Kosova, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ishin sërish cak i dezinformatave dhe propagandës serbo-ruse.
Java nisi me mohimin që presidenti i entitetit Republika Srpska, Milorad Dodik, i bëri gjenocidit në Srebrenicë pavarësisht që OKB e njohu edhe zyrtarisht atë. Ai ka dezinformuar se aty ka pasur luftë civile duke thënë se “Serbia s’ka pasur njësi ushtarake në Srebrenicë”, ndërsa ka akuzuar Kroacinë se “ka ushtruar gjenocid ndaj popullit serb”.
Vrasjet brutale të myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë nga ushtria e Republika Srpska u njohën si akt gjenocidi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) si dhe nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY). Dodik dezinformoi duke mohuar gjenocidin se aty kishte luftë civile dhe gjithashtu se aty nuk kishte njësi të ushtrisë serbe, ndërsa të dhënat e dokumentuara nga institucione e organizata kredibile ndërkombëtare vërtetuan të kundërtën.
Dezinformata për anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s përhapën mediat serbe. Ato pretendonin se “rezultatet e votimit tregonin mungesë konsensusi brenda organizatës.
Vendimi për pranimin e Kosovës si anëtare te asociuar është marrë në përputhje me procedurat e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Kritikat e mediave serbe ndaj Malit të Zi dhe vendeve të tjera që e mbështetën këtë vendim ishin pjesë e një fushate më të gjerë propagandistike për të destabilizuar marrëdhëniet rajonale dhe për të krijuar një imazh të gjoja një “tradhtie ndaj interesave serbe”. Kjo kur dihet se procesi i vendimmarrjes përfshinte konsultime me të gjithë anëtarët e
NATO-s. Votimi pasqyroi pikëpamje të ndryshme brenda organizatës, por shumica e vendeve e pranuan rëndësinë e forcimit të lidhjeve me Kosovën.
Në anën tjetër, presidenti rus Vladimir Putin Putini përhapi propagandë për NATO-n se gjoja po nxit sulme ndaj Rusisë.
Në një konferencë shtypi pas një vizite në Uzbekistan, Putin paralajmëroi anëtarët e NATO-s, veçanërisht vendet më të vogla evropiane, se do të vuanin pasojat nëse lejojnë Ukrainën të kryejë sulme në territorin rus.
Putin propagandoi anipse mbështetja e NATO-s për Ukrainën bazohet në parimet e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara.
E, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov dezinformoi për SHBA-në dhe vendet e NATO-s se gjoja ato synojnë të ndjekin një luftë kundër Rusisë ndërkohë që paralajmëroi se veprime të tilla do të kenë pasoja të rënda. Këto pretendime janë pjesë e një fushate më të gjerë propagandistike ruse që synon të justifikojë agresionin rus në Ukrainë dhe të portretizojë Perëndimin si agresor.
Është Rusia ajo që po ndjek një politikë agresive ndaj Ukrainës dhe janë NATO dhe vendet perëndimore që po i japin mbështetje viktimës së agresionit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare./The Geopost/