Zëdhënësja e Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova ka pretenduar se gjoja Perëndimi po planifikon të destabilizojë situatën në Serbi, ku studentët po protestojnë për ditë me radhë pas rrëzimit të çatisë së stacionit të trenit.
Çka tha Zakharova?
“Vendet perëndimore po zhvillojnë plane për të destabilizuar situatën në Serbi, duke përdorur mekanizma të frymëzuar nga ‘revolucionet me ngjyra’ dhe presioni ndaj autoriteteve legjitime në vend”, ka thënë ajo.
“Ata po përpiqen ta shtyjnë lidershipin në vijën ku do të duhet të zgjedhin: të vazhdojnë politikën në të mirë të popullit të tyre ose të kthehen në rrugën e kompromisit”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ministria e Jashtme e Rusise.
Ajo ka përmendur edhe Kosovën, duke vazhduar të dezinformojë se gjoja “Qeveria e Kosovës, me pëlqimin e ShBA-së dhe BE-së po bën përpjekje për t’i dëbuar popullatën serbe nga Kosova”.
Analiza:
Pretendimet e zëdhënëses të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova janë vazhdimësi e narrativës ruse, ku përmes dezinformimit synohet të shihet Perëndimi si pengesë dhe shkaktar i problemeve në Serbi.
Nuk është e vërtetë që Perëndimi ka gisht në protestat që po zhvillohen në shtetin serb, pasi që Perëndimi përkrah të drejtën për t’u shprehur edhe me anë të protestës.
Arsyeja e protestave në Serbi është tragjedia në Novi Sad, ku protestuesit po kërkojnë drejtësi për punimet në stacionin e trenit.
Narrativa ruse i vjen gjithmonë në ndihmë regjimit serb, kur ajo ka probleme të brendshme, në këtë rast me dezinformatën kinse po dëbohet popullsia serbe nga Kosova, kur dihet që në Kosovë serbët gëzojnë të drejta të jashtëzakonshme si pakicë kombëtare.
/The Geopost