Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, dezinformon se Bashkimi Evropian i jep mbështetje krijimit të “Shqipërisë së Madhe”, si dhe se Kuvendi i përbashkët i Kosovës dhe Shqipërisë nuk ishte vetëm një tubim i shqiptarëve, por “një grumbullimi kundër Serbisë dhe serbëve”.
Vulin tha:
Kryeministri shqiptar Edi Rama i bëri thirrje Prishtinës që të përfundojë dialogun me Beogradin dhe i ofroi Kosovës hyrjen në Bashkimin Evropian përmes Shqipërisë dhe në bashkim me të.
“Shqipëria e Madhe” është një projekt i Perëndimit për të copëtuar serbët, të cilët nuk i sheh si partnerë dhe pjesë të Evropës, por si armiq, aleatë rusë dhe kokëfortë.
Analiza:
Bashkimi Evropian si dhe Perëndimi nuk e kanë mbështetur kurrë konceptin e “Shqipërisë së Madhe”, por avokojnë për ruajtjen e tërësisë territoriale të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.
Vulin ka dezinformuar kur thotë se Edi Rama ka kërkuar që Kosova të hyjë në Bashkimin Evropian duke u bashkuar me Shqipërinë.
Në deklaratat e tij në Kuvendin e Kosovës, Rama ka folur për rrugën evropiane të Kosovës si një shtet i pavarur e sovran. Ndërkaq, Rama ka kërkuar ngrirje të dialogut me Serbinë për shkak të mungesës së progresit për shkak të moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe në kontekstin që Kosova të fillojë një lloj dakordimi me BE-në për të nisur zbatimin e pjesës së saj pa u varur nga veprimet e Serbisë.
“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik, Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë siç thoni ju, pa afat, dialogun bilateral me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin verior duhet ta synojë përmes dialogut bilateral me Bashkimin Evropian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit europinist me Bashkimin Evropian”, ka thënë Rama.
Pra Vulin ka ndryshuar komplet deklaratën e Ramës.
Gjithashtu, në seancën e përbashkët që është mbajtur mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë në Prishtinë është folur për bashkëpunimin mes të dyjave vendeve, kryesisht atë ekonomik dhe të politikës së jashtme dhe nuk ka pasur deklarata kundër qytetarëve serbë.
Vulin dezinformon për ta paraqitur Serbinë si viktimë të një “projekti ndërkombëtar që synon dobësimin e popullit serb”.
Sa i përket dezinformatave se Perëndimi dëshiron të “shtypë serbët si aleat të Rusisë” është një shembull i propagandës pro-ruse që përdoret për të ngjallur mosbesim në Perëndim brenda Serbisë.
Nga ana tjetër, vendet perëndimore mbështesin integrimin evropian dhe Serbinë, por e kushtëzojnë përparimin me reformat dhe dialogun me Kosovën.