Serbia u armatos si shtet, dhe u radikalizua, u rusizua dhe u militarizua si shoqëri. Serbia nuk i ka ndërprerë lidhjet dhe bashkëpunimin e saj të thellë me Rusinë, as nuk do ta bëjë këtë, dhe është në gjendje të përfitojë nga një plejadë e favorshme gjeopolitike në të cilën Rusia do të ishte në një pozicion për të mbështetur aventurat e ardhshme secesioniste pan-serbe, madje edhe të armatosura në rajon, thotë Srgjan Shushnica, avokat, kulturolog dhe publicist nga Banja Luka.
Bashkëbiseduesi ynë është një njohës i shkëlqyeshëm i çështjeve politike dhe të sigurisë, veçanërisht i ndikimeve të jashtme malinje në rajon. Ndër të tjera, ai merret me hulumtime kulturore për tema boshnjake dhe ballkanike, shkrim dhe aktivizëm shoqëror kundër kulturës së harresës, revizionizmit historik, nacionalizmit dhe fashizmit.
Susnjica thekson se Serbia, në raport me fqinjët e saj, veçanërisht me Kosovën, vepron nga pozita e dhunës dhe provokimit konstant të krizave, dhe më pas u ofrohet akterëve perëndimorë si një ndërmjetës dhe akter gjoja konstruktiv dhe paqësor.
“Është pozicion i shantazhuesit, jo i paqebërësit. Analistët dhe akterët që barazojnë politikën e Beogradit dhe Prishtinës, dhe barazojnë nacionalizmat, janë të ndikuar edhe nga historia edhe nga politika dhe nuk duan të shohin se të gjitha krizat e brendshme në Kosovë e kanë origjinën nga Beogradi”.
Beogradi, thekson ai, thjesht ka rrëmbyer jetën e serbëve të Kosovës, i ka izoluar ata nga normaliteti, duke përhapur frikë ekzistenciale, psikozë lufte dhe një ndjenjë vulnerabiliteti mes tyre.
“Ata janë pronë e Beogradit politik, i ka bërë skllevër të tij politikë, siç ka bërë dikur me serbët e Dalmacisë, Sllavonisë, Banisë dhe sot punon me serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Në 10 vitet e fundit, nënvizon bashkëbiseduesi i Geopost, Beogradi ka zhvilluar një kapacitet të fortë shantazhi ndaj Perëndimit.
“Ai forcoi sigurinë, propagandën dhe praninë ekonomike ruse në Serbi dhe Republika Srpska dhe mbështet regjimin pro-rus të Milorad Dodik në aktivitetet e tij antikushtetuese, secesioniste dhe parashtetërore”.
Sipas Shushnicës, është e qartë për të gjithë në Perëndim, por askush nuk do të thotë me zë të lartë se Beogradi nuk po vepron me mirëbesim në procesin e Brukselit.
I pyetur pse është kështu, ai thotë se “Beogradi asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm, as tani dhe as nuk do të jetë i gatshëm ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur. Serbia nuk dëshiron normalizim esencial, por përpiqet të marrë leva efektive të ndikimit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës në kuadër të procesit të Brukselit, meqë nuk mund t’i shmanget, ose më saktë, mjetet për të vazhduar ndikimin e saj malinj dhe destabilizues në kushtet e brendshme politike të atij vendi.
Ajo që Beogradi dëshiron fshehurazi, ndërsa pretendon në mënyrë patetike të jetë një negociator i drejtë, është një Republika Srpska e re dhe një mekanizëm i ri kontrolli mbi Kosovën, por edhe një mekanizëm i ri shantazhi ndaj Perëndimit, thotë Shushnica.
Serbia, pretendon ai, ka arritur të armatoset aq shumë sa është e paprekshme për NATO-n, më saktë duke marrë sisteme kundërajrore kineze dhe ruse, Beogradi ka ngritur pragun e tolerancës ndaj kërcënimit të forcës që mund të vinte nga Perëndimi si mjet frenimi dhe presioni.
“Aleanca Perëndimore është e vetëdijshme se Serbia dhe nacionalizmi pan-serb kanë kapacitetin, burimet, fanatizmin dhe vullnetin për të demonstruar forcë dhe për të ndezur një konflikt të armatosur më të vogël apo më të madh në Ballkan, nëse gjykohet se është në interesin e tyre ose nëse mendojnë se momenti është tani ose kurrë”, thotë Shushnica, duke shtuar se Rusia, me ndihmën Serbisë dhe Republikes Srpska të radikalizuar, mund të ndezë lehtësisht një front të ri në Evropë.
“Ka mundësi që në fund të vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025 të krijohen kushtet për një stuhi politike perfekte, e cila do të favorizonte shpërthimin e konfliktit në Ballkan”.
Geopost: Perëndimi e sanksionoi Kosovën dhe në të njëjtën kohë pranoi në heshtje veprimet destabilizuese të Serbisë, që sipas njohësve të situatës në rajon nuk i kontribuon në asnjë mënyrë paqes dhe cenon më tej kredibilitetin e Perëndimit në rajon. Si e shihni këtë?
Shushnica: Me të vërtetë jemi dëshmitarë të një kthese dramatike në qëndrimet e akterëve perëndimorë, kur bëhet fjalë për ndikimin malinj të Beogradit zyrtar në rajon. Akterët perëndimorë kanë vendosur të mbyllin një sy ndaj taktikave serbe të përdorimit me qëllim të keq ose “armatizimit” të Kishës së Serbisë, Republikës Srpska ose pakicës etno-fetare serbe në vendet fqinje për të destabilizuar proceset e brendshme politike, për të ndërhyrë në zgjedhje, për të ndërhyrë në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë dhe për të kufizuar sovranitetin e atyre vendeve. Por, para se t’u referohem akterëve perëndimorë, do të doja të them diçka për vetë politikën e Beogradit, të cilën diplomatët perëndimorë në mënyrë kaq të pakëndshme e shmangin ta shohin.
Geopost: Cila është politika e Beogradit ndaj të cilës Perëndimi po i mbyll sytë ?
Shushnica: Në raport me fqinjët, sidomos me Kosovën, Beogradi vepron nga pozita e dhunës dhe shkaktimit konstant të krizave, dhe më pas u ofrohet akterëve perëndimorë si një ndërmjetës dhe akter gjoja konstruktiv dhe paqësor.
Ky është pozicioni i shantazhuesit, jo i paqebërësit. Analistët dhe akterët që barazojnë politikën e Beogradit dhe Prishtinës, dhe barazojnë nacionalizmat, janë të ndikuar edhe nga historia, edhe nga politika dhe nuk duan të shohin se të gjitha krizat e brendshme në Kosovë e kanë origjinën nga Beogradi.
Të kujtojmë serinë e dhunës në veri të Kosovës gjatë konsolidimit politik të Listës Serbe si eksponent i ardhshëm serb, ku të gjithë akterët e tjerë politikë dhe civilë të serbëve të Kosovës u ngulfatën nga kërcënimet, ryshfetet dhe dhuna.
Vrasja e Oliver Ivanoviqit ishte kurora e atij procesi. Për më tepër, me ndihmën e regjimit të Putinit, Beogradi loboi në mënyrë aktive për tërheqjen e njohjes së Kosovës, bllokoi pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, ndërsa njëkohësisht ndërtoi një rrjet të ri të proksive kriminalë dhe të sigurisë dhe agjenturave ruse në veri, që ende po mban peng serbët e Kosovës.
Kur qeveria e parë dhe e dytë e Kurtit filluan të veprojnë nga pozicioni i reciprocitetit, për të futur sundimin e ligjit në veri, duke kërkuar që Beogradi ta kuptojë procesin e normalizimit si një dialog mes dy akterëve të barabartë shtetëror – Beogradi ngriti gatishmërinë e ushtrisë, kërcënoi me luftë, kërcënoi me armë, projektoi forcën ushtarake në kufirin me Kosovën, urdhëroi serbët e Kosovës të lëshojnë institucionet dhe bojkotojnë zbatimin e ligjeve të shtetut, organizoi protestat e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it, kidnapoi policët e Kosovës.
Geopost: Kujt i ngjajnë taktika të tilla?
Shushnica: Është një taktikë agresive ruso-sovjetike dhe Beogradi do të vazhdojë ta praktikojë atë sipas situatës në terren dhe në negociata.
Rrëmbimi i policëve të Kosovës, për shembull, është një “taktikë kufitare” që agresorët rusë e përdorin shpesh në zonën e demarkacionit të papërcaktuar midis Gjeorgjisë dhe të ashtuquajturës së deklaruar ilegalisht “Osetia e Jugut”.
Rusia e interpreton pozicionin e atij brezi në mënyrë shumë fleksibile, shpesh duke e shtyrë atë disa kilometra drejt brendësisë së Gjeorgjisë, duke pushtuar zonat e banuara me pretekstin se janë brenda Osetisë së Jugut, ku rrëmbejnë policë gjeorgjianë, zyrtarë lokalë ose qytetarë, për të cilët më vonë kërkojnë shpërblime.
Qeveria pro-ruse në Tbilisi ka mbyllur një sy për këtë për një dekadë e gjysmë dhe ka lënë ato rajone kufitare në mëshirën e agresorit rus. Për fat të mirë, në Kosovë ka forca të NATO-s, si dhe një qeveri sovrane që ka vullnetin dhe kapacitetin për t’u mbrojtur nga sulmet nga Serbia.
Është e qartë për të gjithë në Perëndim, por askush nuk do të thotë me zë të lartë se Beogradi nuk po vepron me mirëbesim në procesin e Brukselit.
Geopost: Pse?
Shushnica: Sepse Beogradi asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm, as nuk është gati tani, as nuk do të jetë kurrë i gatshëm ta pranojë Kosovën si shtet të pavarur.
Serbia nuk dëshiron normalizim esencial, por përpiqet të fitojë leva efektive të ndikimit në politikën e brendshme dhe të jashtme të Kosovës në kuadër të procesit të Brukselit, meqë nuk mund t’i shmanget, ose më saktë, mjetet për të vazhduar ndikimin e saj malinj dhe destabilizues në kushtet e brendshme politike të atij vendi.
Mirëqenia e serbëve të Kosovës, bashkëjetesa e tyre normale dhe paqësore me shqiptarët, është gjëja e fundit në agjendën e Beogradit.
Serbia thjesht nuk dëshiron të lejojë që serbët e Kosovës të organizojnë në mënyrë të pavarur jetën e tyre lokale dhe nevojat kulturore, fetare, arsimore, shëndetësore dhe të tjera komunale në një dialog të barabartë me Prishtinën dhe Beogradin, të mendojnë në mënyrë të pavarur, të bëjnë biznes, të punojnë, të fitojnë dhe të përparojnë në mënyrë të pavarur, pa kontrollin dhe ndërhyrjen vendimtare të Beogradit në çdo pjesë të jetës së tyre.
Beogradi thjesht kidnapoi jetën e serbëve të Kosovës, i izoloi ata nga normaliteti duke iu futur frikën ekzistenciale, psikozën e luftës dhe ndjenjën e cenueshmërisë.
Ata janë pronë e Beogradit politik, ai i bëri skllevër të tij politikë, siç bënte dikur me serbët e Dalmacisë, Sllavonisë, Banisë dhe sot punon me serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Dhe ku janë serbët nga Kroacia tani, ku janë serbët nga lugina e Neretvës dhe Bosnja, ku janë serbët nga Krajina e lartë? Kudo, ata thjesht nuk janë në atdheun e tyre.
Si të shpjegohet ndryshe jeta e njerëzve në veri të Kosovës përveç se robëruese, kur kriminelët nën kontrollin e Beogradit u djegin veturat, u shkatërrojnë pronat, ua marrin lirinë e lëvizjes dhe mundësinë për të bërë biznes, për arsyen banale të riregjistrimit të automjetit të tyre me targa të Kosovës.
Beogradi i detyron serbët e Kosovës t’i binden, i dënon kur shfaqin formën më të vogël të pavarësisë politike dhe dëshirës për një jetë të qytetëruar në atdheun e tyre, siç tregon rasti i zonjës Rada Trajkoviq. Sasia e përbuzjes, agresionit dhe paqëndrueshmërisë psikologjike që rrezaton Vuçiq kur fyen zonjën Trajkoviq dhe të tjerët që guxuan të mos iu bindeshin urdhrave të Beogradit është e pabesueshme.
Geopost: Si të dilet nga kjo robëri?
Shushnica: Serbët e Kosovës duhet të kuptojnë se Beogradi i trajton ata si ndryshim në politikën e jashtme të Beogradit, e cila ka të bëjë me madhësinë e territorit dhe mitologjinë, jo me cilësinë e jetës dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Kudo që Beogradi i ka “mbrojtur” serbët në republikat fqinje jugosllave dhe krahinat autonome, në tre dekadat e fundit, ata nuk janë më atje. Nëse e kuptojnë këtë me kohë dhe nëse organizohen politikisht të pavarur nga Beogradi, ka shpresë se do të mbijetojnë në Kosovë. Përndryshe Beogradi do t’i shtyjë në humnerë derisa të zhduken, le të jenë të sigurt për këtë.
Geopost: Sa i kontribuon realisht pozitës skllavëruese të popullatës serbe në Kosovë politika hezituese e Perëndimit ndaj Vuçiqit?
Shushnica: Për të kuptuar politikën e Serbisë dhe hezitimin e akterëve perëndimorë për ta kundërshtuar atë, duhet kuptuar procesi i Brukselit dhe qëndrimi i Serbisë ndaj tij. Është një proces i ndërlikuar negociatash që ka rezultuar në mbi 50 dokumente zyrtare që janë negociuar dhe pranuar, të cilat të gjitha mund të quhen marrëveshje.
Në thelb janë pak më shumë se 20 marrëveshje kyçe sektoriale, të cilat shoqërohen me dokumente të ndryshme teknike.
Nga liria e lëvizjes, pikat kufitare, integrimi i strukturave paralele të sigurisë serbe në veri në organet shtetërore të Kosovës etj. Shumica e marrëveshjeve janë zbatuar plotësisht ose pjesërisht. Disa dokumente, si njohja e targave të Kosovës, nuk u zbatuan, por ishin të planifikuara.
Pas skadimit të kësaj marrëveshjeje specifike për targa nga viti 2021, Beogradi, duke konsideruar se ishte në vijën e pengimit të negociatave të Brukselit, nuk deshi ta rinovojë marrëveshjen dhe qeveria e Kosovës bëri atë që mund ta bënte vetëm si shtet sovran dhe i njohur ndërkombëtarisht – filloi të zbatojë parimin e reciprocitetit në raport me targat e Serbisë, gjë që shkaktoi demosnstrim të pakuptueshëm të dhunës nga ana e Serbisë. Do t’ju kujtoj, kjo ndodhi vetëm pesë muaj para fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.
Të gjitha ato marrëveshje ose u nënshkruan nga Beogradi ose u pranuan verbalisht dhe në asnjërën prej tyre Serbia nuk u detyrua të pajtohej shprehimisht dhe zyrtarisht për statusin e Kosovës si shtet i pavarur, por nga të gjitha marrëveshjet dhe dokumentet shoqëruese (përfshirë atë të Ohrit) del se qëllimi përfundimtar është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe se ky normalizim është i bazuar në pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
Duke u pajtuar me të gjitha marrëveshjet e procesit të Brukselit, Beogradi në thelb u pajtua që të gjitha çështjet teknike me Kosovën t’i zgjidhë si çështje të marrëdhënieve me një shtet tjetër të pavarur dhe sovran, vetëm se kjo nuk u tha shprehimisht. Në këtë aspekt, Marrëveshja e Ohrit shkoi më larg dhe për këtë arsye Vuçiq nuk e nënshkroi, dhe akterët perëndimorë e injoruan këtë shpërfillje flagrante dhe fyese serbe për procesin e negociatave. Kjo është një nga një sërë shenjash dështimi dhe dobësie të Brukselit.
Regjimi i Vuçiqit dëshiron të dalë nga procesi i Brukselit dhe ta kthejë atë në kujdesin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Marrëveshja e Brukselit është diçka që Vuçiq e trashëgoi nga Boris Tadiq dhe nuk mundi ta pengonte aq lehtë, derisa i shitej Perëndimit si politikan i reformuar, ish-radikal që lexon Maks Ëeber dhe derisa politika globale u trondit nga zgjedhja e Trumpit si president amerikan.
Kujtojmë se procesi i Brukselit ishte i ngrirë që kur Trump erdhi në pushtet në 2016, derisa u bë e qartë se Trump do të humbiste pushtetin në vitin 2020.
Që nga viti 2016, regjimi i Vuçiqit ka punuar në mënyrë aktive për të dalë nga procesi i Brukselit duke fajësuar palën kosovare për këtë. Për këtë, Serbia përdor mbështetjen e Rusisë dhe një nga çështjet e rralla që nuk është zbatuar nga të gjitha marrëveshjet e Brukselit – çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Dhe këtu, Beogradi zyrtar del nga korniza e marrëveshjeve të Brukselit, injoron si detajet ashtu edhe tërësinë e marrëveshjes dhe e interpreton statusin dhe shtrirjen e atij Asociacioni në mënyrë shumë të lirë, do të thosha fantazuese.
Geopost: Doni të thoni se Beogradi e imagjinon AKS-në si një pjesë të dëbuar të shtetit serb?
Shushnica: Marrëveshja përcakton qartë se shoqata do të jetë një organizatë statutore e bazuar në parimin e anëtarësimit të lirë dhe vullnetar, struktura e së cilës, d.m.th. organizimi dhe kompetencat duhet të bazohen në të njëjtat themele mbi të cilat ekziston dhe funksionon Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës, i cili si organizatë joqeveritare është themeluar në vitin 2001. Nuk ka dilemë për natyrën juridike të asociacionit, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një organizatë joqeveritare, e themeluar dhe në përputhje me rregulloren e asociacionit të Kosovës. Marrëveshja më tej specifikon se vetë asociacioni do të jetë organi i vetëm përmes të cilit komunat anëtare do të bashkëpunojnë dhe veprojnë kolektivisht në ushtrimin e kompetencave të tyre komunale të vetëqeverisjes lokale që u janë dhënë atyre nga sistemi juridik i Kosovës.
Përmes të cilit komunat anëtare do të përfaqësohen kolektivisht në pushtetin qendror, dhe do të përfaqësojnë dhe mbikëqyrin zbatimin e interesave të komunave në çështjet e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural. Në këtë kuptim, parashihet që Asociacioni të ketë anëtarësim në këshilla këshillëdhënës që merren me këto çështje.
Do të thotë se Asociacioni në vetvete nuk do të ketë kompetenca të veçanta, ekskluzive, origjinale apo shtesë që janë karakteristike për njësitë e vetëqeverisjes lokale të çdo niveli. Asociacioni nuk do të ketë një territor ekskluziv ju, as ndonjë fushë ekskluzive e veprimtarisë, as juridiksion territorial, as organet statutore të një asociacioni të tillë nuk do të zgjidhen në bazë të rregulloreve zgjedhore të Kosovës. Marrëveshja lë vetëm mundësinë që në kuadër të ligjeve të Kosovës dhe në kuadër të statusit të përcaktuar të një organizate joqeveritare, pushteti qendror t’i delegojë disa kompetenca shtesë një asociacioni të tillë.
Kur shikon procesin e Berlinit në tërësi dhe analizon sjelljen e Beogradit zyrtar, atëherë është e qartë se kush po i tërheq fijet dhe pse. Beogradi po mundohet ta bëjë bretkosën dem, d.m.th. po mundohet që një organizatë joqeveritare statutore të rënë dakord në Bruksel ta kthejë në një instancë ligjore, si një bashkësi politike ekskluzive etno-territoriale, e cila do të vepronte si nivel i mesëm i qeverisjes, dhe me kalimin e kohës dhe me ndihmën e Serbisë, do të uzurponte prerogativat simbolike dhe reale të shtetit dhe do të fillonte procesin e “shtetndërtimit”, siç ka bërë Republika Srpska në BeH nga dita e parë e formimit ilegal. Serbia insiston, ndonëse nuk ka bazë në marrëveshjet e Brukselit, që Asociacioni të formohet jo në përputhje me ligjet ekzistuese dhe Kushtetutën e Kosovës, por në përputhje me disa ligje “të ardhshme” të Kosovës të njohura vetëm për Beogradin.
Kjo është një fantazmagori politike. Serbia me paturpësi dhe pa asnjë bazë në marrëveshjet e nënshkruara, kërkon nga Kosova dhe akterët perëndimorë që Kosova fillimisht të miratojë ligje të reja dhe ndryshime kushtetuese që do të futin në ligj konceptin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe juridiksionin e tij si instancë e veçantë juridike, në mënyrë që më pas komunat në veri të formohen në të ashtuquajturin “ Asociacioni i komunave serbe”. Në atë rast, një “asociacion” i tillë nuk do të ishte një asociacion statutor, territorial i komunave, por një nivel i mesëm i qeverisjes i përcaktuar ligjërisht dhe potencialisht një shtet brenda një shteti. Ajo që dëshiron fshehurazi Beogradi, ndërsa pretendon në mënyrë patetike të jetë një negociator i drejtë, është një Republika Srpska e re dhe një mekanizëm i ri kontrolli mbi Kosovën, por edhe një mekanizëm i ri shantazhi ndaj Perëndimit. /Geopost