Java që lamë pas nisi me dezinformatën se gjoja Kosova dhe Perëndimi po synojnë kolapsimin e serbëve, artikull ky që u publikua në portalin Sputnik Srbia, me titullin “Dramë e re në Kosovë: Një eksperiment i rrezikshëm nga Prishtina dhe Perëndimi – qëllimi është që serbët të çohen në kolaps”.
Nëpërmjet këtij titulli u aludua se Kosova në bashkëpunim me Perëndimin po punojnë për një eksperiment të rrezikshëm në dëm të serbëve që sipas tyre cilësohet si një “dramë e re”, e që nuk është aspak e vërtetë për shkak se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
As këtë javë nuk mungoi propaganda e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, e cila ka e ftuar në Festivalin Botëror të Rinisë në Sochi ka propaganduar rreth raportit të Rusisë me SHBA-në dhe NATO-n.
Në deklaratën e saj të dhënë të mërkurën që lamë pas, Zakharova ka thënë se çdo kërcënim ndaj sigurisë së Rusisë nga ana e tyre do të marrë një përgjigje.
“Rusia nuk ka plane për të sulmuar apo nisur një konflikt me SHBA-në apo NATO-n. Është NATO ajo që e ka shpallur vendin tonë ‘kërcënim direkt’ në dokumentet e saj doktrinore. Anëtarët e NATO-s duhet të kuptojnë se çdo kërcënim ndaj sigurisë së Rusisë nga ana e tyre do të marrë një përgjigje”, ka thënë ajo, duke harruar se kjo pjesë e fjalimit të saj nuk përputhet aspak me veprat e shtetit rus kundrejt disa shteteve specifike.
Për dezinformatë nga portalet serbe u shfrytëzua edhe një aksion i Policisë së Kosovës, të cilat publikuan dezinformatën e radhës duke e titulluar “Policia e Kurtit vazhdon me maltretimet: Kanë bastisur barnatore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut”.
Kjo dezinformatë që u publikua të enjten në portalin “Novosti”, nuk qëndron aspak ngaqë zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani ka thënë se aksioni është zhvilluar për shkak të dyshimit rreth kontrabandimit të mallrave me produkte mjekësore./G. Venhari- The Geopost/