Beogradi zyrtar dhe partia Lista Serbe kanë dezinformuar mbi Policinë e Kosovës se kinse ka rrahur brutalisht disa të rinj serbë në Mitrovicë të Veriut. Në fillim ka reaguar kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, pastaj Lista Serbe dhe në fund presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Çka deklaruan ata?
Vuçeviq: “Sipas informacioneve që kam… tre serbë, të rinj të kombësisë serbe, janë rrahur në veri, janë nxjerrë zvarrë nga një ndërtesë dhe janë rrahur, dhe një i katërti është arrestuar i cili të gjitha këto i ka regjistruar në telefonin e tij, i cili regjistroi represionin dhe sulmin ndaj të rinjve serbë”.
Lista Serbe: “Rrahja brutale dhe arrestimi i tre të rinjve serbë në veri të Mitrovicës është dëshmi e brutalitetit të Policisë së Kosovës ndaj serbëve, të gjitha të drejtuara nga Albin Kurti, që është bërë rutinë në veri të Kosovës. Kjo nuk është hera e parë që ka dëshmi të qarta të brutalitetit të vartësve të Kurtit dhe se nuk ka kontroll të inspektoratit të Kosovës, as reagim të përfaqësuesve ndërkombëtarë ndaj represionit institucional të popullit serb. Praktika e vendosur në të cilën mjekëve serbë u ndalohet e drejta për të ekzaminuar të arrestuarit, e me këtë fshihen dëshmitë e brutalitetit ndaj të rinjve duarzbathur. Ky përdorim i tepruar i forcës dhe arrestimi i një të riu u pasua me rrahje, poshtërim dhe kërcënim me armë zjarri në shëtitoren e qytetit në qendrën e Mitrovicës së Veriut”.
Vuçiq: “Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për atë plan dhe për atë çështje, sepse tani është plotësisht e qartë se Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb, dhe mendoj se kjo është e qartë jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë të tjerët. Jemi në një situatë ku serbët nuk mund të bëjnë asgjë që mund të bëjë të gjithë në botën moderne, dhe e gjithë kjo falë vendimeve të paligjshme, kriminale të Albin Kurtit, dhe me gjithë këtë nga Evropa dhe Quint-i kanë vetëm fjalë dënimi dhe asgjë nuk shihet në veprim. Ne do t’ju përgjigjemi me masa serioze në 72 orët e ardhshme. Serbia është gjithmonë pro dialogut, unë jam gjithmonë i gatshëm për të, por Serbia nuk do të lejojë persekutimin e popullatës serbe”.
Analiza:
Katër të rinj serbë janë arrestuar nga Policia e Kosovës më 10 shtator për shkak se sulmuan dy zyrtarë të Policisë së Kosovës në shesh në veri të Mitrovicës, si dhe njëri prej tyre kishte marrë edhe lëndime. Shefi i operacioneve të Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Petrit Fejza, ka dhënë versionin zyrtar të ngjarjes për mediat në Kosovë.
“Me datë 10.09.2024 katër persona të moshës madhore kanë ofenduar e më pas sulmuar dy zyrtarë policorë në shëtitore të Mitrovicës Veriore e më pas janë larguar, ku njëri nga policët ka pësuar lëndime. Njësitet policore kanë arritur t’i arrestojnë të dyshuarit në rrugën “Knjaz Milosh”. Të njëjtit janë dërguar në stacion policor e më pas janë dërguar për kontroll mjekësor. Të njëjtit kanë kundërmuar në alkool dhe iu është bërë matja dhe ka dalë që tre nga ta janë nën ndikim të alkoolit, me urdhër të Prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje”, ka thënë Fejza.
Ndërsa për personin që pretenduan se u arrestua vetëm pse ka xhiruar momentin e arrestimit ishte po ashtu e pavërtetë sepse edhe ai ka qenë pjesë e grupit gjatë sulmit ndaj zyrtarëve policorë dhe nën ndikim të alkoolit.
As në pamjet e publikuara nga disa politikanë serbë nuk shihet dhunë e ushtruar ndaj atyre përveçse janë vënë nën pranga./The Geopost/