Ministrja e Jashtme sllovene dhe eurodeputetja shumëvjeçare Tanja Fajon paralajmëroi se nëse Mali i Zi nuk lëviz në drejtimin e duhur dhe nuk kthehet në rrugën e integrimit evropian, pasojat do të jenë të pashmangshme. Duke folur për Pobjeda, Fajon tha se nuk do të fliste se kush duhet dhe kush nuk duhet të jetë në qeverinë malazeze, por përsëriti se nuk do të ishte mirë që ekzekutivi të formohej mbi bazën e ndryshimeve shumë të dyshimta në ligjin presidencial.
POBJEDA: Së fundmi keni vizituar Malin e Zi dhe ndoshta keni qenë zyrtari i parë që paralajmëroi hapur autoritetet malazeze se negociatat mund të ngecin. Sa janë gjasat që kjo të ndodhë realisht nëse gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk zgjidhen deri në fund të janarit?
FAJON: Mund të përsëris vetëm se Sllovenia është një mik i madh i Malit të Zi dhe rajonit. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që Mali i Zi të qëndrojë dhe të përparojë në rrugën e tij drejt BE-së.
Miqtë e ndershëm ndonjëherë duhet të tregojnë hapur problemet. Ne thjesht duam të ndihmojmë. Unë dhe kolegu im austriak, në emër të BE-së, kemi tërhequr vëmendjen për seriozitetin e situatës. Mali i Zi ka humbur shumë mundësi dhe ne duam ta shohim atë sa më shpejt në rrugën evropiane.
Nuk dua të paragjykoj debatin brenda BE-së për temën e ndërprerjes së negociatave të Malit të Zi me BE-në. Në atë kohë kam vënë në dukje mundësinë që ekziston dhe që është në përputhje me metodologjinë e re të zgjerimit. Më lejoni të përsëris: situata është serioze dhe duhet bërë gjithçka për ta çuar Malin e Zi në drejtimin e duhur. Ne jemi të përkushtuar për këtë dhe këtë e presim nga lidershipi politik malazez. Është e qartë se nëse kjo nuk ndodh – pasoja të caktuara janë të pashmangshme.
POBJEDA: Mendoni se autoritetet në Mal të Zi e kanë marrë seriozisht mesazhin tuaj, duke qenë se janë injoruar paralajmërimet dhe rekomandimet e mëparshme nga Brukseli?
FAJON: Koha do ta tregojë. Besoj se ka mjaft njerëz të përgjegjshëm dhe serioz që do të marrin vendimin e duhur. Dhe nuk kufizohet vetëm në pushtet dhe nuk mund të jetë vetëm kush ka apo do të ketë pushtet. Është përgjegjësi e të gjithëve në jetën politike në Mal të Zi, por edhe e shoqërisë civile e kështu me radhë. Kjo është një pikë kthese serioze dhe një krizë. Janë votuesit, qytetarët e Malit të Zi, më shumë se 75% e të cilëve mbështesin të ardhmen evropiane të Malit të Zi, ata që në fund do të vendosin për sjelljen dhe përgjegjësinë.
POBJEDA: A po shqyrton BE-ja përfundimin e regjimit pa viza për Malin e Zi si një formë sanksioni?
FAJON: Unë nuk kam marrë pjesë në diskutimet për këtë temë. Gjërat ende mund të zgjidhen dhe jam e sigurt se Mali i Zi së shpejti mund të kthehet në rrugën e integrimit evropian, megjithëse nuk mendoj se është ide e mirë të ndëshkohen njerëzit për papërgjegjshmërinë e mundshme të politikanëve. Mali i Zi është ende më i avancuari në rrugën drejt BE-së, pasi ka hapur të gjithë kapitujt dhe ka mbyllur disa. Ajo që nevojitet tani është një zgjidhje e shpejtë e krizës politike dhe institucionale dhe hapi i parë i rëndësishëm në këtë rrugë është krijimi i kapaciteteve të plota të Gjykatës Kushtetuese.
POBJEDA: Askush në mazhorancën qeverisëse nuk i ka komentuar raportet nga Brukseli se BE mund të ndërpresë negociatat. A do të thotë kjo se autoritetet nuk kujdesen për të ardhmen e vendit në Evropë?
FAJON: Është e vështirë të kuptosh se çfarë është mazhoranca qeverisëse, por mendoj se partitë kryesore politike, apo elementë brenda tyre, janë pro-evropiane. Situata aktuale është ideale për ta vërtetuar këtë. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk dëgjojmë dhe shohim paralajmërime se ka elementë në politikën malazeze që janë të ndikuar nga palë të treta. Kjo është edhe më shumë arsyeja që BE-ja të bëjë gjithçka për ta mbajtur Malin e Zi në rrugën evropiane.
POBJEDA: Si e komentoni faktin që, pavarësisht paralajmërimit të BE-së, mandatari Miodrag Lekiq, po bën të ditur se Fronti Demokratik do të jetë pjesë e qeverisë, me arsyetimin se nuk e kanë mbështetur publikisht Rusinë? Si do të ndikonte kjo në bashkëpunimin ndërkombëtar me partnerët?
FAJON: Nuk mund të prisni që unë të vendos se kush duhet të jetë në qeverinë apo koalicionin malazez. Ky sigurisht nuk është misioni im. Mali i Zi është një vend sovran. Marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë do të ndikoheshin nga vendosmëria dhe veprimet e qeverisë. Çdo qeveri. Duke thënë këtë, ne kemi vërejtur se mënyra se si do të formohet qeveria e ardhshme e Malit të Zi nuk është e parëndësishme. Nuk mendoj se do të ishte gjë e mirë nëse kjo do të ndodhte në bazë të ndryshimeve shumë të diskutueshme në ligjin për Presidentin. Për kushtetutshmërinë e këtij ligji le të vendos së pari Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi dhe është e rëndësishme për të gjithë që gjykata të formohet sa më shpejt. Mendimi ynë për këtë bazohet në opinionin e Komisionit të Venecias.
POBJEDA: Formimi i qeverisë në këtë mënyrë hap hapësirë të mëtejshme për ndërhyrje ruse dhe serbe në punët e brendshme të Malit të Zi, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta të kryetarit të DF me përfaqësuesit e Beogradit dhe Moskës?
FAJON: Konteksti ndërkombëtar sigurisht ka ndryshuar pas sulmit rus ndaj Ukrainës, dhe natyrisht është e rëndësishme për ne që Mali i Zi të mbetet brenda kornizës së angazhimeve të mëparshme strategjike të BE-së. Pavarësisht të gjitha problemeve të brendshme, Mali i Zi është plotësisht i përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Kjo eshte shume e rendesishme.
Ne do të mbështesim të gjithë ata që ndajnë këtë orientim. Koha dhe veprimi do të tregojnë se kush është kundër orientimit evropian të Malit të Zi dhe çfarë mendon elektorati për të.
POBJEDA: Një nga drejtuesit e DF, si Lekiq, thotë se “Mali i Zi respekton rekomandimet e BE-së, por se do të vendosë për çështjet e tij të brendshme”. Si e perceptoni këtë – nuk na intereson çfarë thoni?
FAJON: E përsëris: Mali i Zi është shtet sovran dhe duhet të vendosë për çështjet e tij të brendshme. Por është e qartë se për ne në BE është e rëndësishme që një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane të ndajë vlerat tona, ta bëjë të qartë dhe të respektojë qëndrimet tona.
Është e rëndësishme që institucionet demokratike të krijohen plotësisht në Mal të Zi, që vendi të ketë një gjyqësor dhe media të pavarur dhe të respektojë ligjet dhe kushtetutën e tij. Natyrisht, për ne është gjithashtu e rëndësishme që ajo të mbajë angazhimet strategjike që ka bërë deri tani. Dëshira ime është që Mali i Zi ta kalojë këtë krizë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të ketë një qeveri plotësisht legjitime.
Do të përfitoj nga rasti për t’iu uruar të gjithë qytetarëve të Malit të Zi gëzuar festat dhe Vitin e Ri. Shpresoj se Mali i Zi do të bëjë përparim konkret në rrugën drejt BE-së në vitin 2023./Pobjeda/