Zëdhënësja e Ministrisë së Rusisë Maria Zakharova ka vazhduar narracionin e rrejshëm kundër NATO-s për intervenimin në luftën e Kosovës ku tha se ai u bë me pretekst të akuzave të pabaza.
Çka deklaroi Zakharova?
“25 vjet më parë, avionët e NATO-s i treguan botës se çfarë do të thotë në të vërtetë ‘ndërhyrje humanitare’. Ishte ky term që u përdor nga udhëheqja e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për sulmet ndaj objektivave ushtarake dhe civile të Republikës Federale të Jugosllavisë, udhëheqja e së cilës, për të ruajtur unitetin e vendit, u detyrua të zhvillonte një luftë të armatosur kundër separatistëve. Operacioni ushtarak i SHBA-së dhe NATO-s kundër Beogradit është ndërmarrë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me pretekstin e akuzave të pabaza kundër autoriteteve të RFJ-së se kanë kryer ‘spastrim etnik’ në Kosovën autonome dhe gjoja kanë shkaktuar një fatkeqësi humanitare në rajon. Rusia nuk do ta harrojë kurrë se e ashtuquajtura Kosovë është territor i Serbisë”, ka thënë Zaharova.
Analiza:
Zakharova dezinformon se NATO intervenoi me pretekst të akuzave të pabaza. Qëllimi i intervenimit të NATO-s ishte së pari të ndalte spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe të parandalonte një përhapje më të gjerë të konfliktit në rajon sepse gati një milion shqiptarë të Kosovës u zhvendosën në shtetet fqinje. Krimet e luftës së Jugosllavisë kishin provokuar dënimin nga organizatat dhe agjencitë ndërkombëtare si OKB-ja, NATO-ja dhe OJQ-të e ndryshme. Refuzimi i Jugosllavisë për të nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë ishte edhe një arsye për përdorimin e forcës nga NATO. Pas luftës, u përpilua një listë e cila dokumentonte se mbi 13,500 njerëz u vranë ose u zhdukën gjatë konfliktit dy vjeçar, shumica ishin shqiptarë. Forcat jugosllave dhe serbe shkaktuan shpërnguljen e rreth 1.2 milionp shqiptarëve të Kosovës. Kjo ishte edhe arsyeja që NATO nisi fushatën e bombardimeve ajrore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë gjatë Luftës së Kosovës. Sulmet ajrore zgjatën nga 24 mars 1999 deri më 10 qershor 1999 që rezultoi me tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova. Nga ajo kohë NATO në Kosovë ruan paqen për të gjithë qytetarët e saj pa dallim etnie./G.Venhari-The Geopost/