndërgjegje kolektive që thotë se në fakt Serbia duhet të jetë shtet më i madh se sa është dhe që po kërkon në Ballkanin Perëndimor më shumë sesa e lejojnë kufijtë e tij ekonomikë dhe në përgjithësi kufijtë e saj. Përfundimi është se nuk do të ketë paqe derisa kjo shoqëri dhe ky rajon të demokratizohen tërësisht dhe derisa, në një farë mënyre, ato synime që bartin si zgjidhje klerikalizimin e shoqërisë, të shtyhen plotësisht në anash.
The Geopost: Vuçiq kushtëzon sërish. Në takimin e mbajtur në Rashkë, ku ka mbrojtur Milan Radoiçiqin, i njohur si lider i grupeve kriminale në veri të Kosovës, Vuçiq ka thënë se do të kërkojë që në Kosovë të mbahen zgjedhjet pas formimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Çfarë mund të presim në vazhdim të shfaqjes?
Vuçiq thjesht po blen kohë. Çdo administratë, si dhe çdo projekt, kur dikush është duke punuar, ju keni një plan kohor që ju tregon se duhet të jepni rezultate deri në fund të vitit. Kështu funksionon çdo administratë në Perëndim. Kjo është arsyeja pse ata janë të suksesshëm. Por kjo nuk do të thotë se në këtë lojë Vuçiq nuk përfiton dhe vazhdimisht i tërheq për hundë. Pra, thelbi është se normalizimi nuk mund të ndodhë kur makinave u vihet flaka [nga grupet kriminale] në veri të Kosovës të gjithë atyre që duan normalizim. Herët a vonë do të jetë plotësisht e qartë për të gjithë.
Më vjen keq që do të humbasim sërish me këtë histori të bërjes së faktorit të stabilitetit nga Aleksandar Vuçiq dhe regjimi i tij, sepse ai nuk është faktor stabiliteti. Është një faktor paqëndrueshmërie. Administrata amerikane gjithashtu u përpoq në vitet 1990 të krijonte faktorë stabiliteti në Ballkan. Megjithatë, ajo gjithashtu përfundoi në një mënyrë humbëse për të gjithë rajonin.
The Geopost: A mund të korrigjohet diçka, apo mund të jetë tepër vonë për rajonin tonë?
Sërish e them, kurrë nuk është vonë, por do të ishte më mirë të parandalohej sesa të shërohej. Mendoj se kemi humbur një numër të madh vitesh dhe besoj se e ardhmja e vetme e Ballkanit Perëndimor në BE është nëse shtetet individualisht ia dalin t’i rezistojnë projekteve të shteteve të mëdha dhe të hyjnë të barabartë si civilë, demokratikë dhe, çka është shumë e rëndësishme jo-klerikë por antifashistë, pa asnjë rishikim të historisë të hyjnë si anëtarë të barabartë të bashkësisë së kombeve evropiane.
The Geopost: Nëse Brukseli dhe Perëndimi tashmë po punojnë sipas planit, a do të thotë kjo se çdo rezistencë e mundshme nga boshnjakët, malazezët dhe shqiptarët do të parandalohet paraprakisht?
Unë mendoj se këto rezistenca sigurisht që do të jenë prezente dhe mendoj se është normale që ekzistojnë, nuk mund t’i mbani njerëzit të shtypur dhe të thoni se është në rregull që Serbia, Kroacia apo Shqipëria të kenë motivet e tyre imperialiste në Ballkanin Perëndimor dhe më pas të Siguroni pjesën tjetër të botës se nuk është në rregull që Kina ka ndaj Tajvanit apo Rusia ndaj Ukrainës.
Kjo është pikërisht ajo, këtu në Ballkanin Perëndimor është thjesht një minisituatë e asaj që po ndodh në Ukrainë apo Tajvan. Nuk mund të thuash se imperializmi është i gabuar atje dhe nuk është këtu. Është fjala për një model që ekziston dhe është i qëndrueshëm, mbi të cilin mbështeten të gjitha vendet perëndimore që janë zhvilluar dhe që sot udhëheqin Evropën dhe botën dhe ndikojnë në trendet globale. Prandaj, ato janë të lira, të bazuara në demokraci, parime të të drejtave të njeriut, institucione të pavarura të forta gjithëpërfshirëse, janë krijime demokratike, kështu që nuk mund të keni kartele gjysmë mafioze dhe parashtetërore që sundojnë rajonin që vazhdimisht kontrabandojnë armë, narkotikë dhe në këtë kuptim përfaqësojnë një pjesë të pasigurt të kontinentit evropian.
Dhe pastaj, nga ana tjetër, të keni ndonjë marrëveshje nën tavolinë me Kinën, me të cilën Serbia sapo ka nënshkruar një marrëveshje tregtare, ose për shembull, natyrisht, prania gjithmonë e madhe e Rusisë në këtë rajon, që natyrisht ka pasur marrëdhënie shumë të ngushta me këto tre regjime (Serbi, Kroaci, Shqipëri) dhe natyrisht me Janez Janshën, i cili si kryeministër i Sllovenisë në atë kohë e propozoi.
The Geopost: Si e shihni Malin e Zi pas 11 prillit dhe zgjedhjeve parlamentare. Autoritetet e reja njoftojnë se fitojnë 2/3 e shumicës, ndryshojnë kushtetutën dhe tashmë po zbatohet një version i thjeshtuar i marrjes së shtetësisë malazeze. Nëse ndodh kjo mbytje e qetë e identitetit malazez dhe kemi edhe një rast në BeH ku një boshnjak në Federatë vlen dhjetë herë më pak se një serb dhe katër herë më pak se një kroat, si është e mundur të këtë ndonjë rezistencë?
Rezistenca sigurisht që do të ekzistojë natyrshëm, rezistenca do të jetë e madhe sepse janë popujt dhe identitetet që po vendosin gjithçka në hartë të jesh apo të mos jesh dhe nuk mendoj se do të pajtohen ashtu. Nga ana tjetër, nuk pres që regjimi në Serbi do të jetë në gjendje të mbijetojë për një kohë të gjatë, sepse jam i sigurt se tashmë, për një pjesë të madhe të rajonit, por edhe për një pjesë të madhe të Evropës, është plotësisht e qartë se ky regjim është jodemokratik dhe se ky regjim është absolutisht pro-rus, antiperëndimor dhe burim destabiliteti dhe nuk mendoj se mund të mbijetojë për një periudhë të gjatë kohore.
Por gjithashtu, deri atëherë ai mund të bëjë dëme masive. Unë do të thosha, siç ishte atëherë, se edhe sot Serbia është në krye, për fat të keq, në atë lloj krijimi të vazhdueshëm të destabilitetit që, për fat të keq, shumë nga opozita, por jo të gjithë, por shumë, nuk shohin problem në këtë, edhe një pjesë e madhe e sektorit civil nuk e sheh problemin. Krijon një lloj bashkimi unison kombëtar të lidhur me këto synime të mëdha. Keni pasur rastin të dëgjoni disa nga opozita duke folur për ndërtimin e një marine serbe në detin Adriatik. Këto janë të gjitha gjëra që nuk do të kontribuojnë për asgjë të mirë.
Në fund të fundit, kjo nuk është në interesin e Perëndimit dhe kjo është ajo që më inkurajon që herët a vonë do të jetë e qartë për të gjithë se pa një përbërje të re, në fakt atë përbërjen e vjetër, pa demokratizim nuk ka paqe dhe progres ekonomik afatgjatë e të tjera. Ata me siguri do të vendosin në hartë ata që janë thellësisht të korruptuar, të cilët janë thellësisht të orientuar anti-perëndimor dhe pro-rus në këto zona dhe që me siguri do të humbasin çdo mbështetje dhe mundësinë për të vazhduar ushtrimin e pushtetit në kantonet, shtetet, qytetet e tyre.
The Geopost: Si i shihni arrestimet e fundit në Mal të Zi?
Bëhet fjalë për krimin ndërkombëtar dhe trafikun e drogës. Mendoj se ishte e qartë për të gjithë se për një vit ka pasur dëshmi për disa përfaqësues të pushtetit në Mal të Zi që erdhën në vitin 2020 në valën e revolucionit klerik mbi narrativën e Serbisë së rrezikuar, se ata thjesht tregtojnë drogë, që kryejnë krime të ndryshme aktivitetet iminale. Ajo që është për t’u lavdëruar është se shërbimet perëndimore nuk duan ta lënë atë vetëm në kontrollin e dikujt dhe janë jashtëzakonisht të përqendruara në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe mendoj se ato ndërrime në polici që së fundmi kanë ndodhur në Mal të Zi në fakt kanë ndodhur vetëm sepse njëra pjesë e krimit është mbrojtur dhe është sulmuar vetëm pjesa tjetër e krimit.
Unë mendoj se kjo nuk do të jetë e qëndrueshme as në të ardhmen dhe se pas zgjedhjeve të 11 qershorit gjërat disi do të qetësohen dhe shumë që janë sot në pushtet në Mal të Zi nuk do të përfaqësojnë më asnjë faktor politik në atë vend.
The Geopost: Duket se kryeministri në mandat teknik Dritan Abazoviq ka mbetur i befasuar nga arrestimet?
Kështu më është dukur. Ai deri vonë ka thënë se Milo Bozhoviq është kryetari më i suksesshëm i komunës jo vetëm në Mal të Zi por edhe më gjerë. Kanë qenë edhe miq dhe më duket, megjithëse nuk kam fakte që të flasin në favor apo kundër.
Mendoj se është më se e qartë se edhe në vitin 2020, ai rrëfim për ndryshimin e krimit në Mali i Zi ishte ekskluzivisht siç e shohim më parë vetëm një mjet politik për të ardhur në pushtet, dhe më pas aktivitetet kriminale vazhduan në një masë më të madhe se deri atëherë.
The Geopost: Në fund, deri në çfarë mase do të zgjidhen problemet e rajonit lidhur me ndikimin rus nga fitorja e pritshme e Ukrainës?
Pra, ajo që është fokusi i dukshëm i gjithë Evropës dhe Perëndimit është ajo luftë. Besoj se Serbia nuk do të mund të qëndrojë deri në fund të vitit pa marrë një vendim, sepse mendoj se është e qartë për të gjithë që SHBA-ja dhe administrata e saj nuk do ta lejojnë Hungarinë, e lëre më Serbinë, të luajë një lojë të dyfishtë.
Humbja e Rusisë është e pashmangshme dhe është e rëndësishme pikërisht për shkak të ruajtjes së paqes në Evropë dhe botë, dhe nga ana tjetër, për të ardhmen e mëtejshme të të gjithë neve që ende dëshirojmë të jetojmë në njëfarë demokracie dhe lirie dhe jo në regjimet totalitare. /The Geopost/